Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-17-0689 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 24 qershorit 2020

Nr. të lëndës KI 158/20

Parashtruesit: Komuna e Gjilanit

Shkarko:

KI158/20 parashtruese: Komuna e Gjilanit, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I-17-0689 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 24 qershorit 2020

KI158/20 Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, publikuar më 04 qershor   2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, e drejta në gjykim të drejtë, mbrojtja e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, kontestoi kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [AC-I-17-0689] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 24 qershorit 2020, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [Mjetet Juridike], 46 [Mbrojtja e Pronës], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor], 13 [E drejta për zgjidhje efektive] dhe neni 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Në këtë rast, Gjykata, nga mënyra argumentimit dhe e ndërtimit të rastit, vërejti se pretendimet e parashtrueses së kërkesës kishin të bëjnë me: (i) pretendimet për shkelje të së drejtës për “gjykimit të drejtë”, respektivisht të drejtës për vendim të arsyetuar që garantohet me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së; (ii) pretendimet për shkelje të së drejtës për mjete efektive juridike, që garantohet me nenin 32 të Kushtetutës dhe nenin 13 të KEDNj-së; (iii) pretendimet për shkelje të së drejtës së pronës, që garantohet me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, dhe (iv) pretendimet e tjera të shkeljes së të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

Përkitazi me pretendimin (I) Gjykata konsideroi se pretendimi i parashtrueses së kërkesës për shkelje të së drejtës së gjykimit të drejtë, respektivisht të drejtës për vendim të arsyetuar, duhet të deklarohet si qartazi i pabazuar, sepse me asnjë mënyrë nuk konstatohet se Aktgjykimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit, përmban arsyetim të pamjaftueshëm ose është qartazi arbitrar. Rrjedhimisht edhe ky pretendim duhet të deklarohet si qartazi i pabazuar, në baza kushtetuese në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.  Përkitazi me pretendimin (II), Gjykata, bazuar në praktikën e GjEDNj-së, në shumë prej rasteve të saj, ka theksuar që mjeti juridik i cili nuk është në diskrecionin e drejtpërdrejt të parashtruesit të kërkesës për t’u ushtruar kundër një vendimi gjyqësor, nuk mund të konsiderohet efektiv (shih, Gjykata Kushtetuese, në rastin KI215/19, me parashtrues: Fekë Kuçi, Aktvendimi për papranueshmëri, i 15 korrikut 2020, paragrafi 45, ku theksohet: “… kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e paraqitur pranë Prokurorit të Shtetit është një mjet juridik i cili nuk është në dispozicion të drejtpërdrejtë të parashtruesit të kërkesës, por varet nga “ndërmjetësi”, e që në rastin specifik “ndërmjetësi” është Prokurori i Shtetit, dhe si e tillë nuk shqyrtohet nga Gjykata (shih, Tanase kundër Moldavisë, [VV], paragrafi 122)”.  Përkitazi me pretendimin (III) Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret nuk kemi të bëjmë me një të drejtë pronësore të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me pritje legjitime, sepse parashtruesja e kërkesës nuk ka një të drejtë të pohueshme me të cilën dëshmon dhe provon se ajo e ka të drejtën e pronës mbi banesat kontestuese (shih, ngjashëm, GjEDNj rasti Kopecký kundër Sllovakisë [DHM], parimet e paraqitura në paragrafin 52). Andaj, në këto rrethana, parashtruesja e kërkesës nuk mund të pretendojë shkelje të të drejtave pronësore, përderisa kolegjet e DhPGjS-së, në rastin e saj shqyrtuan vetëm aspektet procedurale të ankesës/kërkesës së saj, përkitazi me kërkesat për de-eksproprijim dhe kthimin në posedim të paluajtshmërisë kontestuese. Në këtë kontekst, Gjykata konstatoi se pretendimi i parashtrueses së kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së është qartazi i pabazuar nga arsyet e lartcekura.

 

Si përmbledhje, Gjykata, duke u mbështetur në standardet e vendosura në praktikën e vet gjyqësore dhe praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, konstatoi që parashtruesja e  kërkesës në asnjë mënyrë nuk ka dëshmuar dhe nuk i ka mbështetur mjaftueshëm pretendimet e saj, për shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNj, respektivisht me nenet e sipërcekura. Prandaj, Gjykata konkludoi se kërkesa në tërësinë e saj duhet deklaruar e papranueshme si qartazi e pabazuar sepse këto pretendime të parashtrueses së kërkesës kualifikohen si pretendime që hyjnë në kategorinë (i) pretendime të “shkallës së katërt” dhe kategorinë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Komuna e Gjilanit

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative