Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit AC-I-0003 të Kolegjit të Apelit për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 17 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 34/20

Parashtruesit: Ramadan Zogaj

Shkarko:

KI34/20, Parashtruesi i kërkesës: Ramadan Zogaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit AC-I-0003 të Kolegjit të Apelit për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 17 tetorit 2019.

KI34/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 10 nëntor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, palë e paautorizuar, kërkesë e papranueshme. 

  1. Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me katër procedura të ndryshme gjyqësorë, të filluara në vitin 2001 dhe përfunduar me nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar [AC-I-0003] të 18 tetorit 2019 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS. Fillimisht, Gjykata rikujton se në bazë të shkresave të lëndës parashtruesi kishte shfrytëzuar banesën gjatë periudhës 1989 – 1992, dhe më pas ishte vendosur në të njëjtën banesë në qershor të vitit 1999, të cilën deklaron se e ka shfrytëzim deri në dorëzimin e kërkesës së tij në Gjykatë më 18 shkurt 2020. Si rezultat i Vendimit [Nr. 221], të 22 nëntorit 1999 të ndërmarrjes NSH “IGK Ballkani”, banesa në të cilën ishte vendosur parashtruesi i kërkesës i ishte ndarë punonjësit të kësaj ndërmarrjeje H.H. Rrjedhimisht, më 5 janar 2000, NSH “IGK Ballkani” dhe H.H. kishin lidhur kontratë për shfrytëzimin e banesës. Parashtruesi në mënyrë specifike konteston Aktgjykimin AC-I-0003] të 18 tetorit 2019 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS, i nxjerrë në procedurë të iniciuar nga H.H. dhe në të cilën procedurë parashtruesi i kërkesës nuk ishte fare palë. Përmes këtij Aktgjykimi, Kolegji i Apelit kishte aprovuar të drejtën e H.H. për blerjen e banesës në bazë të shfrytëzimit.
  2. Parashtruesi i kërkesës megjithatë i konteston konstatimet e Kolegjit të Apelit duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me paragrafin nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), nenit 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ-së, paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së.
  3. Gjykata në vlerësimin e saj nëse parashtruesi kërkesës ka statusin e palës së autorizuar për të parashtruar kërkesë në Gjykatë, duke aplikuar edhe  standardet e praktikës gjyqësore të vet Gjykatës dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se kërkesa është e papranueshme për arsye se parashtruesi i kërkesës nuk është palë e autorizuar ashtu siç përcaktohet me paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullit 39 (1) (a) të Rregullores së punës që të paraqesë kërkesë kundër një Aktgjykimi, i cili është nxjerrë në procedurë ku parashtruesi i kërkesës nuk ka qenë palë në procedurë ose përmes së cilës nuk është vendosur lidhur me të drejtat e tij/saj.
Parashtruesit:

Ramadan Zogaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri