KI30/24, Parashtrues: Naser Foniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA. nr. 44/2023] të Gjykatës Supreme të Kosovës të 19 tetorit 2023
KI30/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, publikuar më 18 korrik 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, rast penal, pretendime të paarsyetuara, qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës ka qenë gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe është caktuar për të punuar në një lëndë penale. Për lëndën që i është caktuar, parashtruesi i kërkesës nuk ka thirrur seancë gjyqësore për një periudhë prej (4) vitesh dhe nëntë (9) muajsh, por ndërkohë ai ka thirrur seancë për lëndë të tjera, të cilat janë pranuar më vonë dhe i janë caktuar atij si gjyqtarit për procedurë të mëtejshme. KGJK-ja inicioi procedurën disiplinore kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit se ai “si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është përgjegjës për shkelje disiplinore të përcaktuar në nenin 5, paragrafi 2, nën paragrafi 2.7 të Ligjit 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe pikën 5.5 të Kodit të Etikës Profesionale për Gjyqtarë”.
Më 18 janar 2023, KGJK-ja nxori Vendimin [KGJK. nr. 11/2023] për themelimin e Panelit Hetimor për të përcaktuar shkeljen e mundshme disiplinore të parashtruesit të kërkesës, dhe si rezultat i këtij hetimi, KGJK-ja shpalli parashtruesin e kërkesës përgjegjës për shkelje disiplinore duke i shqiptuar “sanksion disiplinor vërejtje publike me shkrim”.
Kundër Vendimit të KGJK-së, parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në Gjykatën Supreme, e cila është refuzuar nga kjo e fundit.
Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi paraqiti kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 102.3 të Kushtetutës, pa shpjeguar pretendimet e tij për shkeljen e këtyre neneve.
Gjykata i shqyrtoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës në përputhje me parimet dhe principet e GJEDNJ-së, si dhe të kësaj Gjykate, duke konstatuar se pretendimet e parashtruesit të kërkesës kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”, në pajtim me paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës, sepse parashtruesi në kërkesën e tij nuk shpjegoi mënyrën se si Gjykata Supreme ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës.
Naser Foniqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile