Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykim të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-20-0005, të 26 nëntorit 2020

Nr. të lëndës KI 41/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI41/21, Parashtrues: Desimir Vučković, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykim të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nr. AC-I-20-0005, të 26 nëntorit 2020

KI41/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, publikuar më 5 maj 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kontratë shitblerje, anulim kontrate, ligji i aplikueshëm, kthim i pronave

Parashtruesi i kërkesës  dhe disa persona te tjera kishin filluar procedurat gjyqësore duke kërkuar anulimin e kontratës së shitblerjes për paluejtshmërinë e kontestuar, Ov.br.1293/96 të 27 nëntorit 1965, të nënshkruar nga paraardhësi i tyre.  Kolegji i Specializuar përmes Aktgjykimin [C-II-12-1051] padinë e M.Ç., J.Ç. dhe S.V. e refuzoi për shkak të legjitimitetit aktiv, ndërsa padinë e parashtruesit të kërkesës, si dhe të Z.V. dhe Z.V. e refuzoi si të pabazuar, me arsyetimin se duke pasur parasysh që përmes padisë kërkohej anulimi i kontratës kontestuese e cila ishte e vitit 1965, Kolegji i Apelit, për raste që ndërlidhen me anulimin e kontratave ka vendosur që neni 8 i Ligjit për Qarkullimin e Pronës së Paluajtshme të vitit 1981, i Serbisë, nuk ka qenë i zbatueshëm në Kosovë dhe po ashtu Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve i vitit 1978, nuk ka fuqi prapavepruese. Kolegji i Specializuar po ashtu theksoi se legjislacioni i Kosovës nuk përfshin ndonjë ligj për kthimin e pronës së paluajtshme i cili merret me kompensimin e tokave të marra nga organet shtetërore pas Luftës së II-të botërore.

Ndërsa duke vendosur lidhur me ankesat e palëve në procedurë, Kolegji i Apelit përmes Aktgjykimit [Ac-I-20-005], i refuzoi ato si të pabazuara. Kolegji i Apelit duke arsyetuar pretendimet që ndërlidhen me nulitetin e kontratës së kontestuar, theksoi se këto pretendime janë të pabazuara, mes tjerash, pasi sipas nenit 26 paragrafi 4 të Ligjit nr.26/1954 për Qarkullimin e  Tokës dhe të Ndërtesave, që ka qenë i aplikueshëm në kohën e lidhjes së kontratës kontestuese, kontratat e lidhura me mungesën e vullnetit të palëve, mund të anulohen në afatin prej një viti nga dita e lidhjes së kontratës, ndërsa në lëndë nuk ka dëshmi që brenda asaj periudhe kohore është ndërmarrë ndonjë veprim për të kërkuar anulimin e Kontratës së kontestuar.

Parashtruesi i kërkesës u ankua para Gjykatës Kushtetuese se Aktgjykimi i Kolegjit të Specializuar  ka shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] e 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) e 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të KEDNJ.

Gjykata pasi vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës gjeti se  ai nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ, duke përfshirë të drejtën për një gjykim të drejtë e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Andaj, Gjykata vendosi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të shpallet e papranueshme.

Parashtruesit:

Desimir Vuckovic

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile