KI91/21, Parashtrues i kërkesës: Bekim Haxhibeqiri, Vlerësim i kushtetut-shmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. nr. 133/2020 të 18 dhjetorit 2020
KI 91/21, Aktvendim i 20 janarit 2022, publikuar më 14 shkurt 2022
Fjalët kyç: Shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë, shkelje procedurale dhe shkelje e së drejtës në barazi para ligjit, qartazi e pabazuar.
Nga shkresat e lëndës del se thelbi i çështjes që ngërthen kjo kërkesë ndërlidhet me faktin që Gjykata Themelore shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës për shkak se kishte kryer në bashkëkryerje veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje, dhe shitje të pa autorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273 paragrafi 2 si bashkëkryerës në lidhje me nenin 31 të KPRK-së”, si dhe për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së”, ku për veprën e parë i shqiptoi dënim (i) me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj burg, në të cilin iu llogarit edhe koha e kaluar në paraburgim dhe gjatë masës së arrestit shtëpiak; (ii) dënim me gjobë prej 1200 (njëmijë e dyqind) eurosh, dhe nëse i akuzuari refuzon ta paguajë gjobën ajo do t’i shndërrohet në dënim me burgim ashtu që për çdo 20 euro të dënimit me gjobë do t’i caktohet një ditë burgu; ndërsa për veprën e dytë i shqiptoi dënim me gjobë në shumë prej 800 (tetëqind) eurosh, i cili dënim duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nëse dënimi me gjobë nuk paguhet i njëjti zëvendësohet në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 40 ditësh, ashtu që për çdo 20 euro do të vuajë 1 ditë burgu. Gjykata e Apelit, duke vendosur sipas ankesave, vendosi që të ndryshojë Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, vetëm sa i përket parashtruesit të kërkesës lidhur me dënimin, ashtu që e mori si të vërtetuar dënimin e përcaktuar me burgim dhe gjobë, dhe në mbështetje të nenit 80 të KPRK-së, i shqiptoi dënim unik me gjobë në lartësi prej 2000 (dy mijë) eurosh, të cilin dënim parashtruesi ishte i obliguar që ta paguajë në kohëzgjatje prej 15 ditësh, e në rast se i njëjti nuk e paguan atëherë dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim duke i llogaritur çdo ditë burgimi me 20 euro të gjobës. Duke vendosur sipas ankesës të parashtruesit të kërkesës, Gjykata Supreme nxori Aktgjykimin PML. nr. 133/2020], me të cilin refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës, duke vërtetuar në tërësi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të përcaktuara me nenet 3, 24, 31 dhe 33 të Kushtetutës, si dhe me nenin 1 të Protokollit nr. 1 dhe me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata vëren se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, kanë të bëjnë me mënyrën se si gjykatat e rregullta kanë interpretuar KPPK-në në rastin e tij. Lidhur me këtë, Gjykata konkludoi që pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar dhe zbatimit të gabuar të ligjit të aplikueshëm janë (i) kërkesa që kualifikohen si kërkesa të “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39.
Në dritën e këtij pretendimi, parashtruesi i kërkesës thekson, “për faktin se ndaj këtu të dënuarit, ashpërsia e dënimit dhe lartësia e tij është si pasojë ekskluzive e përcaktimit të kriterit që i njëjti ka qenë recidivist, po që dënimet e shqiptuara më parë, konform ligjit (Kodit Penal te Kosovës) nuk prodhojnë pasoja juridike”, duke i ndërlidhur këto pretendime me shkeljen e nenit 33 të Kushtetutës. Gjykata vëren se të drejtat në të cilat thirret parashtruesi në thelb janë të drejta të mbrojtura me nenin 31 të Kushtetutës, respektivisht me gjendjen faktike dhe çështjen e caktimit të dënimit, Gjykata me këtë pjesë të pretendimeve u mor në arsyetimin e pretendimeve lidhur me shkeljen e së drejtës në gjykim të drejtë, të drejtës së garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ-së.
Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës thjesht ka përmendur shkeljen e neneve 3, 24 të Kushtetutës, si dhe të nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, megjithatë, parashtruesi më tej në kërkesë nuk jep një arsyetim më të detajuar se si janë shkelur këto nene.
Prandaj, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 3, 24, 31 dhe 33 të Kushtetutës, si dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duhet të deklarohen të papranueshme në tërësi si qartazi të pabazuara, pasi këto pretendime kualifikohen si pretendime që i takojnë kategorisë (i) pretendime “të shkallës së katërt”; dhe kategorisë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara”. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Bekim Haxhibeqiri
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale