Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 280/2021 i 5 shtatorit 2021

Nr. të lëndës KI211/21

Parashtruesit: Nenad Arsić

Shkarko:

KI211/21, Parashtrues: Nenad Arsić, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Pml. nr. 280/2021 i 5 shtatorit 2021

KI211/21, Aktvendim i 22 dhjetorit 2022 publikuar më 24 janar 2023 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 6 dhjetor 2019 [PPS. nr. 01/2016] kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale të krimit të luftës kundër popullatës civile nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (në tekstin e mëtejmë: LP RSFJ), e inkriminuar si vepër penale e krimit të luftës, në shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës sipas nenit 144, paragrafi 2, nënparagrafët 2.2 dhe 2.3, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafin 1.2 në lidhje me nenin 31 të KPRK-së, si dhe për shkak të veprës penale të bashkëpunimit në krime të luftës kundër popullatës civile nga neni 142, në lidhje me nenin 22 të Kodit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (KP RSFJ), e dënueshme si vepër penale e krimit të luftës, duke shkelur rëndë Konventat e Gjenevës sipas nenit 144, paragrafi 2, nënparagrafi 2.4, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.  Parashtruesi i kërkesës nga ana e Gjykatës Themelore ishte shpallur fajtor për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale krime lufte kundër popullatës civile dhe ishte dënuar me dënim me burgim prej 6 (gjashtë) vitesh. Parashtruesi i kërkesës ishte ankuar në Gjykatën e Apelit lidhur me dënimin e tij nga ana e Gjykatës Themelore, ankesa e të cilit ishte refuzuar si e pabazuar. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesën e tij.

Parashtruesi i kërkesës pretendonte se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.

Gjykata vërejti se thelbi i  pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta.

Gjykata, bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, por duke marrë parasysh edhe karakteristikat e saj, siç përcaktohen në KEDNJ, si dhe parimin e subsidiaritetit dhe doktrinën e shkallës së katërt, vazhdimisht ka theksuar ndryshimin midis “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe ka theksuar se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet e fakteve ose interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga një gjykatë e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ.

Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përfshirë edhe pretendimin lidhur me dëshmitë e dëshmitarëve. Lidhur me këtë, Gjykata vëren se gjykatat e rregullta u kishin dhënë përgjigje të gjitha pretendimeve të parashtruesit të kërkesës.

Gjykata theksoi që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të dispozitave ligjore, thekson se Gjykata Supreme “ka bërë shkelje të dispozitave ligjore, përkatësisht shkelje të nenit 120 të KPPK-së”, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim i ligjit të aplikueshëm nga gjykatat e rregullta mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat.

Gjykata konkludon se ky pretendim i parashtruesit të kërkesës është (i) pretendim që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës, përgjatë pretendimeve të tij në kërkesë, kishte theksuar se gjyqtari B. A., i cili kishte qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit kur ishte vendosur për ankesën e tij, i njëjti kishte marrë pjesë në vendimmarrje edhe lidhur me procedurën paraprake, që sipas tij nuk ka drejtë sipas ligjit.

Gjykata vërejti se në bazë të shkresave të lëndës rezulton se gjyqtari B. A., në cilësinë e anëtarit të Kolegjit, kishte nxjerrë Aktvendimin [PN1.S.nr.74/2019] e 30 janarit 2019, përmes të cilit ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit [PPPS.nr.188/2019] të 23 tetorit 2019, të Gjykatës Themelore në lidhje me paraburgimin, dhe më pas kishte marrë pjesë në Kolegjin të Gjykatës së Apelit, duke vendosur në merita për rastin e parashtruesit të kërkesës përmes Aktgjykimit [ASP.nr.11/2021] të 12 majit 2021, në vlerësimin e ankesës së parashtruesit të kërkesës të ushtruar kundër Aktgjykimit [PS.nr.55/2019] të 24 dhjetorit 2020 të Gjykatës Themelore.

Nën dritën e kësaj, Gjykata thekson se mungesa e paanshmërisë gjyqësore nuk lind kur një gjyqtar ka marrë tashmë vendime formale dhe procedurale në faza të tjera të procedurës, siç edhe është situata në rastin e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, problemet me paanshmërinë mund të shfaqen nëse, në fazat e tjera të procedurës, një gjyqtar ka shprehur tashmë një opinion mbi fajësinë e të akuzuarit.

Gjykata theksoi se pretendimet që mund të ketë pasur parashtruesi i kërkesës për paanësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit janë të pabazuara sepse sikurse që përcaktohet me paragrafin 2 i nenit 39 të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale: (i) vendimi i gjyqtarit B.A., lidhur me paraburgimin është vendim procedural që nuk ka përcaktuar fajësinë apo pafajësinë apo të drejtat dhe obligimet e parashtruesit të kërkesës; (ii) nuk ka asgjë në shkresat e lëndës që sugjeron se gjyqtari B.A., ka shprehur qëndrim armiqësor apo vullnet të keq ndaj parashtruesit të kërkesës; dhe se (iii) gjyqtari B.A., nuk ka shprehur paraprakisht opinion lidhur me fajësinë e parashtruesit të kërkesës çka do ta komprometonte procesin penal kundër tij. Rrjedhimit, ky pretendim u refuzua si qartazi i pabazuar.

Gjykata po ashtu refuzoi edhe kërkesën e parashtruesit lidhur me moszbulimin e identitetit.

Parashtruesit:

Nenad Arsić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale