Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë  së Aktgjykimit ARJ.UZVP. nr. 16/2021 të 8 shkurtit 2021  të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI225/21

Parashtruesit: N.T. Spahia Petrol

Shkarko:

KI225/21, Parashtrues: N.T. Spahia Petrol, Vlerësim i kushtetutshmërisë  së Aktgjykimit ARJ.UZVP. nr. 16/2021 të 8 shkurtit 2021  të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI225/21, Aktvendim i 20 shtatorit 2022, i publikuar më 27 tetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, person jurdik, procedurë civile, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje civile, mes parashtruesit të kërkesës dhe Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës. Në lidhje me këtë çështje parashtruesi i kërkesë kishte parashtruar me parë kërkesën KI227/19, për të cilën Gjykata më 10 dhjetor 2020 kishte vendosur me Aktgjykim, me të cilin e kishte shpallur të pavlefshëm Aktgjykimin [ARJ. UZVP. nr. 94/2019] të 1 gushtit 2019 të Gjykatës Supreme, nga shkaku se i njëjti nuk ishte në përputhshmëri me garancitë procedurale të së drejtës për gjykim të drejtë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNj-së, sepse nuk përmbushte standardin e një vendimi të arsyetuar gjyqësor, si rezultat i mosadresimit dhe arsyetimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës përkitazi me barazinë e armëve dhe mjetet efektive juridike. Në perputhje me Aktgjykimin KI227/19 të Gjykatës, Gjykata Supreme e Kosovës më 8 shkurt 2021,

kishte nxjerrë Aktgjykimin ARJ.UZVP.nr. 16/2021, nëpërmjet të cilit e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën për shqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, gjegjësit te Aktgjykimit [AA. nr. 501/2018] të Gjykatës së Apelit duke konkluduar se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të dëshmojë pretendimet e tij në mënyrë të mjaftueshme dhe së barra e provës për të vërtetuar pretendimet e ngritura në kërkesëpadi, i ka takuar vetë parashtruesit të kërkesës, sipas ligjit në fuqi.

Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme serish kishte dorëzuar kërkesë në Gjykaten Kushtetuese, nëpërmjet së cilës pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Jurdike], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Gjykata Kushtetuese, fillimisht vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet jurdikë në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoriteti publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor parej katër muajve. Më pas, Gjykata adresoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesë përkitazi me: (i) të drejtën për një vendim gjyqësor të arsyetuar ne ndërlidhje me barazinë e armeve dhe mjetet efektive jurdike,  dhe (ii) pretendimet tjera të ngritura me kërkesë. Sa i përket pretendimit të parë thelbësor, Gjykata konsideroi se Gjykata Supreme në mënyrë të nënkuptuar dhe në substancë i kishte dhënë përgjigje pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për mungesë të arsyetimit të vendimit gjyqësor, në lidhje me ligjin e aplikueshëm, shkeljen e parimit të barazisë së armëve, dhe ushtrimin e mjeteve juridike në mënyrë efektive. Gjykata ne ketë rast rikujtoi, se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNj-së, i obligojnë gjykatat që të arsyetojnë vendimet e tyre, megjithatë, kjo nuk mund të interpretohet në mënyrë të tillë që nga ato të kërkohet përgjigje e hollësishme për secilin pretendim. Për me tepër, Gjykata konsideroi se të gjitha vërejtët sipas Aktgjykimit të 10 dhjetorit 2020 të Gjykatës Kushtetuese, rasti KI227/19, janë marrë parasysh nga Gjykata Supreme, e cila procedurën e rishikimit, ka sqaruar dhe arsyetuar se cilat ishin detyrimet e parashtruesit të kërkesës, sipas ligjit të aplikueshëm, për të provuar të kundërtën e pretendimeve të ATK-së; se përse nuk ishte me ndikim pretendimi për mungesë të dokumentacionit financiar, për të provuar kryerjen e transaksioneve, duke arsyetuar se megjithatë parashtruesi i kërkesës kishte në dispozicion të tij edhe mundësi të tjera për të vërtetuar transaksionet e bëra, andaj kësisoj është konsumuar edhe pretendimi për shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe të mjetit efektiv juridik, të garantuara me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës, i cili ndërlidhej me mungesën e dokumentacionit financiar dhe nuk ishte e nevojshme që këto dy pretendime të trajtoheshin veçmas nga Gjykata.  Ndërsa sa i përket pretendimeve tjera, gjegjësisht shekeje së nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata konsideroi parashtruesi i kërkesës shkeljen e kësaj të drejte e kishte ndërlidhur me nenin 31 të Kushtetutës, gjegjësisht me barazinë e armëve dhe me mjetet efektive, për të cilat Gjykata sa më lart konstatoi, se kërkesa në këto pjesë është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Gjykata përkitazi me këto pretendime, rikujtoi se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të neneve tjera të Kushtetutës dhe KEDNj-së, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludoi se: (i) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në kuptim të së drejtës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, të ndërlidhura me parimin e barazisë së armëve dhe ushtrimin efektiv të mjetit juridik, i përkisnin kategorisë së dytë (ii), pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” andaj, si të tilla të njëjtat, në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara; (ii) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës, i përkiste kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tillë, në baza kushtetuese edhe këtë pretendim e shpalli qartazi të pabazuar. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, u shpall qartazi e pabazuar dhe e papranueshme

Parashtruesit:

N.T. Spahia Petrol

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile