Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetut-shmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës AA. nr. 7/2021,të 5 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI 87/21

Parashtruesit: Ukë Berisha

Shkarko:

KI87/21, Parashtruesi i kërkesës: Ukë Berisha, Vlerësim i kushtetut-shmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës AA. nr. 7/2021,të 5 shkurtit 2021

KI87/21, Aktvendim për papranueshmëri i 20 janarit 2022, publikuar më 9 mars 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, zgjedhja e kryetarit të partisë politike, qasje në gjykatë, barazia e palëve në procedurë, mbajtja e seancës publike 

Nga shkresat e lëndës del se subjekti politik “Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës” (në tekstin e mëtejmë:  PSHDK) kishte mbajti dy kuvende të ndara zgjedhore ku u zgjodh kryetari i saj. Në kuvendin zgjedhor që u mbajt në Gjakovë, si kryetari i ri u zgjodh Zef Morina, ndërsa në kuvendin zgjedhor që u mbajt në Prishtinë, si kryetar u zgjodh Ukë Berisha. Për kuvendet e mbajtura dhe rezultatet e zgjedhjeve u njoftua Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), i cili më 24 dhjetor 2020, përmes postës elektronike i dërgoi parashtruesit të kërkesës konstatimin, me të cilin e informonte atë se, KQZ-ja e njeh kuvendin zgjedhor të PSHDK-së të mbajtur në Gjakovë, ndërsa si kryetar, Zef Morinën.

Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me konstatimin e KQZ-së parashtroi dy ankesa në KQZ dhe PZAP. PZAP i dërgoi përgjigje, ku e njoftoi se para paraqitjes së ankesës pranë tij, parashtruesi duhet të marrë paraprakisht përgjigje nga KQZ. Në ndërkohë edhe KQZ dërgoi përgjigjen e saj, ndaj së cilës parashtruesi i kërkesës ushtroi ankesë në PZAP. PZAP e miratoi ankesën dhe urdhëroi përsëritjen e kuvendit zgjedhor.

Mirëpo, subjekti politik PSHDK-së, i përfaqësuar nga Zef Morina, paraqiti ankesë në Gjykatën Supreme kundër Vendimit të PZAP-it, A. nr. 24/2021, të cilën Gjykata Supreme e miratoi dhe e anuloi vendimin e PZAP-it.

Parashtruesi i kërkesës, i pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme, parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese duke pretenduar shkelje të nenit 3 [Barazia para Ligjit], nenit 24 [Barazia para Ligjit], nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6  (E drejta për një proces të rregullt) KEDNJ-së, si dhe të neneve 7 dhe 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Megjithatë, esenca e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës kishte të bënte me shkeljen e së drejtës së “qasjes në gjykatë”, si dhe me shkeljen e së drejtës për “barazi të armëve” para Gjykatës Supreme. Pretendimet e tjera për shkelje të Kushtetutës, parashtruesi nuk i ka arsyetuar. Përveç kësaj, ai ka kërkuar edhe mbajtjen e seancës publike.

Gjykata analizoi pretendimet kryesore të parashtruesit të kërkesës duke aplikuar si praktikën e vet, ashtu edhe praktikën e GJEDNJ-së, me ç’rast konkludoi që, për sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës për të drejtën e qasjes në gjykatë, Gjykata ishte e mendimit se në rastin në fjalë nuk është kontestuese çështja se a ka pasur parashtruesi i kërkesës të drejtë qasjeje në gjykatë me qëllim të realizmit të të drejtave civile ose jo. Vetë fakti se ai ka ushtruar ankesë, të cilën e kanë shqyrtuar organet kompetente të KQZ-së dhe Gjykata Supreme është tregues i mjaftueshëm se kushtet e përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me të drejtën e qasjes në gjykatë, nuk janë vënë në pikëpyetje.

Sa i përket pretendimit për barazinë e palëve, e që ndërlidhet me faktin se Gjykata Supreme ka nxjerrë vendimin dhe se, me atë rast, ai nuk është përfaqësuar gjatë procedurës ankimore, Gjykata gjeti se procedura në Gjykatën Supreme kishte të bënte ekskluzivisht me çështje të ligjshmërisë së vendimit të PZAP-it, me ç’rast palë në procedurë ishin parashtruesi i ankesës dhe PZAP, të cilët paraqitën argumentet e tyre, ankuesi lidhur me paligjshmërinë e atij vendimi të PZAP-it, ndërsa PZAP-i paraqiti argumentet e veta me qëllim të shpjegimit të ligjshmërisë së vendimit, me ç’rast duke mbrojtur qëndrimin e vet, ai ka mbrojtur edhe të drejtat e parashtruesit të kërkesës.

Prandaj, Gjykata konkludoi që nuk kishte shkelje të parimit të qasjes në gjykatë dhe as shkelje të parimit të barazisë së palëve në procedurën para Gjykatës Supreme, së këndejmi as shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë kërkesën e parashtruesit në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Pretendimet e tjera për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, si dhe të neneve 7 dhe 10 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Gjykata i hodhi poshtë si të pabazuara për arsye se parashtruesi nuk i ka arsyetuar në kërkesë.

Gjithashtu, Gjykata e hodhi poshtë edhe kërkesën për mbajtje të seancës publike, duke konstatuar që parashtruesi nuk ka paraqitur argumente që do të arsyetonin nevojën për mbajtjen e saj.

Parashtruesit:

Ukë Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile