Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 45/219, të 7 marsit 2019, Aktvendimit Ac. nr. 3225/2018 të Gjykatës së Apelit, të 14 shtatorit 2018, dhe Aktgjykimit Ac. nr. 5330/2012 të Gjykatës së Apelit, të 17 marsit 2015

Nr. të lëndës KI 114/19

Parashtruesit: Nazmi Krasniqi

Shkarko:

KI114 / 19, Nazmi Krasniqi, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 45/219 të Gjykatës Supreme të 7 marsit 2019, Aktvendimit Ac. nr. 3225/2018 të Gjykatës së Apelit të 14 shtatorit 2018 dhe Aktgjykimit Ac. nr. 5330/2012, të Gjykatës së Apelit të 17 marsit 2015 

KI114/19, Aktvendim për papranueshmëri i 6 shtatorit 2019, publikuar më 24 shtator 2019

Fjalët kyç: Aktvendim për papranueshmëri, tri procedura gjyqësore, jashtë afatit, ratione materiae

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, i cili pretendohet të ketë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese të parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], neni 24 2. [Barazia para Ligjit], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], të Kushtetutës, si dhe të drejtat e garantuara me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), dhe nenin 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare), neni 10 (Liria e shprehjes). Parashtruesi i kërkesës pretendon se “ka shkelje të Kushtetutës në Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 45/2019 të 7 marsit 2019, Aktvendimin Ac. nr. 3225/2018 të Gjykatës së Apelit të 14 shtatorit 2018 dhe Aktgjykimin Ac. nr. 5330/2012 të 17 marsit 2015, përkatësisht të neneve 22, 24, 31 si dhe neneve 6, 8 dhe 10 të KEDNJ-së, sepse atij nuk iu dha mundësia të deklarohet ndaj pretendimeve të ngritura kundër tij“.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se kishte pasur shkelje sepse atij nuk iu dha mundësia të merrte pjesë në seancën gjyqësore lidhur me kërkesën për përsëritjen e procedurës, ku ishte vendosur në dëm të tij, gjithashtu parashtruesi i kërkesës shtoi se ai nuk e kishte autorizuar askënd që ta përfaqësojë,  dhe kur është njoftuar se ekzistojnë vendimet gjyqësore në dëm të tij, ai kërkoi që procedura të përsëritet në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, që u refuzua me vendimet e gjykatës.

Parashtruesi gjithashtu i kërkoi nga Gjykata që të vendosë masë të përkohshme në mënyrë që të shfuqizojë vendimin e përmbaruesit privat për lirimin e pronës në fjalë.

Gjykata vuri në dukje se parashtruesi i kërkesës kishte zhvilluar tri procedura gjyqësore të veçanta në lidhje me pronën në fjalë dhe që të tri procedura  kishin përfunduar me aktgjykime të formës së prerë.

Më konkretisht, Gjykata konkludoi se procedura e parë dhe e dytë gjyqësore ishin jashtë afatit kohor për shqyrtim. Ndërsa procedura e tretë kishte të bënte me kërkesën për përsëritjen e procedurës gjyqësore. Gjykata, duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikën gjyqësore të saj, konkludoi që procedura e tretë gjyqësore është ratione materiae sepse neni 6 i KEDNJ-së nuk zbatohet për përpjekjet e pasuksesshme për rihapjen e procedurave penale ose kontestimore, në bazë të fakteve të reja ose përmes një procedure të jashtëzakonshme ose të veçantë të shqyrtimit për arsye procedurale, të cilat nuk janë drejtpërdrejt të qasshme për personat fizikë dhe zbatimi i të cilave varet nga autorizimet diskrecionale të autoritetit publik.

Parashtruesit:

Nazmi Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit , Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile