Vendim

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Nr. të lëndës KI31/23

Parashtruesit: Isuf Musliu

Shkarko:

 

 

Prishtinë, më 11​​ mars 2024

Nr. Ref.:RK 2397/24

 

 

 

 

VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS

 

 

rastin nr.​​ KI31/23

 

Parashtrues

 

Isuf Musliu

 

 

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së​​ aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

 

 

GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

e përbërë nga:

 

Gresa Caka-Nimani, kryetare

Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar

Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare

Safet Hoxha, gjyqtar

Radomir Laban, gjyqtar

Remzie​​ Istrefi-Peci, gjyqtare​​ 

Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe

Enver Peci, gjyqtar

 

 

Parashtruesi i kërkesës​​ 

 

  • Kërkesa është parashtruar nga Isuf Musliu​​ (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës),​​ me vendbanim në Prishtinë.

 

 

Vendimi i kontestuar​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës nuk konteston asnjë akt konkret të autoriteteve publike.

 

Objekti i çështjes​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës nuk ka​​ specifikuar saktësisht​​ aktin e autoritetit​​ publik që konteston para Gjykatës,​​ e as nuk ka​​ cekur në mënyrë specifike ndonjë të drejtë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), për të cilën konsideron se është shkelur.​​ 

 

Baza juridike​​ 

 

  • Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] ​​ dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji), rregullin​​ 25​​ [Parashtrimi i​​ kërkesave dhe​​ përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese​​ (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).​​ 

 

  • ​​ 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në​​ fuqi 15 ditë pas publikimit të​​ saj. Rrjedhimisht,​​ gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform​​ rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.

 

Procedura në Gjykatën Kushtetuese​​ 

 

  • ​​ 8 shkurt 2023, parashtruesi​​ i kërkesës​​ e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).

 

  • Më​​ 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës​​ përmes vendimit [Nr.​​ GJR.​​ KI31/23]​​ caktoi gjyqtarin​​ Enver Peci​​ gjyqtar raportues dhe​​ përmes vendimit [Nr.​​ KSH.​​ KI31/23]​​ Kolegjin​​ shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët:​​ Gresa Caka-Nimani​​ (kryesuese),​​ Bajram Ljatifi dhe​​ Remzie​​ Istrefi-Peci,​​ anëtarë.

 

  • Më 24 shkurt 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës.

 

  • ​​ 3 mars 2023,​​ përkatësisht më 13 mars 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë, të cilat përmbanin një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë,​​ përmes të cilit i ishte vazhduar masa e arrestit shtëpiak parashtruesit të kërkesës dhe një ankesë drejtuar Gjykatës së​​ Apelit kundër vendimit​​ të Gjykatës Themelore.

 

  • Më​​ 1 qershor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin​​ e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të plotësojë kërkesën me dokumentet dhe informatat si në vijim:​​ (i)​​ të specifikoni​​ saktë​​ aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestoni para Gjykatës Kushtetuese;(ii) të cekni dhe sqaroni cilat të drejta dhe liri pretendoni se u janë cenuar; dhe (iii)​​ të bashkëngjitni kopjet e​​ vendimit që e kontestoni dhe vendimeve tjera që mendoni se janë të nevojshme për tia​​ bashkëngjitur kërkesës.

 

  • Më 6 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar shkresën e dërguar nga Gjykata, gjë që vërtetohet nga fletëkthesa e nënshkruar nga ai. Megjithatë,​​ brenda afatit të​​ caktuar nga Gjykata,​​ ai​​ nuk​​ iu​​ ishte përgjigjur kërkesave të Gjykatës.

 

  • ​​ 17 janar 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues​​ dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës që ta refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.

 

Përmbledhja e fakteve​​ 

 

  • Parashtruesi i kërkesës parashtron kërkesë në Gjykatë për herë të​​ gjashtë.

 

  • Në vazhdim, Gjykata do të bëjë përmbledhjen e fakteve lidhur me kërkesën e tanishme​​ KI31/23,​​ si dhe​​ ​​ kërkesave tjera​​ KI18/18,​​ KI110/18, KI117/20,​​ KI135/21​​ dhe​​ ​​ KI177/21​​ për aq sa ato ndërlidhen edhe me kërkesën e tanishme.​​ 

 

  • Më 2 gusht 2011, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore për anulimin e kontratës mbi dhuratën e lidhur ndërmjet F. M., në njërën anë dhe H. M., A. M. dhe A. M., në anën tjetër, lidhur me një numër të ngastrave kadastrale në fshatin Pjetershticë, komuna e Shtimes (në tekstin e mëtejmë: ngastrat e kontestuara) dhe kërkoi që Gjykata Themelore​​ në Prishtinë -​​ dega në Lipjan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore)​​ t’ia vërtetojë parashtruesit të kërkesës të drejtën e pronësisë në ngastrat e kontestuara.​​ 

 

  • Më 9 shtator 2013, Gjykata Themelore, me Aktgjykimin C. nr. 210/11, refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës.​​ 

 

  • Në një datë të​​ pasaktësuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) kundër Aktgjykimit​​ të Gjykatës Themelore​​ C. nr. 210/11.

 

  • Më 15 korrik 2016, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit CA.​​ nr.​​ 3781/2013, e prishi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore C. nr. 210/11, dhe​​ e​​ ktheu rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore, ku lënda është regjistruar me numrin e ri C. nr. 296/16. Gjykata e Apelit vërtetoi se Gjykata Themelore bëri shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore sipas nenit 197 të Ligjit për Procedurën Kontestimore, ngase nuk e kishte hapur shqyrtimin e plotë për vërtetimin e faktit të kontestuar nëse parashtruesi i kërkesës ka dhënë kontribut për ngastrat e kontestuara të cilat kanë qenë objekt i kontratës së dhuratës.​​ 

 

  • Më 13 shkurt 2018, parashtruesi​​ i kërkesës​​ e dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese​​ kërkesën​​ KI18/18, duke kontestuar kohëzgjatjen e procedurave​​ lidhur me rastin e tij​​ para Gjykatës Themelore.

 

  • Më 30 maj 2018, Gjykata shqyrtoi kërkesën e parashtruesit​​ të kërkesës​​ dhe nxori Aktvendimin për papranueshmëri të kërkesës në rastin KI18/18. Në Aktvendimin për papranueshmëri, Gjykata gjeti se kohëzgjatja e përgjithshme e procedurave pranë gjykatave të rregullta,​​ prej 6 (gjashtë) vjet​​ dhe gjashtë muaj,​​ nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme,​​ duke marrë parasysh ndërlikueshmërinë e rastit si dhe sjelljen e të gjitha palëve në procedurë. ​​ 

 

  • ​​ Më 3 gusht 2018, parashtruesi​​ i kërkesës​​ e dorëzoi kërkesën​​ KI110/18 në Gjykatë.

 

  • ​​ 27​​ nëntor​​ 2018, Gjykata shqyrtoi kërkesën e parashtruesit​​ të kërkesës​​ dhe​​ vendosi se​​ kërkesa​​ KI110/18​​ e parashtruesit​​ të kërkesës​​ është përsëritje e një kërkese të mëparshme për çështjen e cila tashmë është vendosur nga Gjykata. Prandaj, në pajtim​​ me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, kjo kërkesë​​ u refuzua​​ me procedurë të shkurtër.​​ 

 

  • Më 23 korrik 2020, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën KI117/20 në Gjykatë.​​ 

 

  • Më 11 nëntor 2020, Gjykata shqyrtoi kërkesën KI117/20 dhe vendosi​​ që kërkesa e parashtruesit është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

 

  • Më 19 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën KI135/21 në Gjykatë.

 

  • Më 10 shtator 2021, Gjykata shqyrtoi kërkesën​​ KI135/21 të​​ parashtruesit të kërkesës dhe vendosi që kërkesën ta refuzojë me procedurë të shkurtër, në pajtim me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës.

 

  • Më 4 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën KI177/21 në Gjykatë.

 

  • Gjykata lidhur me kërkesën KI177/21 vendosi se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.

 

  • Lidhur me rastin e tanishëm​​ KI31/23, nga dosja e lëndës,​​ Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës ka bashkëngjitur Aktvendimin [AC.​​ nr.​​ 10801/2021] të 10 gushtit 2022 të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit ishte aprovuar ankesa e parashtruesit të kërkesës​​ lidhur me anulimin e kontratës dhe vërtetimin e pronësisë,​​ dhe ishte prishur aktvendimi i Gjykatës Themelore Prishtinë –​​ dega​​ ​​ Lipjan [C.​​ nr.​​ 931/2020] i 27 tetorit 2021 dhe lënda ishte rikthyer​​ gjykatës së​​ njëjtë​​ në rigjykim dhe vendosje.​​ 

 

  • Po ashtu,​​ nga shkresat e lëndës,​​ Gjykata vëren se më 29 dhjetor 2022 Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm kishte parashtruar aktakuzë [PP/II.​​ nr.​​ 5071/22] kundër parashtruesit të kërkesës për veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401,​​ paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë:​​ KPRK) dhe veprën penale Kanosje nga neni 181,​​ paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

 

  • Më 25 janar 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë​​ përmes aktvendimit [P.​​ nr.​​ 3336/2022] parashtruesit të kërkesës ia zëvendësoi masën e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak nga 25 janari​​ e deri më 3 shkurt 2023.

 

  • Më 3 shkurt 2023, Gjykata Themelore përmes aktvendimit [P.​​ nr.​​ 3336/2022] i vazhdoi masën e arrestit shtëpiak deri më 2 mars 2023.

 

  • Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë dorëzoi Aktvendimin [P.​​ nr.​​ 3336/2022] të 2 marsit 2023 të Gjykatës Themelore Prishtinë,​​ përmes të cilit i ishte vazhduar​​ prapë​​ masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji,​​ respektivisht nga 2 marsi​​ 2023 deri më 1 prill 2023.

 

Pretendimet e parashtruesit të kërkesës

 

  • Parashtruesi​​ i kërkesës nuk sqaron se cilat të​​ drejta të​​ tij janë​​ shkelur,​​ por thekson se​​ ushtron kallëzim penal ndaj gjyqtares E.​​ E.​​ të Gjykatës Themelore në Prishtinë –​​ dega Lipjan,​​ për shkak se siç thekson ai​​ “...​​ kallëzim penal për kërcënim kanosje, dhunë absolute nga neni 401,​​ par.5 lidhur me par.1 të KPRK-së , kanosje nga neni 181,​​ lidhur​​ me par. 1 të KPRK-së, korrupsion, ryshfet, shantazhime, mashtrime, shpifje, uzurpim pronë, krim i organizuar, nga viti 2006 e deri më 05.12.2022.

 

  • Parashtruesi i kërkesës tutje thekson se​​ lidhur me lëndën e tij i është drejtuar​​ ​​ “të gjitha institucioneve të Kosovës, por nuk është ndërmarrë asnjë vendim i prerë.​​ Ai më tej thekson se​​ “ ...​​ Gjykata Themelore në Lipjan i ka injoruar dhe po i injoron të gjitha gjykatat dhe institucionet tjera të Kosovës për interesa të paligjshme ekonomike dhe penale.​​ 

 

  • Më tej​​ parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të neneve 181, 188 dhe 401 KPRK-së dhe neneve 160.5 dhe 194 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, ku thekson se:​​ vetë zvarritja 18 vjet tregon numrin e nenit të shkelur të Kushtetutës dhe Konventave apo instrumenteve tjera ndërkombëtare​​ drejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës, neni 49 i​​ të​​ drejtave themelore të njeriut dhe 41​​ të​​ drejtat elementare të njeriut”.

 

  • Parashtruesi i kërkesës po ashtu pretendon se ai është arrestuar dhe burgosur pa të drejtë, ku thekson:​​ “​​ ... në Gjykatën Themelore burgoset dhe lidhet në pranga paditësi që kërkon drejtësi”.

 

Pranueshmëria e kërkesës

 

  • Gjykata​​ fillimisht shqyrton​​ nëse​​ parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të​​ parapara​​ me​​ Kushtetutë​​ dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.

 

  • Në​​ këtë​​ drejtim,​​ Gjykata​​ iu​​ referohet​​ paragrafëve 1 dhe 7, të nenit 113 të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:

 

“1.​​ Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.

[...]

7.​​ Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.

 

  • Gjykata i referohet edhe​​ nenit​​ 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit, që​​ parasheh:

 

Neni 22

[Procedimi i kërkesës]

“[...]

 

4. Nëse kërkesa […] nuk është e […] kompletuar, gjyqtari raportues njofton palët apo​​ pjesëmarrësit​​ përkatës për këtë dhe ia cakton një afat prej jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve për të […] plotësuar kërkesën […]

 

[...]”.

 

  • Përveç kësaj, Gjykata i​​ referohet​​ rregullit​​ 25​​ [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve] të Rregullores së punës, i cili specifikon:

 

[...]​​ 

“(2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:

 

​​ [...]

(e) mbrojtjen juridike të kërkuar;

[...]

(g) arsyetimin​​ rreth pranueshmërisë dhe meritave të kërkesës; dhe​​ 

(h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës;

 

 

  • Në vazhdim, Gjykata​​ gjithashtu i​​ referohet edhe nenit 48 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit,​​ i cili përcakton:​​ 

 

Neni 48

[Saktësimi i kërkesës]

 

Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht​​ se​​ cilat​​ të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.

 

  • Andaj, në vlerësimin nëse​​ parashtruesi i kërkesës​​ i plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton se​​ neni​​ 48 i Ligjit specifikisht detyron parashtruesit e kërkesave që të qartësojnë saktësisht aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestojnë dhe që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë të jenë cenuar. Ndërsa, rregulli​​ 25​​ (2) (e), (g)​​ dhe (h) të Rregullores së punës parasheh që kërkesa e parashtruesve të përmbajë edhe mbrojtjen juridike të kërkuar,​​ arsyetimin procedural dhe substantiv të kërkesës​​ si dhe informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.

 

  • Në këtë aspekt,​​ Gjykata rikujton se​​ pasi që kishte pranuar​​ kërkesën e​​ parashtruesit të kërkesës,​​ e cila ishte e paqartë,​​ duke marrë parasysh që kërkesa nuk ishte e kompletuar, pasi:​​ i)​​ nuk​​ e kishte​​ specifikuar saktë​​ aktin e autoritetit​​ publik që​​ e​​ ​​ konteston para Gjykatës;​​ ii)​​ nuk kishte cekur se cilat të drejta kushtetuese pretendonte se i ishin shkelur;​​ si dhe​​ iii)​​ ​​ nuk ishin​​ dorëzuar​​ të gjitha vendimet​​ që ndërlidhen me​​ rastin e parashtruesit.​​ Gjykata,​​ kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që:​​ i)​​ të specifikojë saktë aktin konkret të autoritetit publik të cilin e konteston​​ para Gjykatës;​​ ii)​​ të cekë​​ se​​ cilat të drejta dhe liri​​ pretendon​​ se​​ i​​ janë cenuar;​​ iii)​​ të​​ bashkëngjisë​​ kopjet e vendimit që e konteston​​ dhe vendimeve tjera që mendon se janë të nevojshme për tia​​ bashkëngjitur kërkesës.​​ 

 

  • Më 6 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës kishte pranuar shkresën e dërguar nga Gjykata, gjë që vërtetohet nga fletëkthesa e nënshkruar nga ai.​​ Mirëpo,​​ brenda afatit të​​ caktuar nga Gjykata,​​ ai​​ nuk​​ iu​​ ishte përgjigjur kërkesave të Gjykatës.

 

  • Në këtë aspekt, Gjykata vlerëson se përkundër kërkesës specifike​​ të Gjykatës,​​ parashtruesi i​​ kërkesës:​​ i)​​ nuk​​ e​​ ka​​ specifikuar aktin e autoritet publik që​​ e​​ ​​ konteston;​​ ii)​​ nuk kishte specifikuar të drejtat e tij​​ që pretendon se i janë cenuar​​ sipas Kushtetutës; si dhe​​ iii)​​ nuk​​ i​​ kishte dorëzuar të gjitha vendimet që ndërlidhen me rastin e​​ tij.

 

  • Andaj, në bazë të Rregullores së saj të punës, Gjykata nëse konstaton se kërkesa është e paplotë ose e paqartë mund të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër. Në këtë aspekt,​​ Gjykata i referohet rregullit 54​​ të Rregullores​​ së punës, i cili përcakton si në vijim:​​ 

 

Rregulli 54

[Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]

 

[...]

“(2) Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:

(a)​​ kërkesa është jo e​​ plotë ose e paqartë përkundër​​ kërkesës ose​​ kërkesave​​ nga Gjykata​​ ndaj palës që të plotësojnë​​ ose të​​ qartësojnë kërkesën”

[...]

 

  • Gjykata rikujton se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe​​ pretendimet​​ e tyre të adresohen në mënyrë efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata i deklaron këto kërkesa si të paqarta dhe jo të plota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesve​​ të​​ kërkesës​​ (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës​​ KI60/20, parashtrues​​ Këshilli i Bashkësisë së Fesë Islame,​​ Vendim për refuzim,​​ i 18 shkurtit 2021, paragrafi 36;​​ KI90/20, parashtrues​​ Arben Boletini, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 9 dhjetorit 2020, paragrafi 25; dhe​​ rastet nr.​​ KI78/20, KI79/20 dhe KI80/20, parashtrues​​ Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 7 dhjetorit 2020, paragrafi 33 dhe referencat e përdorura aty).

 

  • Rrjedhimisht,​​ Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit​​ të kërkesës​​ nuk i përmbush kriteret​​ procedurale​​ për​​ shqyrtim​​ të mëtejmë, për shkak të​​ mos kompletimit​​ të saj me​​ dokumentacion​​ mbështetës,​​ ashtu siç kërkohet me nenet​​ ​​ 22.4 dhe 48 të​​ Ligjit dhe me rregullin​​ 25​​ (2)​​ (e) dhe​​ (h) të Rregullores së punës.

 

  • Prandaj,​​ Gjykata​​ përfundon​​ se​​ kërkesa​​ duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.

 

PËR KËTO ARSYE

 

Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës,​​ me​​ nenet 22.4 dhe 48 dhe të Ligjit dhe në pajtim me rregullat​​ 25​​ (2)​​ (e) dhe​​ (h) dhe​​ 54 (2)​​ (a)​​ të Rregullores së punës, më​​ 17 janar 2024, njëzëri

 

VENDOS

 

  • TË REFUZOJË kërkesën;

 

  • T'UA KUMTOJË këtë vendim palëve;

 

  • TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;

 

  • Ky​​ vendim​​ hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,​​ në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.​​ 

 

 

 

 

 

Gjyqtari​​ raportues ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese

 

 

 

 

Enver Peci ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​  ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​ ​​​​ ​​ Gresa Caka-Nimani

 

1

Parashtruesit:

Isuf Musliu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës