KI159/17, Parashtrues: Ismet Miftari, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 66/17, të 29 qershorit 2017
KI159 /17, Aktvendim për papranueshmëri, i 10 prillit 2019, publikuar më 20 maj 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, procedurë civile, parimet e përgjithshme të sistemit gjyqësor, parimi i kontradiktoritetit, qartazi e pabazuar
Parashtruesi kërkesës kishte një kontratë pune me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, në vendin e punës “Kryeinxhinier i implementimit të projektit në kazan, në Departamentin e Inxhinieringut të Termocentralit (T. C.).
Më 16 qershor 2011, me Vendimin nr. 679 të Arbitrit – Drejtorit Ekzekutiv të Divizionit të Gjenerimit të Energjisë të KEK-ut, parashtruesit të kërkesës i ishte shqiptuar masa disiplinore “shkëputje e kontratës së punës” dhe ky vendim i ishte vërtetuar edhe me vendimin e Drejtorit Menaxhues të KEK-ut i cili kishte refuzuar ankesën tij.
Parashtruesi kundër vendimeve disiplinore të organit të punësimit kishte filluar procedurat gjyqësore dhe Gjykata themelore, më 24 nëntor 2014, kishte refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit. Më 25 janar 2017, Gjykata e Apelit nxori Aktgjykimin CA. nr. 708/2015, me të cilin e refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruar, ndërsa e vërtetoi Aktgjykimin C. nr. 1736/11 të Gjykatës Themelore. Më 29 qershor 2017, Gjykata Supreme, me Aktgjykimin Rev. nr. 66/2017, vendosi që të refuzohet si e pabazuar kërkesa për revizion e parashtruesit të kërkesës.
Sipas vlerësimit të Gjykatës, pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit dhe provave të paraqitura në kërkesë, vendimet gjyqësore të gjykatave të rregullta ishin të arsyetuara, kishin dhënë përgjigje në pretendimet e ngritura nga parashtruesit dhe në rrethanat e rastit nuk ishin tregues të asnjë shkeljeje kushtetuese. Gjykata veçanërisht shqyrtoi pretendimin për shkelje të parimit të kontradiktoritetit dhe duke marrë parasysh faktin që parashtruesi ishte pjesë aktive gjatë gjithë procedurave të zhvilluara qoftë personalisht qoftë përmes të autorizuarit të tij, nuk gjeti prova se e drejta për gjykim të jetë shkelur, andaj në përputhje me rregullin 39 (2) kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.
Ismet Miftari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri