KI76/19, Parashtrues A. C., D. C., dhe F C., Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme Rev. nr. 48/2019, të datës 27 Mars 2019
KI76/19, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, publikuar më 19 dhjetor 2019
Fjalë kyçe: Aktvendim për papranueshmëri, procedurë civile, kërkesë për mos-zbulim të identitetit, qartazi e pabazuar
Objekti i çështjes ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kundërshtuar, me të cilin pretendohet se shkelën të drejtat dhe liritë e parashtruesve të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt), si dhe nenin 41 (Shpërblimi i drejtë) e KEDNJ-së.
Parashtruesit e kërkesës gjithashtu kërkojnë që identiteti i tyre të mos zbulohet për publikun, duke thënë “se rasti konkret ka të bëjë me kompensimin që ndërlidhet drejtpërdrejt me humbjen tragjike të burrit dhe babait të parashtruesve të kërkesës, dhe prandaj konsiderojmë se ky rast është i ndjeshëm”.
Në thelb, parashtruesit e kërkesës e ngritën një procedurë kontestimore përpara Gjykatës Themelore kundër kompanisë së sigurimeve për vdekjen, e bashkëshortit përkatësisht babait, si rrjedhojë e një fatkeqësie të trafikut.
Parashtruesit e kërkesës konsideruan se ekzistonte edhe përgjegjësia e pjesëmarrësit tjetër në fatkeqësinë e trafikut dhe, se prandaj, ata kishin të drejtë në kompensim monetar. Gjatë procedurës gjyqësore, gjykatat konkluduan se nuk kishte asnjë përgjegjësi të përbashkët për shkaktimin e fatkeqësisë së trafikut dhe se, prandaj, parashtruesit e kërkesës nuk mund të realizonin të drejtën e tyre për kompensim.
Parashtruesit e kërkesës u paraqitën para Gjykatës duke pretenduar se gjykatat e rregullta i bazuan vendimet e tyre në dispozitat e gabuara ligjore, dhe se në këtë mënyrë shkelën nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata, duke analizuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës, shkresat e lëndës dhe vendimet e gjykatave, konstatoi se Gjykata Themelore, e Apelit dhe ajo Supreme në aktgjykimet e tyre i kanë trajtuar pretendimet e parashtruesve të kërkesës në lidhje me faktet, me ç’rast kanë konkluduar se faktet ishin vërtetuar drejtë nga Gjykata Themelore, dhe se prandaj, edhe dispozita e nenit 154 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve është zbatuar në mënyrë të drejtë.
Në lidhje me këtë, Gjykata erdhi në përfundim që parashtruesve të kërkesës nuk u ishin shkelur të drejtat nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në bazë të së cilit rrjedh se nuk ka pasur as shkelje të nenit 54 të Kushtetutës.
Sa i përket pretendimeve të tjera në lidhje me nenin 41 të KEDNJ-së, gjykata konkludoi se ai nuk mund të shërbejë si bazë për të kërkuar “kompensim të drejtë” ose kompensim për dëmin jo material përpara Gjykatës Kushtetuese sepse ky nen ka të bëjë me kompetencat e GJEDNJ-së, dhe nuk është në juridiksionin e gjykatave vendore si pjesë përbërëse e mekanizmit mbrojtës të KEDNJ-së.
Sidoqoftë, sa i përket kërkesës për mbrojtjen e identitetit, Gjykata e miratoi kërkesën e parashtruesve të kërkesës si të bazuar, duke marrë parasysh specifikën e procedurës konkrete.
A. C., D. C., dhe F. C.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile