Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.183/22] të 12 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI191/22

Parashtruesit: Vegim Namligji

Shkarko:

KI191/22, Parashtrues: Vegim Namligji, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev.nr.183/22] të 12 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI191/22, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, publikuar më 16 maj 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mungesë e konsistencës së vendimeve gjyqësore, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës nga ana e Korporatës Energjetike të Kosovës Sh.a. në cilësi të Punëdhënësit, bazuar në Raportin e Auditimit. Parashtruesi i kërkesës më pas kishte kontestuar Vendimin e Punëdhënësit për ndërprerjen e marrëdhënies së punës brenda Punëdhënësit, por kërkesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar. Parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore kundër Vendimit të Punëdhënësit për largimin nga puna, duke kërkuar: i) anulimin e këtij të fundit; ii)  kthim në vendin e punës me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që dalin nga marrëdhënia e punës. Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës duke konsideruar se ky i fundit kishte bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës, shkelje kjo e cila së pari është konstatuar nga Raporti i Auditimit dhe më pas është vërtetuar nga Komisioni Disiplinor, i cili me Vendim i shkëputi marrëdhënien e punës parashtruesit të kërkesës, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Pas ankesës që parashtruesi i kërkesës e ushtroi në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e pranoj ankesën si të bazuar duke ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe rrjedhimisht miratoi në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Më pas, Punëdhënësi parashtroi revizion në Gjykatën Supreme kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme miratoi revizionin duke anuluar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe duke lënë në fuqi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, me të cilin padia e parashtruesit të kërkesës ishte refuzuar si e pabazuar.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, duke pretenduar se  i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore kushtetuese, përkatësisht  neni 23 [Dinjiteti i Njeriut], neni 24 [Barazia para Ligjit], neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], neni 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe neni 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, kryesisht për faktin se gjykatat e rregullta kishin nxjerrë vendime të ndryshme për raste të njëjta (parashtruesi i kërkesës kryesisht në kërkesën e tij thirrej në dy raste të ish kolegëve të tij të cilët kishin qenë të përfshirë në të njëjtën procedurë gjyqësore).

Gjykata analizoi parimet e përgjithshme të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës, përkitazi me mungesën e konsistencës së vendimeve gjyqësore sipas së cilave kur trajtohen çështjet e divergjencës duhet vlerësuar fillimisht nëse në rrethanat e rastit konkret: (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.

Gjykata, gjatë aplikimit të parimeve të lartpërmendura, bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin për papranueshmëri,  vlerësoi se bazuar në shkresat e lëndës nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella  dhe të vazhdueshme” në praktiken gjyqësore të Gjykatës Supreme që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se as numri i aktgjykimeve të pretenduara si kundërthënëse, as periudha kohore brenda së cilës janë nxjerrë këto aktgjykime, si dhe as mënyra se si Gjykata Supreme e ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të Gjykatës Supreme.

Si përfundim, në pajtim rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe, rrjedhimisht, e papranueshme.

Parashtruesit:

Vegim Namligji

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile