Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit PML. nr. 212/2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 10 qershorit 2021

Nr. të lëndës KI 125/21

Parashtruesit: Armend Osaj

Shkarko:

KI125/21, Parashtrues: Armend Osaj, kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së  Aktgjykimit PML. nr. 212/2021 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 10 qershorit 2021

KI125/21, Aktvendim i 11 majit 2022, publikuar më  31 maj 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, çështje penale, e drejta në gjykim të drejtë, prezumimi i pafajësisë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me çështje penale, përkatësisht me procedurë paraprake, ku ndaj parashtruesit të kërkesës Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e disa veprave penale, si  (i) keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autoriteti zyrtar, (ii) përvetësimit në detyrë dhe (iii) falsifikimit të dokumenteve zyrtare. Bazuar në këtë aktakuzë, Prokurori i çështjes kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe tre personave të tjerë. Më urdhër të Prokurorit, parashtruesi i kërkesës më 31 mars 2021 u arrestua nga Policia e Kosovës dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë. Të njëjtën ditë, parashtruesi i kërkesës u dërgua para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit nxori Aktvendimin [PPrKR. nr. 234/21], nëpërmjet të cilit, parashtruesit të kërkesës iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, me arsyetimin se ekzistonte dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës dhe i pandehuri tjetër, kanë kryer veprat penale për çfarë akuzohen dhe se në rrethanat konkrete janë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe ato të veçanta, sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), që të njëjtit të mbahen në paraburgim. Parashtruesi i kërkesës e apeloi aktvendimin e lartcekur në Gjykatën e Apelit, e cila nëpërmjet Aktvendimit [PN1. nr. 341/2021] refuzoi ankesën e tij dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës, më pas ushtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila, më 22 prill 2021, nxori Aktgjykimin [PML/132/2021] nëpërmjet të cilit: (i) aprovoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës; (ii) anuloi aktvendimet e goditura të instancave më të ulëta; (iii) ktheu çështjen në rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë; dhe (iv) vendosi që parashtruesi i kërkesës të mbahej në paraburgim, deri në marrjen e një vendimit të ri. Në riprocedurë, Gjykata Themelore nxori Aktvendimin [PPrKR. nr. 234/21], nëpërmjet të cilit parashtruesit të kërkesës iu vazhdua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajve, gjegjësisht deri më 29 qershor 2021. Kundër aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila nëpërmjet Aktvendimit [PN1. nr. 468/2021], refuzoi ankesën e tij dhe vërtetoi Aktvendimin [PPrKR. nr. 234/21] e Gjykatës Themelore. Përfundimisht, më 25 maj 2021, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër aktvendimit të lartcekur dhe kjo e fundit më 10 qershor 2021, nxori Aktgjykimin [PML. nr. 212/2021], nëpërmjet të cilit, refuzoi si të pabazuar kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese ngriti pretendime për shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i shkeljes së parimit të prezumimit të pafajësisë gjatë zhvillimit të procedurës paraprake, duke argumentuar se ndaj tij është përdorur gjuhë fajësuese nga gjykatat e rregullta ende pa u vërtetuar fajësia e tij, në një fazë të mëvonshme të gjykimit dhe se gjykatat ishin të anshme në vendimmarrje.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar praktikës së saj gjyqësore dhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), përkitazi pretendimin e parashtruesit për shkeljen e parimit të “prezumimin e pafajësisë”, fillimisht rikujtoi parimet e përgjithshme, duke u thirrur në raste konkrete të GJEDNj-së, ku në vlerësimin e kësaj të fundit prezumimi i pafajësisë, sipas nenit 6.2 të KEDNj-së, do të shkelej nëse një vendim gjyqësor ose një deklaratë e një zyrtari publik (eksperti), në lidhje me një person të akuzuar për një vepër penale, reflekton një mendim ose gjuhë se personi i akuzuar është fajtor, përpara se fajësia e tij të vërtetohet sipas ligjit. Në këtë kontekst, Gjykata, duke u mbështetur në praktikën e GjEDNj-së, vlerësoi se në rastin konkret është evidente se gjykatat e rregullta kanë përdorur shprehjen “dyshimi i bazuar” dhe se ato nuk janë nisur thjesht me bindjen se parashtruesi i kërkesës “ka kryer veprat penale” për të cilat është akuzuar. Gjykata, në veçanti iu referua rastit të GjEDNj-së Matijašević kundër Serbisë, ku në paragrafin 46 të vendimit theksohej se gjykatat vendase do të duhej të bënin dallimin thelbësor kur dikush thjesht “dyshohet” për kryerjen e një krimi, në mungesë të një bindjeje përfundimtare, dhe kur një person “ka kryer krimin në fjalë”. GjEDNj në këtë rast kishte konstatuar se Gjykata e Qarkut në Novi Sad, shpalli fajësinë e ankuesit përpara se fajësia e tij të provohej sipas ligjit, dhe se, për më tepër, Gjykata e Lartë e Serbisë, dështoi ta korrigjonte këtë “gabim”. Duke aplikuar këtë rast në rrethanat konkrete, Gjykata vlerësoi se arsyetimi i gjykatave të rregullta në rastin e parashtruesit të kërkesës dallonte dukshëm nga rrethanat e rastit të cituar të GjEDNj-së, sepse në rastin e parashtruesit të kërkesës ka ekzistuar ky dallim thelbësor, për faktin se para shprehjes se i pandehuri “ka kryer veprat penale” për të cilat akuzohej nga organi i akuzës, gjykatat, posaçërisht Gjykata Supreme, përdori shprehjen “ekziston dyshimi i bazuar” se i pandehuri është kryerës i veprave penale …, dhe se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”. Tutje, Gjykata vlerësoi se shprehjet e përdoruara nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, nuk e konfirmojnë pretendimin e parashtruesit të kërkesës se ato u nisën me bindjen se ai është fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij nga organi i akuzës, përderisa në arsyetimet e vendimeve të tyre shprehimisht theksohet se konstatimi i fajësisë së tij, do të vlerësohej nga gjykatat, në një fazë të mëvonshme të procedurës. Në këtë kontekst, Gjykata ia rikujtoi parashtruesit të kërkesës gjetjet e saj në rastin KI174/21, Aktvendimi i 16 shkurtit 2022, paragrafi 51, ku theksoi: “se nuk ka asgjë në shkresat e lëndës që tregon se gjyqtarët e gjykatave të rregullta kanë dhënë mendimin që e kanë konsideruar parashtruesin e kërkesës fajtor para se ta kenë konstatuar atë në mënyrë të ligjshme me një vendim gjyqësor”). Për më tepër, Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës ka ngritur dhe pretendime në lidhje me paanshmërinë e gjykatës (gjykimit), duke e ndërlidhur këtë pretendim, po ashtu me gjuhën e përdorur nga gjykatat, në këtë fazë të procedurës, megjithatë në lidhje me këtë pretendim, nga shkresat e lëndës edhe vërehej qartë se edhe vetë parashtruesi i kërkesës kishte pohuar se në këtë fazë të procedurës ishte e vështirë të provohej “anshmëria e gjykatës” në kuptimin subjektiv, andaj Gjykata nuk e konsideroi të nevojshme ta trajtonte veçmas këtë pretendim.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke marrë parasysh pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta, konstatoi se pretendimi i tij në lidhje me shkeljen e parimit të prezumimit të pafajësisë, i garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së, i përketë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tillë, të njëjtin e shpalli qartazi të pabazuar në baza kushtetuese dhe rrjedhimisht të papranueshëm, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Armend Osaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale