Aktgjykim

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-17-0568, të 14 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 120/19

Shkarko:
Përmbledhje

KI120/19, Parashtrues: Mursel Gashi, Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AC-I-17-0568, të 14 marsit 2019

KI120/19, Aktgjykim 25 nëntorit 2021, publikuar më 30 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një numër pronash, njohjen e të cilave parashtruesi i kërkesës, e kishte kërkuar përmes padisë. Më saktësisht, njohja e të drejtës pronësore ishte kërkuar mbi katër (4) ngastra kadastrale, konkretisht ngastrat [nr.588/1], [nr.598], [nr.601] dhe [nr.604], të cilat, sipas kontratës përkatëse të shitblerjes të vitit 1971, ai i kishte blerë por, bazuar në shkresat e lëndës, nuk kishte arritur t’i regjistroj në regjistrin kadastral në emër të tij. Në vitin 2007, dy (2) nga katër (4) ngastrat e lartcekura, përkatësisht ngastrat kadastrale [nr.588] dhe [nr. 598], përmes një Aktgjykimi të Gjykatës Komunale, kishin kaluar në pronësinë e familjes S., pas miratimit të padisë së kësaj të fundit kundër Ndërmarrjes Shoqërore KBI “Kosova-Export”. Pasi që Aktgjykimi i lartcekur Gjykatës Komunale u bë i plotfuqishëm, ngastrat kadastrale përkatëse u regjistruan në regjistrin kadastral si pronë e familjes S.

Në vitin 2011, parashtruesi i kërkesës përmes padisë në Dhomën së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, (i) fillimisht kërkoi vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi katër (4) ngastrat e lartcekura; ndërsa më pas (ii) përmes precizimit të kërkesëpadisë kërkoi që përkitazi me dy (2) ngastrat kadastrale të cilat si rezultat i Aktgjykimit të vitit 2007, ishin regjistruar në emër të familjes S, të kompensohet me ngastra tjera të Ndërmarrjes Shoqërore KBI “Kosova-Export”.

Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme, e refuzoi padinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa pas ankesës së këtij të fundit, në vitin 2017, Kolegji i Apelit ndryshoi vendimin e Kolegjit të Specializuar, duke i njohur parashtruesit të kërkesës të drejtën e pronësisë mbi 4 (katër) ngastrat e lartcekura. Megjithatë, Kolegji i Apelit (i) nuk adresoi çështjen e kompensimit të ngastrave kadastrale me ngastra të tjera, përkundër faktit që sipas precizimit të kërkesëpadisë, ishte sqaruar që dy (2) nga ngastrat kontestuese ishin regjistruar në emër të familjes S., si rezultat i një Aktgjykimi të formës së prerë në vitin 2007; dhe (ii) në përcaktimin e pronësisë së parashtruesit të kërkesës mbi ngastrat përkatëse, kishte përdorur numra identifikues sipas sistemit të vjetër të regjistrit kadastral, duke rezultuar për pasojë në mospërputhje me sistemin aktual të kadastral. Andaj, parashtruesi i kërkesës iu drejtua sërish Kolegjit të Apelit me kërkesë (i) për korrigjim të Aktgjykimit, përkitazi me identifikimin e saktë të ngastrave kadastrale; dhe (ii) për plotësim të Aktgjykimit, përkatësisht kërkesën që Kolegji i Apelit të vendos për të gjitha kërkesat e saktësuara në ankesë dhe saktësisht përkitazi me kërkesën për kompenzimin me ngastra tjera të ndërmarrjes së lartcekur shoqërore, si rezultat i regjistrimit të dy (2) ngastrave të lartcekura në emër të familjes S.

Në vitin 2019, Kolegji i Apelit, përmes Aktvendimit (i) miratoi kërkesën për korrigjim të Aktgjykimit lidhur me saktësimin e dy (2) ngastrave në përputhje me sistemin e ri kadastral; ndërsa (ii) lidhur kërkesën për kompensimin e dy (2) ngastrave, të cilat tashmë ishin në pronësi të familjes S., e hodhi poshtë si të papranueshme, duke theksuar, në esencë, që “nuk ka mbetur ndonjë çështje e pazgjidhur”, pasi që parashtruesit të kërkesës i është njohur e drejta e pronësisë mbi katër (4) ngastrat kontestuese, por duke mos e adresuar faktin që dy (2) nga ngastrat pronësinë mbi të cilat ia kishte njohur parashtruesit të kërkesës, tashmë ishin regjistruar në pronësi të familjes S., si rezultat i një Aktgjykimi të formës së prerë.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se, Aktvendimi i kontestuar i Kolegjit të Apelit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) e nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar, ndër tjerash, se Kolegji i Apelit përmes pikës (V) të Aktvendimit, kishte hedhur poshtë kërkesën e tij për plotësim të Aktgjykimit, pa adresuar dhe arsyetuar fare pretendimin e tij të bërë përmes precizimin e padisë lidhur me kompensimin e dy (2) ngastrave, tashmë të regjistruara në emër të familjes S., me ngastra të tjera në pronësi të KBI “Kosova Export”.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, Gjykata fillimisht shtjelloi dhe më pas aplikoi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pas vlerësimit të rrethanave në këtë rast, Gjykata theksoi se nuk ishte kontestuese që dy (2) nga katër (4) ngastrat kontestuese ishin në pronësi të dy pronarëve të ndryshëm, përkatësisht (i) të familjes S., sipas një Aktgjykimi të Gjykatës Komunale të vitit 2007; dhe (ii) parashtruesit të kërkesës sipas vet Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të vitit 2017. Ndërsa, përkundër kërkesës specifike të parashtruesit të kërkesës që kjo çështje të adresohej fillimisht përmes precizimit të kërkesëpadisë dhe më pas përmes kërkesës për plotësimin e Aktgjykimit, Kolegji i Apelit këtë çështje nuk e kishte adresuar as përmes Aktgjykimit të vitit 2017 dhe as përmes Aktvendimit të vitit 2019.

Gjykata, bazuar në praktikën e saj të konsoliduar gjyqësore përkitazi me të drejtën në vendim të arsyetuar gjyqësor, theksoi se përderisa detyrimi për të dhënë arsye mbi pretendimet e palëve përkatëse mund të ndryshojë varësisht nga natyra e rastit në shqyrtim, pretendimet thelbësore të palëve duhet të adresohen dhe arsyetohen, dhe se sipas sqarimeve të dhëna të Aktgjykimin e publikuar të Gjykatës, në rrethanat e rastit konkret, ky nuk ishte rasti.

Për pasojë, Gjykata konstatoi se pika (V) e Aktvendimit të kontestuar [AC-I-17-0568] të 14 marsit 2019 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe rrjedhimisht, shpalli të njëjtin të pavlefshëm duke e kthyer në rivendosje në pajtueshmëri me konstatimet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesit:

Mursel Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim