Vendim

Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Nr. të lëndës KI 49/21

Shkarko:
Përmbledhje

KI49/21, Parashtrues: Fitim Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

KI49/21, Vendim për refuzim të kërkesës, i 5 majit 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë e paplotësuar, vendim për refuzim

Parashtruesi i kërkesës nuk konteston asnjë akt konkret të ndonjë autoriteti publik.

Në thelb, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pohoi se çështjet lidhur me procedurën për vërtetimin e kujdestarisë ndaj vajzës së tij kishin qenë të padrejta. Në vijim të kësaj, parashtruesi pohoi se duke filluar nga Klinika Gjinekologjike në Prishtinë, Qendra për Punë Sociale në Fushë Kosovë si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale-Inspektorati i Shëndetësisë, këto të fundit kanë humbur dokumentacionin e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës nuk kishte qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pretendoi se i janë cenuar përmes ndonjë akti të një autoriteti publik.

Marrë parasysh faktin se kërkesa e parashtruesit nuk ishte e kompletuar, Gjykata i kërkoi parashtruesit të kërkesës që të plotësojë kërkesën e tij: a) duke specifikuar aktet e autoriteteve publike të cilat i konteston; b) duke qartësuar saktësisht pretendimet e tij për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë; dhe c) duke dorëzuar kopjet e dokumenteve dhe informatave të tjera që mbështesin pretendimet e tij.

Parashtruesi i kërkesës ishte përgjigjur me një shkresë para Gjykatës, duke ripërsëritur të njëjtat argumente si në kërkesën e tij fillestare, por duke mos u përgjigjur në kërkesat e Gjykatës, respektivisht duke mos e saktësuar se cilin vendim e konteston si dhe cilat liri dhe të drejta të mbrojtura me Kushtetutë pretendon se i janë shkelur. 

Andaj, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit të saj me dokumentacion mbështetës, ashtu siç kërkohet me nenet 20 dhe 48 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullat 32 (2) (h) dhe 35 (5) të Rregullores së punës së Gjykatës, prandaj vendosi që kërkesa të refuzohet me procedurë të shkurtër.

Parashtruesit:

Fitim Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës