KI144/20, Parashtrues: Qerim Qerimi, kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 214/2020
KI144/20, aktvendim për papranueshmëri i 10 dhjetorit 2020, publikuar më 5 janar 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, aktvendim për papranueshmëri
Bazuar në shkresat e lëndës rezulton se objekt i kontestit i cili daton që nga viti 1977, është ngastra kadastrale 3001/15, me kulturë shtëpi banimi me sipërfaqe prej 140 metra katror dhe oborr me sipërfaqe prej 439 metra katror, në vendin e quajtur “Livadhet e Mëdha”, në rrugën “Mehmet Pashë Zogaj”, e evidentuar në emër të paditurit E.B., e cila, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, ishte fituar me kontributin e përbashkët familjar të parashtruesit të kërkesës dhe të paditurit.
Prandaj, parashtruesi i kërkesës së bashku me dy të afërm të tij të ngushtë (paditës) H.Q. dhe F.Q., paraqitën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Dega në Vushtrri (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) kërkesëpadinë kundër të paditurit E.B., në të cilën kërkuan që atyre t’iu njihet e drejta e pronësisë mbi pronën e kontestuar të përmendur më lart, të cilën e kërkojnë në bazë të ndarjes së pasurisë familjare, e cila, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, ishte fituar me kontributin e përbashkët në kohën sa ka zgjatur bashkësia familjare, edhe pse ishte evidentuar në emër të të paditurit.
Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit refuzuan kërkesëpadinë e tij, duke konstatuar se prona në fjalë nuk ishte fituar sa kishte zgjatur bashkësia familjare, por që ekziston një marrëveshje e vitit 1977 mbi ndarjen e pasurisë. Në procedurën e revizionit, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën e parashtruesit për revizion.
Parashtruesi i kërkesës pretendon „me aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme e refuzon revizionin dhe në mënyrë drastike i shkel të drejtat e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.
Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme, përmes Aktgjykimit Rev. nr. 214/2020, të 13 korrikut 2020, refuzoi revizionin e tij nën pretekstin se i padituri E.B. dhe paditësi H.Q. (djali dhe babai) kanë lidhur kontratën mbi shkëputjen e bashkësisë familjare të vërtetuar nën Ov. nr. 62/79 më 24 janar 1979, e cila pretendohet të jetë vërtetuar nga Gjykata Komunale në Vushtrri.
Pasi shqyrtoi shkresat e lëndës si dhe pretendimet e parashtruesit zë kërkesës, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për vërtetimin e gabuar të fakteve dhe interpretimin dhe aplikimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm lidhur me vërtetimin e pronësisë mbi ngastrat kontestuese kualifikohen si pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, reflektojnë pretendime në nivel të “ligjshmërisë”, dhe nuk janë argumentuar në nivel të “kushtetutshmërisë”. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Qerim Qerimi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile