Prishtinë, më 6 tetor 2022
Nr. Ref.:RK 2054/22
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI217/21
Parashtrues
Enver Zhjeqi
Kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme lidhur me kërkesën KI02/20, të cilën Gjykata Kushtetuese, përmes Vendimit të 29 prillit 2020,
e refuzoi me procedurë të shkurtër
dhe
Kërkesë për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Pml. nr. 245/2019, të 17 shtatorit 2019
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është dorëzuar nga Enver Zhjeqi, me vendbanim në Prishtinë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës). Parashtruesi i kërkesës përfaqësohet nga Zyra e Avokatisë “ProJusticia” nga Prishtina, me avokatë Eset Berisha dhe Afrim Salihu.
Vendimi i kontestuar
- Parashtruesi i kërkesës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [ nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme, të 17 shtatorit 2019.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes së kësaj kërkese janë:
- i) kthimi në gjendjen e mëparshme lidhur me kërkesën KI02/20, të cilën Gjykata Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) përmes vendimit të saj e refuzoi me procedurë të shkurtër, në të cilën kërkesë, objekt i vlerësimit kushtetues ka qenë Aktgjykimi [ nr. 245/2019] i Gjykatës Supreme të Kosovës, i 17 shtatorit 2019;
- ii) kërkesa për vlerësim të kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme, përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 47 (Kërkesa individuale) dhe 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit, si dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 12 gusht 2021, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës i dërgoi një shkresë Kryetares së Gjykatës, në të cilën kërkoi që Gjykata të mundësojë kthimin në gjendjen e mëparshme të kërkesës KI02/20 dhe të mundësojë shqyrtimin e saj në lidhje me pretendimet nga kjo kërkesë.
- Më 30 nëntor 2021, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës e dërgoi plotësimin e shkresës së 12 gushtit 2021, të adresuar sërish për Kryetaren e Gjykatës.
- Më 3 dhjetor 2021, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin [GJR. KI217/21] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Radomir Laban (anëtarë).
- Më 21 dhjetor 2021, Gjykata e njoftoi parashtruesin për regjistrimin e kërkesës dhe njëkohësisht i kërkoi përfaqësuesit të parashtruesit autorizimin për përfaqësimin e parashtruesit të kërkesës, si dhe të plotësojë formularin zyrtar të kërkesës së Gjykatës.
- Më 30 dhjetor 2021, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës e dërgoi kërkesën e plotësuar të Gjykatës, e cila përmbante edhe autorizimin për përfaqësimin e parashtruesit të kërkesës.
- Më 20 shtator 2022, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
- Në fillim, Gjykata rikujton se në bazë të shkresave të lëndës rezulton se kërkesa lëndore për kthim në gjendjen e mëparshme lidhet drejtpërdrejtë me kërkesën KI02/20, për të cilën Gjykata më 29 prill 2020 nxori Vendimin për refuzimin e kërkesës me procedurë të shkurtër.
- Duke pasur parasysh këtë, Gjykata para shqyrtimit të kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme do të rikujtojë kërkesën KI02/20, si dhe të gjitha rrethanat që kanë rezultuar me nxjerrjen e Vendimit për refuzimin e kërkesës me procedurë të shkurtër, për të cilën përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës tani kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme.
Përmbledhja e fakteve lidhur me kërkesën KI02/20
- Më 10 janar 2020, S.M., avokat nga Prishtina, dorëzoi kërkesën e cila është regjistruar nga Gjykata me shenjën KI02/20. Në këtë kërkesë, S.M. theksoi se, “është përfaqësuesi i personit Z.“. Mirëpo, S.M. nuk ka dorëzuar në shkresat e lëndës autorizimin për përfaqësimin e tij në Gjykatë.
- Më 28 janar 2020, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e pretenduar për regjistrimin e kërkesës dhe i kërkoi që të plotësojë kërkesën me informata shtesë, përkatësisht të dorëzojë në Gjykatë autorizimin me të cilin është autorizuar nga personi E.Z. për ta përfaqësuar atë para Gjykatës.
- Në bazë të fletëkthesës, Gjykata konstatoi se përfaqësuesi i pretenduar e kishte pranuar shkresën e Gjykatës më 31 janar 2020, por ai nuk iu përgjigj asaj shkrese.
- Më 26 shkurt 2020, Gjykata i dërgoi një shkresë të dytë përfaqësuesit të pretenduar, në të cilën sërish kërkoi nga ai që të dorëzojë në Gjykatë autorizimin me të cilin është autorizuar nga personi E.Z. për ta përfaqësuar atë para Gjykatës.
- Përfaqësuesi i pretenduar përsëri nuk iu përgjigj kërkesës së Gjykatës.
- Më 29 prill 2020, pas shqyrtimit të raportit të gjyqtarit raportues, Kolegji shqyrtues njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të refuzojë kërkesën në pajtim me rregullin 35(5) të Rregullores së punës.
Përmbledhja e fakteve lidhur me kërkesën KI217/21
- Më 12 gusht 2021, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës i dërgoi Kryetares së Gjykatës një kërkesë në formë të shkresës, në të cilën kërkoi që Gjykata, në përputhje me nenin 50 të Ligjit, të mundësojë kthimin në gjendjen e mëparshme të kërkesës KI02/20, dhe si rrjedhojë, të shqyrtojë nëse Aktgjykimi [ nr. 245/2019] i Gjykatës Supreme, i 17 shtatorit 2019, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, si dhe me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
- Lidhur me këtë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës ngre sërish çështjen e vlerësimit kushtetues të Aktgjykimit [ nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme, i cili ka qenë objekt i vlerësimit edhe në kërkesën KI02/20, por i cili nuk është shqyrtuar nga Gjykata duke pasur parasysh se nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet procedurale për shqyrtimin e tij.
- Duke shqyrtuar me kujdes vetë thelbin e kërkesës KI217/21, lidhur me procedurën gjyqësore të parashtruesit të kërkesës në kontekst të natyrës së saj, e cila ka përfunduar me Aktgjykimin e kontestuar [ nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme, Gjykata konstatoi se bëhet fjalë për një procedurë penale në të cilën ai, me Aktakuzën e Prokurorisë-Departamenti për Krime të Rënda është akuzuar se ka kryer dy vepra penale, për të cilat, përmes aktgjykimeve të gjykatave të rregullta, është shpallur fajtor dhe rrjedhimisht i ishte shqiptuar dënimi me burgim.
- Megjithatë, për të qenë në gjendje të paraqesë në mënyrë konkrete dhe të detajuar të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me vetë procedurën penale, si dhe të parashtrojë të gjitha pretendimet e tij për shkelje kushtetuese të neneve të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, të cilat kanë qenë çështje thelbësore në kërkesën KI02/20 dhe tani në kërkesën konkrete KI217/21, Gjykata së pari duhet të shqyrtojë me kujdes nëse ekzistojnë meritat e kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme të dorëzuar në Gjykatë nga parashtruesi i kërkesës në pajtim me nenin 50 të Ligjit.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës lidhur me kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme të kërkesës KI02/20
- Përfaqësuesi i parashtruesit në mbështetje të kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme të kërkesës KI02/20, thekson se:
“Parashtruesi i kërkesës kishte autorizuar avokatin e tij S.M. nga Prishtina, për përfaqësim në procedurën pranë kësaj gjykate dhe nuk ka pasur mundësi asnjëherë të kuptoj për vendimin e gjykatës, pasi e kishte autorizuar përfaqësuesin e tij […]. Faktin për ekzistimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. KI02/20 dt. 29 prill 2020, e ka kuptuar bashkëshortja e tij […] përmes shikimit të rastësishëm në uebfaqen e kësaj gjykate, një javë para se të angazhonte zyrën tonë […] për vazhdimin e procedurës pranë gjykatës, ndërsa kopja e aktvendimit të kësaj gjykate nuk i është dorëzuar asnjëherë parashtruesit të kërkesës apo familjarëve të tij.
Siç u parashtrua më lartë, parashtruesi i kërkesës […] ka autorizuar avokatin e tij për ta përfaqësuar në procedurën e zhvilluar pranë Gjykatës Kushtetuese, por i autorizuari i tij nuk e ka dorëzuar autorizimin sipas nenit 33, par. 2 të Rregullores së punës dhe për këtë shkak kjo gjykatë në pajtim me nenin 35, par. 3 të Rregullores e ka hudhë poshtë kërkesën e tij.
Prandaj, duke marrë parasysh se lëshimi i veprimit procedural në kërkesën e parashtruar në këtë gjykatë, ka ndodhur pa fajin e parashtruesit të kërkesës, por të autorizuarit të tij, përfaqësuesit e autorizuar, propozojmë që kjo gjykatë […] të lejoj kthimin në gjendjen e mëparshme në rastin KI02/20”.
Dispozitat relevante ligjore
Ligji nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës
Neni 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme)
“Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj.”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të specifikuara më tej me Ligj dhe të parashikuara me Rregullore të punës.
- Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
- Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
- Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, Gjykata së pari i referohet neneve 47 (Kërkesa individuale), 48 (Saktësimi i kërkesës) dhe 49 (Afatet) të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
(Kërkesa individuale)
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
- Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.”
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.”
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor […].”
- Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [ nr. 245/2019] e Gjykatës Supreme, të 17 shtatorit 2019, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Në këtë drejtim, Gjykata thekson se përtej kriterit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit për parashtrimin e kërkesave para Gjykatës sipas procedurës së përcaktuar në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, përkatësisht kërkesave individuale, është gjithashtu pika (c) e paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, e cila përcakton si në vijim:
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
- c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
- Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [ nr. 245/2019] e Gjykatës Supreme, të 17 shtatorit 2019, të cilin aktgjykim parashtruesi i kërkesës e kishte kontestuar edhe në kërkesën e tij të dorëzuar në Gjykatë më 10 janar 2020 dhe të regjistruar në Gjykatë me shenjën KI02/20. Rrjedhimisht, nuk është kontestuese se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në atë moment është dorëzuar brenda afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar në Ligj dhe në Rregullore të punës.
- Megjithatë, në lidhje me sa më sipër, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në këtë kërkesë konkrete kërkon nga Gjykata kthimin në gjendjen e mëparshme të kërkesës së tij të mëparshme KI02/20, i cili rast është shqyrtuar dhe është nxjerrë vendimi nga Gjykata më 29 prillit 2020. Në vazhdim të kërkesës së tij për kthim në gjendjen e mëparshme, parashtruesi i kërkesës në mënyrë specifike kërkon që të shqyrtohet kërkesa e tij e mëparshme e parashtruar më 10 janar 2020, në të cilën kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme, të 17 shtatorit 2019.
- Në kontekst të kërkesës së parashtruesit të kërkesës për kthimin e afatit në gjendjen e mëparshme, Gjykata fillimisht rikujton përmbajtjen e nenit 50 (Kthimi në gjendjen e mëparshme) të Ligjit, i cili përcakton:
“Nëse parashtruesi pa fajin e tij nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, Gjykata Kushtetuese ka për detyrë që në bazë të kërkesës së parashtruesit ta kthejë atë në gjendjen e mëparshme. Parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës dhe të arsyetojë kërkesën në fjalë. Kthimi në gjendjen e mëparshme nuk lejohet nëse ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë ligj”.
- Bazuar në përmbajtjen e nenit 50 të Ligjit, në mënyrë që të aprovohet kërkesa për kthim në gjendjen e mëparshme, duhet të plotësohen kushtet në vijim: (i) parashtruesi i kërkesës duhet të dëshmojë se pa fajin e tij/saj nuk ka qenë në gjendje të parashtrojë kërkesën brenda afatit të përcaktuar, përkatësisht afatit 4 (katër) mujor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit; (ii) parashtruesi ka për detyrë të paraqesë kërkesën për kthimin në gjendjen e mëparshme brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve që nga mënjanimi i pengesës; (iii) parashtruesi i kërkesës duhet të arsyetojë kërkesën e tij; dhe (iv) nuk ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë Ligj për paraqitjen e kërkesës në Gjykatë. Këto kushte janë kumulative (shih, rastin e Gjykatës, KI163/20, parashtrues “Inter Eminex”, Aktvendim për papranueshmëri, i 18 shkurtit 2021, paragrafi 48).
- Në rrethanat e rastit konkret dhe siç është shpjeguar më lart, Gjykata rikujton se kërkesën e parashtruesit të kërkesës ishte regjistruar në Gjykatë me numrin KI02/20 dhe se Gjykata e refuzoi me procedurë të shkurtër bazuar në rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, duke konstatuar se kërkesa e tij nuk ishte e kompletuar nga ana procedurale, si rezultat i faktit se përfaqësuesi i pretenduar nuk e dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësimin e parashtruesit të kërkesës. Për më tepër, Gjykata në mbështetje të kësaj shton se ajo i dërgoi dy herë shkresa përfaqësuesit të pretenduar të parashtruesit, dhe atë më 28 janar 2020 dhe 26 shkurt 2020, duke i kërkuar që të dorëzonte autorizimin për përfaqësimin e parashtruesit, të cilat ai i pranoi në mënyrë të rregullt, gjë që Gjykata e konstatoi në bazë të fletëkthesave, megjithatë ai nuk iu përgjigj shkresave në fjalë.
- Në kërkesën e tanishme, Gjykata mund t’i përmbledhë argumentet e parashtruesit për kthimin në gjendjen e mëparshme në këtë mënyrë: se parashtruesi i kërkesës e ka autorizuar avokatin S.M. për ta përfaqësuar para Gjykatës në kërkesën KI02/20, por përfaqësuesi i tij i autorizuar nuk ka dorëzuar autorizimin në pajtim me nenin 33 paragrafi 2 të Rregullores së punës dhe se kjo Gjykatë, për këtë arsye, në pajtim me nenin 35 paragrafi 3 të Rregullores së punës, refuzoi kërkesën e tij. Për faktin se nuk është kryer veprimi procedural nga përfaqësuesi i autorizuar, i humbi e drejta e tij për të kërkuar mbrojtën ligjore dhe kjo ishte arsyeja për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës pretendon se faktin “që ekziston vendimi i Gjykatës në rastin KI02/20 dt. 29 prill 2020, e ka kuptuar bashkëshortja e tij, përmes shikimit të rastësishëm në uebfaqen e kësaj gjykate, një javë para se të angazhonte përfaqësuesit e rinj për ta përfaqësuar atë në kërkesën KI217/21“.
- Gjykata thekson se në bazë të nenit 50 të Ligjit, ekziston obligimi i Gjykatës të aprovojë ose refuzojë kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme në bazë të vlerësimit, në secilin rast veç e veç. Pra, obligimi i saj është të shqyrtojë nëse kërkesa e dorëzuar i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara me vetë nenin 50 të Ligjit, të cilat kushte janë të natyrës kumulative.
- Pikërisht duke vlerësuar kushtet kumulative të përcaktuara me nenin 50 të Ligjit, të cilat duhet t’i plotësojë një kërkesë për kthim në gjendjen e mëparshme, Gjykata si kriter fillestar në këtë kërkesë vlerëson nëse është plotësuar kushti (iv) i nenit 50 të Ligjit, i cili parashikon se kërkesa për kthim në gjendjen e mëparshme mund të parashtrohet nëse “nuk ka kaluar një vit ose më shumë nga dita kur ka përfunduar afati i përcaktuar me këtë Ligj“.
- Lidhur me këtë, Gjykata vëren se data e nxjerrjes së Aktgjykimit të kontestuar [ nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme është 17 shtator 2019, se kërkesa e parë KI02/20 është dorëzuar nga përfaqësuesi i pretenduar i parashtruesit të kërkesës më 10 janar 2020, ndërsa kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme është dorëzuar nga përfaqësuesi i ri i parashtruesit të kërkesës më 8 gusht 2021.
- Rrjedhimisht, duke i ndërlidhur këto afate me kushtin e paraparë (iv) të nenit 50 të Ligjit, mund të konstatohet se afati për parashtrimin e kërkesës për kthim në gjendjen e mëparshme, si kusht i paraparë në këtë kërkesë nuk është plotësuar, për arsye se nga data kur është parashtruar kërkesa e parë KI02/20 deri në datën kur është parashtruar kërkesa e dytë KI217/21, ka kaluar më tepër se një vit, më saktësisht 1 (një) vit, 6 (gjashtë) muaj dhe 7 (shtatë) ditë.
- Më konkretisht, afati i fundit brenda të cilit parashtruesi i kërkesës mund të paraqiste kërkesën për kthim në gjendjen e mëparshme në Gjykatë, në mënyrë që të plotësohet kushti (iv) i nenit 50 të Ligjit, është data 10 janar 2021, gjë që ai nuk e ka bërë në këtë rast konkret, duke pasur parasysh shkresat e lëndës. Rrjedhimisht, Gjykata, pa u lëshuar në shtjellimin e mëtutjeshëm të plotësimit të kushteve tjera të përcaktuara me nenin 50 të Ligjit, konsideron se kjo kërkesë nuk e plotëson kushtin (iv), siç është theksuar më sipër.
- Duke pasur parasysh se Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruar për kthim në gjendjen e mëparshme nuk i plotësonte kushtet e përcaktuara nga neni 50 të Ligjit, konsideron se nuk ka nevojë që ajo në vazhdim dhe në kuptimin esencial të paraqesë faktet lidhur me procedurën e kontestuar gjyqësore të zhvilluar para gjykatave të rregullta që ka rezultuar me nxjerrjen e Aktgjykimit të kontestuar [ nr. 245/2019] të Gjykatës Supreme. Prandaj, Gjykata nuk do të paraqesë arsyetimin e shkeljeve të pretenduara të neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së, dhe si rrjedhojë në vazhdim të Aktvendimit nuk do të merret me të në kontekst të shkeljeve të mundshme.
- Bazuar në shtjellimin e mësipërm dhe konkluzionet nga i njëjti se kërkesa për kthim në gjendjen e mëparshme nuk e plotëson kushtin e përcaktuar në nenin 50 të Ligjit, rezulton se kërkesa është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në bazë të nenit 113.7 të Kushtetutës, neneve 20, 49 dhe 50 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c) dhe 59 (2) të Rregullores së punës, më 20 shtator 2022, njëzëri
VENDOS
- TË REFUZOJË kërkesën e parashtruesit për kthim në gjendjen e mëparshme;
- TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
- T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani