Aktvendim për mosmbarim

Informim për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI90/16

Nr. të lëndës KI90/16

Parashtruesit: Branislav Jokić

Shkarko:

Prishtinë, më 2 gusht 2022

Nr. ref.:KK 145/22

 

 

  1. Besim Kelmendi
  2. D. Kryeprokuror i Shtetit

Rr.”Luan Haradinaj”, Nr.100

10000, Prishtinë, Republika e Kosovës

 

 

Lënda: Informim për Mospërmbarim të Aktgjykimit në rastin KI90/16, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, parashtrues: Branislav Jokić, të 5 dhjetorit 2017

 

I nderuari U. D. Kryeprokuror i Shtetit, z. Kelmendi,

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, sipas nenit 112 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

 

Bazuar në paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, vendimet e saj janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Në ndërlidhje me këtë dispozitë kushtetuese, rregulli 66 (Zbatimi i vendimeve) i Rregullores së Punës nr.01/2018 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës gjithashtu përcakton që: (i) të gjitha organet kushtetuese, përfshirë gjykatat e autoritetet tjera, janë të obliguara të respektojnë, të jenë në përputhje dhe të zbatojnë vendimet e Gjykatës, brenda kompetencave të tyre të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj; dhe (ii) të gjithë personat fizikë dhe juridikë janë të obliguar të respektojnë vendimet e Gjykatës dhe t’u përmbahen atyre.

 

Për më tepër, bazuar në paragrafët 6 dhe 7 të rregullit 66 të Rregullores së punës: (i) në rast të moszbatimit të një vendimi ose të vonesës në dhënien e informacioneve për Gjykatën për masat e ndërmarra, Gjykata mund të lëshojë një Aktvendim në të cilin do të theksohet që vendimi nuk është zbatuar dhe të publikojë këtë qëndrim në Gazetë Zyrtare; dhe (ii) të informojë Prokurorin e Shtetit për të gjitha vendimet e Gjykatës që nuk janë zbatuar.

 

Sipas autorizimeve të lartcekura, përmes shkresave gjatë viteve 2014, 2015, 2019 dhe 2021, Kryeprokurori i Shtetit është njoftuar për moszbatimin e Aktgjykimeve të Gjykatës: (i) KI08/09, parashtrues Sindikata e Pavarur e Punonjësve të Fabrikës së Çelikut, IMK, në Ferizaj, Aktgjykim i 17 dhjetorit 2010; (ii) KI112/12, parashtrues Adem Meta, Aktgjykim i 5 korrikut 2013; (iii) KI187/13, parashtruese N. Jovanović, Aktgjykim i 1 prillit 2014; (iv) KI56/09, parashtrues Fadil Hoxha dhe 59 të tjerë kundër Kuvendit Komunal të Prizrenit, Aktgjykim i 22 shtatorit 2010; dhe                 (v) KI132/15, parashtrues Manastiri i Deçanit, Aktgjykim i 19 majit 2016.

 

Bazuar në autorizimet e lartcekura të përcaktuara në Kushtetutë dhe Rregulloren e saj të punës, Gjykata ka bërë rivlerësimin e zbatimit të Aktgjykimeve të saj dhe pas analizës të shkresave përkatëse, gjithashtu ka konstatuar edhe mungesën e konfirmimit të zbatimit të një Aktgjykimi tjetër, dhe përkitazi me të cilin, për pasojë ka nxjerrë Aktvendim për Mospërmbarim dhe për të cilin Ju njoftojë përmes kësaj shkrese.

 

Më saktësisht, më 18 korrik 2022, Gjykata ka nxjerrë Aktvendim për Mospërmbarim lidhur me Aktgjykimin KI90/16, parashtrues: Branislav Jokić, të 5 dhjetorit 2017, ku ka vendosur (i) të konstatojë se Aktgjykimi në rastin KI90/16 nuk është zbatuar plotësisht nga autoritetet përgjegjëse të Republikës së Kosovës; (ii) të publikojë Aktvendimin për Mospërmbarim përkitazi me Aktgjykimin në rastin KI90/16; si dhe (iii) ta njoftojë Prokurorin e Shtetit për nxjerrjen e Aktvendimit për Mospërmbarim lidhur me Aktgjykimin në rastin KI90/16.

 

Në fund, dëshiroj të theksoj se, përtej konstatimit të mospërmbarimit të Aktgjykimit të lartcekur në kundërshtim me nenin 116 të Kushtetutës dhe këtij njoftimi për Prokurorinë e Shtetit, Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për vlerësimin e përgjegjësisë për moszbatimin e Aktgjykimeve të lartcekura nga autoritetet përgjegjëse. I takon Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarr veprimet e mëtejme sipas autorizimeve ligjore, bazuar në Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e plotë të funksionit të saj si gardian i Kushtetutës dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut të përcaktuara në Kushtetutë. Për realizimin e këtyre qëllimeve, Gjykata Kushtetuese mirëpret bashkëpunimin Tuaj, gjithmonë në interes të respektimit të kushtetutshmërisë dhe të parimeve të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.

 

 

Me respekt,

 

 

Gresa Caka-Nimani

Kryetare

 

 

 

Bashkangjitur:

 

  1. Kopja e Aktvendimit për Mospërmbarim të Aktgjykimit KI90/16, të  Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës,  të 18 korrikut 2022.
Parashtruesit:

Branislav Jokić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për mosmbarim