KI03/24, Parashtrues: Agim Reçica, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev.nr. 245/2023], të 24 korrikut 2023
KI03/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 nëntorit 2024, publikuar më 20 dhjetor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e paafatshme
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me faktin që parashtruesi kishte qenë i punësuar për më shumë se 10 vite në Elektronominë e Kosovës, në pozitën si përcjellës i shiritit. Më 19 maj 2017, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër KEK, duke kërkuar kompensim të dëmit material dhe jomaterial, në emër të dëmit të shkaktuar në vendin e tij të punës në vitin 1992. Nga shkresat e lëndës rezulton se në vitin 1992, parashtruesi i kërkesës ishte rrahur nga forcat policore serbe, dhe nga ajo periudhë u pensionua si invalid i punës. Për shkak të kësaj ngjarje, më 19 maj 2017, parashtruesi paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër të KEK, me objekt të padisë kompensimin e dëmit jomaterial të pësuar në vitin 1992 në vendin e tij të punës. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit si të pabazuar, me arsyetimin se megjithëse ishte e vërtetuar që parashtruesi kishte pësuar dhunë nga Policia Serbe në vitin 1992, kërkesa për kompensim dëmi ishte e parashkruar sipas dispozitave të Ligjit mbi marrëdhëniet e detyrimeve (LMD). Gjykata Themelore konstatoi se kërkesa për kompensim dëmi duhej të ishte bërë brenda tre viteve nga data kur parashtruesi kishte mësuar për dëmin dhe për personin përgjegjës për dëmin, ndërsa parashtruesi kishte paraqitur padinë në vitin 2017, pra pas kalimit të 25 viteve. Vendimi i shkallës së parë ishte miratuar nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës i kontestoi konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme duke pretenduar se përmes të njëjtave është shkelur neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij përveç përshkrimit faktik se si ka ndodhur ngjarje, para Gjykatës nuk argumentoi se si ka ardhur deri te shkelja e të drejtave të mbrojtura me Kushtetutë.
Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktgjykimin [Rev.nr. 245/2023] e 24 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme dhe nga fletëkthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, u vërtetua që parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar vendimin e kontestuar më 3 gusht 2023. Parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 3 janar 2024, respektivisht më shumë se katër muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Si përfundim, Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Agim Reçica
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative