Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.2/2023 të 16 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI66/23

Parashtruesit: Veli Commerce Sh.p.k

Shkarko:

KI66/23, Parashtrues: Veli Commerce Sh.p.k, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit E.Rev.nr.2/2023 të 16 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës  

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja thelbësore në rrethanat e rastit konkret, ndërlidhet me pretendimin e parashtruesit të kërkesës lidhur me mos-arsyetim të vendimit gjyqësor të cilin orvatet ta ndërlidhë me shkelje të vendimit res judicata. Nga shkresat e lëndës, rezulton që çështja kishte të bëjë me kontestin ndërmjet palës paditëse “Emona” sh.p.k, me padinë e parashtruar, kundër parashtruesit të kërkesës, për mbrojtjen e markës tregtare “Emona Brand” me figurën e zogut. Në anën tjetër edhe parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar kundërpadi për shkak të kompensimit të dëmit material dhe jo material. Fillimisht Gjykata Themelore aprovoi padinë e kompanisë “Emona sh.p.k” si dhe vërtetoi se parashtruesi i kërkesës, me importimin e mallit “Drini Brand/ Tee”, në sasi prej 24,380 kg, kishte shkelur markën tregtare të paditësit “Emona Brand”. Pas ankesës së paraqitur nga ana e parashtruesit të kërkesës Gjykata e Apelit aprovoi si të themeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e prish Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe i ktheu të njëjtës rastin në rigjykim dhe rivendosje, pasiqë në rastin konkret rezulton se ka bërë tejkalim të kërkesëpadisë. Në rigjykim të çështjes, Gjykata Themelore përsëri aprovoi si të bazuar kërkesëpadinë e kompanisë “Emona Brand”. Ankesën e parashtruesit ndaj vendimit të lartcekur e refuzoi si të pabazuar Dhoma e shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. Përfundimisht, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për revizion të parashtruesit të kërkesës.

Gjykata sqaron që parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar: shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] si rezultat i mungesës së arsyetimit gjyqësor dhe nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mungesë të arsyetimit gjyqësor, Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve relevante të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi dhe kundërpadisë, ankesës dhe kërkesës për revizion, kanë arsyetuar se: (i) vendimi për regjistrimin e markës tregtare, i cili ishte anuluar me një vendim administrativ që më vonë ka rezultuar të jetë i kundërligjshëm, konsiderohet se ka qenë në fuqi, i ekzekutueshëm dhe detyrues për palët që nga dita e nxjerrjes së tij, respektivisht data 25 mars 2014; (ii) Aktgjykimet janë bazuar në dispozitat e Ligjit për Markat Tregtare ku janë përcaktuar kufijtë e mbrojtjes gjyqësore të markës të regjistruar tregtare, e ku përfshihen edhe procedura për konfiskimin dhe shkatërrimin e produkteve; (iii) me vendimin Agjencisë për Pronësi Industriale të 17 gushtit 2018, ka mbet në fuqi vendimi [nr.12629] i 25 marsit 2014, për regjistrimin e markës tregtare i  (me efekt nga data e nxjerrjes së tij), andaj në kohën e shkeljes së ndodhur (korrik – shtator kur janë ndaluar mallrat nga Dogana e Kosovës), rezulton që marka tregtare ka qenë e regjistruar në emër të paditësit, dhe ka prezantuar bazë për të kërkuar mbrojtje gjyqësore; (iv) qëllimi kryesor i Ligjit mbi Markat Tregtare është mbrojtja e konsumatorëve nga konfuzioni ose mashtrimi lidhur me prejardhjen e mallrave, dhe se sipas nenit 8 par. 1, nën. par. 1.2 i Ligjit mbi Markat Tregtare, pronari i një marke të regjistruar nuk ka nevojë të vërtetojë konfuzionin që faktikisht është krijuar nga përdorimi i markës identike ose të ngjashme, por vetëm mundësinë e krijimit të një konfuzioni tek konsumatorët; (v) sa i përket “mosrespektimit të çështjes së gjykuar përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore [C.nr. 422/488/2014] të 20 marsit 2017”, Gjykata vëren që Gjykata Themelore kishte nxjerr këtë Aktvendim për masën e sigurisë të lirimit të mallit nga Dogana  e Kosovës, që mallin e ndaluar t’ia dorëzoj në posedim dhe qarkullim të lirë propozuesit të sigurimit, përkatësisht parashtruesit të kërkesës ‘Veli Commerce”, ndërsa nga arsyetimi i këtij Aktvendimi rezulton se sasia e mallit të liruar ishte 23,660 kg. Prandaj, nga ky Aktvendim nuk ishte vendosur për çështjen kryesore të kërkesëpadisë se a përbën apo jo shkelje të markës tregtare të paditësit, por vetëm ishte liruar sasia e mallit prej 23,660 kg, si masë e përkohshme, rrjedhimisht Aktvendimi [C.nr. 422/488/2014] nuk është “çështje e gjykuar. Rrjedhimisht, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, Gjykata theksoi se pronarët e markës tregtare, mund të kërkojnë që produktet që përbëjnë shkelje të markës tregtare të largohen nga tregu, të konfiskohen apo shkatërrohen me shpenzimet e shkelësit, që në rastin konkret rezulton të jetë parashtruesi i kërkesës, i cili në bazë të vendimeve të gjykatave të rregullta është detyruar edhe të bëjë largimin e produkteve nga tregu. Përfundimisht, Gjykata vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe kërkesa deklarohet e papranueshme, ne pajtim me rregullin 34 (2) te Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Veli Commerce Sh.p.k

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile