Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.220/2024, të 12 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI143/24

Parashtruesit: Shemsedin Zumeri

Shkarko:

KI143/24, Parashtrues: Shemsedin Zumeri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml.nr.220/2024, të 12 prillit 2024, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar

Çështja kyçe në rrethanat e rastit konkret, shpërfaqet në atë që në lidhje me rastin e parashtruesit të kërkesës ishin zhvilluar 2 (dy) procedura: (i) procedura penale me të cilën parashtruesi i kërkesës përmes Aktgjykimit [PKR.nr.03/2021], të Gjykatës Themelore në Gjilan-Departamenti për Krime të Rënda, të 16 prillit 2021, ishte shpallur fajtor për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, i cili Aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit; dhe (ii) procedura për rishikimin e procedurës penale të lartcekur, e cila kishte kulmuar me  Aktgjykimin  [Pml.nr.220/2024], e 12 prillit 2024, të Gjykatës Supreme me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit [PN.nr.1604/2023], të 29 dhjetorit 2023, të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimit [PKR.nr.3/2021], të 9 nëntorit 2023, të Gjykatës Themelore, procedurë këtë të cilë e kontestonte parashtruesi i kërkesës se i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës, nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe nenin 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të GJEDNJ-së, Gjykata sqaroi se: (i) sa i përket pretendimeve për shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,  gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për rishikim të procedurës penale vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për rishikim të procedurës penale plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “ndonjë aktakuzë” të parashtruesit të kërkesës brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, andaj, ky nen nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen ose rishikimin e procedurës dhe rrjedhimisht ky pretendim shpallet i papranueshëm, për shkak se është i papajtueshëm me “ratione materiae” me Kushtetutën, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (3) (b) të Rregullores së punës; ndërsa (ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i shpalli të papranueshme si qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese, në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Shemsedin Zumeri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale