Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. Nr. 550/2023, të 17 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI92/24

Parashtruesit: Reshad Zherka dhe Xhelal Zherka

Shkarko:

KI92/24, Parashtrues Reshad Zherka dhe Xhelal Zherka, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. Nr. 550/2023, të 17 nëntorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI92/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 2 tetor 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë për rishikimin e procedurës penale, ratione materiae

Rrethanat e rastit ndërlidhen me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, me të cilin Gjykata Supreme e refuzoi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë përkitazi me refuzimin e kërkesës së parashtruesve për rishikim të procedurës penale. Në vitin 2013, me Aktgjykim të Gjykatës Themelore në Pejë, i cili mori formë të prerë në vitin 2016, parashtruesit e kërkesës ishin dënuar me dënim unik secili me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj. Më 5 janar 2022, parashtruesit e kërkesës paraqitën kërkesë për rishikimin e procedurës së lartcekur penale, e cila kërkesë u hodh poshtë nga po kjo gjykatë më 11 maj 2022, me arsyetimin se ishte e pasafatshme. Sipas ankesës së parashtruesve, Gjykata e Apelit më 10 qershor 2022, ktheu çështjen në rivendosje. Në procedurë të rivendosjes, më 3 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Pejë refuzoi kërkesën për rishikim të procedurës penale të parashtruesve në merita, i cili aktvendim u vërtetua nga gjykatat e rregullta, respektivisht, edhe nga Gjykata e Apelit më 20 janar 2023, si dhe Gjykata Supreme më 17 nëntor 2023 përmes Aktgjykimit të kontestuar.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës pretenduan se iu është shkelur e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për faktin se: (i) janë gjykuar nga një gjyqtar ndërkombëtar, i cili sipas tyre nuk ka qenë asnjëherë gjyqtar në shtetin prej nga vjen, dhe se (ii) kolegjet në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme ishin përbërë nga gjyqtarët ndërkombëtar dhe jo vendor siç e kërkonte legjislacioni në fuqi.

Në aktvendimin e publikuar, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të saj dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykata sqaroi se gjykatat e rregullta në procedurën sipas kërkesës për rishikim të procedurës penale vendosin vetëm lidhur me çështjen nëse kërkesa për rishikim të procedurës penale plotëson kushtet procedurale për miratimin e saj, dhe jo për “ndonjë aktakuzë” të parashtruesve të kërkesës, brenda kuptimit të së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, andaj, ky nen nuk është i zbatueshëm në procedurat për përsëritjen ose rishikimin e procedurës dhe rrjedhimisht ky pretendim u shpall i papranueshëm, për shkak se është i papajtueshëm “ratione materiae” me Kushtetutën, siç përcaktohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 34 (3) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Reshad Zherka dhe Xhelal Zherka

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale