KI139/23, Parashtrues: Gjylshahe Hysenaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Urdhërit [P.nr.89/2018] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat Fatos Shatri në lidhje me Aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit
KI139/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 27 shtator 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e paafatshme
Rrethanat e rastit konkret rezultojnë se më 30 korrik 2006 parashtruesja e kërkesës si debitore e dytë së bashku me debitorët H.B, B.B dhe XH.B, kishin nënshkruar marrëveshjen mbi kredinë Nr.16245 në vlerë prej 11, 000.00 (njëmbëdhjetë mijë) euro me kreditorin Procredit Bank. Meqenëse debitorët nuk i kishin përmbushur obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e lartpërmendur, me ç ‘rast kreditori përmes përfaqësuesit të tij Debt Loan Recovery Shpk e kishte njoftuar kredimarrësin se do ti ndërmarrë të gjitha masat ligjore kundër tyre, dhe më pas kreditori i kishte propozuar përmbaruesit privat që të nxjerrë urdhër për përmbarim. Përmbaruesi privat kishte lejuar përmbarimin. Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur kërkesë për ndërprerjen e përmbarimit në Gjykatën Themelore, ku kjo e fundit e kishte refuzuar kërkesën e saj dhe kishte caktuar si përfaqësuese të përkohshme për debitorin H.B, tani i ndjerë. Parashtruesja e kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të gjykatës themelore, e cila ankesë ishte refuzuar. Përmbaruesi privat kishte nxjerrë konkluzion për shitjen e paluajtshmërisë dhe kishte vendosur që të shitet paluajtshmëria. Kundër urdhërit të përmbaruesit privat kishte paraqitur ankesë parashtruesja e kërkesës. Gjykata e Apelit e kishte refuzuar ankesën e saj.
Parashtruesja e kërkesës pretendoi se përmes urdhërit të kontestuar të Përmbaruesit Privat i janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë, mirëpo pa specifikuar se cilat të drejta i janë shkelur.
Gjykata rikujtoi që parashtruesja e kërkesës e konteston Urdhërin [P.nr.89/18] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat. Nga dosja e lëndës Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës ka ndërmarrë hapa tjerë ligjor në gjykatat e rregullta kundër urdhërit në fjalë, ku si hap i fundit është kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë drejtuar Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë së Shtetit. Gjykata vëren se bazuar në nenin 68 të Ligjit Nr.04/L-139 për Procedurën Përmbarimore nuk është e paraparë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë si mjet i jashtëzakonshëm.
Gjykata vërejti se vendimi i fundit lidhur me këtë procedurë është aktvendimi [CA.nr.574/2020] i 21 tetorit 2020 i Gjykatës së Apelit. Nga fletëkthesa e cila ndodhet në dosjen e lëndës, vërtetohet që parashtruesja e kërkesës aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit, e ka pranuar më 6 janar 2021. Parashtruesja e kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e saj në Gjykatë më 21 qershor 2023, më shumë se 4 muaj pas pranimit të vendimit të fundit, përkatësisht aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Vendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtrueses së kërkesës.
Gjylshahe Hysenaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit