Prishtinë, më 26 shtator 2024
Nr. Ref.: RK 2532/24
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI139/23
Parashtrues
Gjylshahe Hysenaj
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Urdhërit [P.nr.89/2018] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat Fatos Shatri në lidhje me Aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Gjylshahe Hysenaj, nga komuna e Gjakovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesja e kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesja e kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Urdhërit [P.nr.89/2018] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat Fatos Shatri (në tekstin e mëtejmë: Urdhëri i Përmbaruesit Privat) në lidhje me aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Urdhërit të Përmbaruesit Privat në lidhje me aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit pretendohet se parashtrueses së kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, mirëpo pa specifikuar se cilat të drejta i janë shkelur.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme], dhe paragrafin 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara], të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa Individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Me 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 21 qershor 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 27 qershor 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [Nr.GJR.KI139/23] caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi Gjyqtar raportues dhe përmes Vendimit [Nr.KSH.KI139/23] caktoi Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzie Istrefi Peci, anëtarë.
Më 28 korrik 2023, Gjykata njoftoi parashtruesen e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të specifikojë saktë vendimin e autoritetit publik të cilin e konteston, të cekë cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe të bashkëngjis vendimin e fundit të kontestuar sëbashku me vendimet tjera apo dokumentet e nevojshme që kanë të bëjnë me kërkesën.
Më 31 korrik 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë lidhur me rastin, në të cilat kishte bashkangjitur një certifikatë vdekje të personit H.B dhe Propozimin për Përmbarim.
Më 10 gusht 2023, parashtruesja e kërkesës dorëzoi në Gjykatë një shkresë së bashku me disa dokumente të cilat veç i kishte dorëzuar me datën 31 korrik 2023. Në shkresën e bashkangjitur ndër të tjera theksoi “Me anën e kësaj Certifikate kërkoj nga Gjykata Kushtetuese e Republikës se Kosovës, Shfuqizimin dhe Anulimin e Propozimit për Përmbarim për realizimin e Kreditit monetar ne vlere aktuale prej 12.094 euro, te datës 02.03.2018. Shfuqizimin dhe Anulimin e Urdhërit për Përmbarim P.nr.89/2018 te datës 02,03.2018 ,si te palejueshëm dhe kundërkushtetues për arsye se ne veprimet përmbarimore të Përmbaruesit Privat Fatos Shatri, personi i vdekur nuk mund te jete pale ne procedure dhe se kjo shkelje është dashtë te evitohet sipas Certifikatës se Vdekjes, veprimet konsiderohen te palejuara dhe nuk paraqesin efekt juridik e për të cilin sipas detyrës zyrtare është dashur te kujdeset gjyqtari i çështjes por edhe Përmbaruesi Privat Fatos Shatri”.
Më 11 gusht 2023, Gjykata e njoftoi lidhur me regjistrimin e kërkesës Përmbaruesin Privat.
Më 1 shtator 2023, Përmbaruesi Privat dorëzoi në Gjykatë disa dokumente shtesë lidhur me rastin, duke përfshirë disa vendime të gjykatave dhe vendime të tij.
Më 10 tetor 2023, Gjykata i dërgoi një shkresë Gjykatës Themelore në Gjakovë, dhe kërkoi dorëzimin e dosjes së plotë të lëndës.
Më 11 tetor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë një pjesë të dosjes së lëndës.
Më 27 tetor 2023, Gjykata Themelore dorëzoi në Gjykatë dosjen e plotë të lëndës.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 4 shtator 2024, Gjykata shqyrtoi raportin paraprak të propozuar nga Gjyqtari raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhje e fakteve
Nga shkresat e rastit rezulton se më 30 korrik 2006 parashtruesja e kërkesës si debitore e dytë së bashku me debitorët H.B, B.B dhe XH.B, kishin nënshkruar marrëveshjen mbi kredinë Nr.16245 në vlerë prej 11, 000.00 (njëmbëdhjetë mijë) euro me kreditorin Procredit Bank.
Meqenëse debitorët nuk i kishin përmbushur obligimet që rrjedhin nga marrëveshja e lartpërmendur, me ç ‘rast kreditori përmes përfaqësuesit të tij Debt Loan Recovery Shpk e kishte njoftuar kredimarrësin se do ti ndërmarrë të gjitha masat ligjore kundër tyre, dhe më pas kreditori i kishte propozuar përmbaruesit privat që të nxjerrë urdhër për përmbarim.
Më 2 mars 2018 Përmbaruesi Privat përmes urdhërit [P.nr.89/2018] kishte lejuar përmbarimin sipas propozimit të kreditorit Procredit Bank me seli në Prishtinë, bazuar në dokumentin përmbarimorë, hipotekë dhe të vulosura nga kreditori.
Më 12 mars 2018, parashtruesja e kërkesës, kishte dorëzuar prapësim/kërkesë për ndërprerjen e procedurës përmbarimore në Gjykatën Themelore, për shkak të vdekjes së debitorit, në pajtim me nenin 35 paragrafi 2 të Ligjit nr.04/L-139 për Procedurën Përmbarimore.
Më 19 mars 2018, Përmbaruesi Privat paraqiti përgjigje në prapësim.
Më 21 maj 2018, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [PPP.nr.29/2018] vendosi: (i) refuzoi si të pabazuar kërkesën për pezullim të procedurës përmbarimore P.nr.89/18 të Përmbaruesit Privat; (ii) caktohet përfaqësuese e përkohshme për debitorin e përmbarimit H.B, tani i ndjerë, debitori i dytë bashkëshortja Gjylshahe Hysenaj nga Gjakova; (iii) përfaqësuesja e përkohshme i ka të gjitha të drejtat dhe detyrat e përfaqësuesit ligjor në kuptim të nenit 82 të LPK-së; (iv) ky aktvendim do shpallet në tabelën e shpalljeve të gjykatës dhe të përmbaruesit privat, si dhe në ndonjë mënyrë tjetër sipas bindjes së Përmbaruesit Privat.
Më 29 maj 2018, parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës përmbarimore, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozimin që Gjykata e Apelit aktvendimin e atakuar ta prish dhe çështja ti kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.
Më 3 gusht 2018, Gjykata e Apelit përmes aktvendimit [Ac.nr.2901/18] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtrueses së kërkesës ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore [PPP.nr.29/18] të 21 majit 2018 e vërtetoi.
Më 4 tetor 2019, pasi që debitorët nuk kishin përmbushur detyrimin, Përmbaruesi Privat kishte nxjerrë konkluzion mbi shitjen e paluajtshmërisë lëndore, përkatësisht “ngastra kadastrale nr.2539/5 ne sipërfaqe prej 00-00-26 ha , me kulture Shitore-Dyqan, Z.K. Gjakove - Qytet nr.70705029, numri i fletës poseduese me nr.796, me pronar Him (Jahir) Bytyqi, me përfaqësues Gjylshahe Hysenaj e caktuar sipas aktvendimit PPP.nr.29/2018 i dt.21.05.2018 i Gjykatës Themelore Gjakove. Vlera e kësaj paluajtshmërie sipas vlerësimit te ekspertit kap shumen prej 15.000.00 ( pesëmbëdhjetë mijë ) euro, përkatësisht 576.92 euro për ari”. Shitja publike ishte caktuar për datën 4 nëntor 2019 në ora 10:00 në zyrën e Përmbaruesit Privat.
Më 4 nëntor 2019, në seancën e parë publike, pasi u konstatua se janë plotësuar kushtet procedurale për mbajtjen e ankandit dhe pasi që u konstatua se nuk kishte asnjë ofertues tjetër për blerjen e paluajtshmerive lëndore, blerësi A.R, oferton si ofertues i vetëm për blerjen e paluajtshmërisë lëndore dhe ofron çmimin e përgjithshëm prej 11.909.00 euro (njëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e nëntë euro), dhe Përmbaruesi Privat kishte nxjerrë konkluzion me të cilin paluajtshmëria lëndore i ishte shitur blerësit me çmimi e lartpërmendur.
Më 2 dhjetor 2019, Përmbaruesi Privat përmes urdhërit [P.nr.89/2018] vendosi si në vijim:
Shitet pasuria e paluajtshme Shitore-Dyqan e cila gjendet ne zonën kadastrale Z.K.. Gjakovë - Qytet e evidentuar sipas fletës poseduese nr. 796, numri i parcelës P-70705029-02539-5 ne sipërfaqe prej 26 m2, blerësit Avdyl Rrustemi nga Gjakova për shumën e përgjithshme prej 11.909.00 euro, e cila paluajtshmëri do të regjistrohet në librat kadastral pranë DGJK në Gjakovë, në pronësi të blerësit Avdyl Rrustemi nga Gjakova, pas plotfuqishmërisë së këtij urdhëri e njëjta do t'i dorëzohet në posedim faktik.
Paluajtshmëria e përshkruar në pikën I të këtij Urdhëri i shitet blerësit Avdyl Rrustemi, nga Gjakova, sipas kushteve mbi bazën e konkluzionit për shitjen publike te datës 04.11.2019, për çmimin e përgjithshëm prej 11.909.00 euro;
Detyrohet Debitori dhe gjithë mbajtësit e tjerë që kreditorit të ia lirojnë paluajtshmërinë lëndore nga njerëzit dhe sendet e tyre që ndodhen në to dhe të ia dorëzojë atë paluajtshmëri në posedim;
Shërbimi pronësoro juridik pranë Drejtorisë Komunale për Kadastër Gjeodezi - dhe Pronë në Komunën e Gjakovës do të bëjë fshirjen e të drejtës së pronësisë nga debitori A.Rr dhe paluajtshmërinë nga pika I e këtij Urdhëri do ta regjistroj si pronë në emër të kreditorit, blerësit Avdyl Rrustemi, të gjitha këto ne afat prej 7 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë.
Më 10 dhjetor 2019, parashtruesja e kërkesës kishte parashtruar ankesë kundër Urdhërit [P.nr.89/18] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat, për shkak të cenimit qenësor të procedurës, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të dispozitave materiale, me propozimin që të aprovohet ankesa dhe të abrogohet urdhëri [P.nr.89/18] i 2 dhjetorit 2019 i Përmbaruesit Privat.
Më 16 dhjetor 2019, kreditori Procredit bank i përfaqësuar nga Debt Loan Recovery Shpk, kishte paraqitur përgjigje në ankesë, me propozimin që të hedhet poshtë si e pabazë ankesa e parashtrueses së kërkesës.
Më 21 tetor 2020, Gjykata e Apelit përmes aktvendimit [CA.nr.574/2020] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtrueses së kërkesës, dhe vërtetoi aktvendimin [PPP.nr.29/2018] të Gjykatës Themelore.
Pretendimet e parashtrueses së kërkesës
Parashtruesja e kërkesës pretendon se përmes urdhërit të kontestuar të Përmbaruesit Privat i janë shkelur të drejtat e garantuara me Kushtetutë, mirëpo pa specifikuar se cilat të drejta i janë shkelur.
Parashtruesja e kërkesës tutje thekson se “ na është shkelur e drejta kushtetuese shitja e paluajtshmërisë së personit H.B i cili ka ndërruar jetë më 26.12.2008, ndërsa procedurat e ankandit të shitjes së pronës janë zhvilluar pa trashëgimtarë ligjorë sepse nuk ka qenë e kryer trashëgimia në pasardhësit legjitim ligjor, ... sepse asnjë nga pasardhësit legjitim nuk janë njoftuar në formë të rregullt as në ankand po edhe asnjëherë me veprimet e përmbaruesit privat Fatos Shatri”.
Më tej parashtruesja e kërkesës pohon se “ sepse asnjëherë pasardhësit legjitim nuk janë njoftuar në formë të rregullt as në ankand por edhe përpara asnjëherë me veprimet e përmbaruesit privat [...] në afatin e rregullt ligjor kemi bërë propozim në Gjykatën Supreme të Kosovës e atë nga data 07.02.2021 që është parashtruar dhe ende nuk kemi marrë përgjigje”.
Në fund parashtruesja e kërkesës nga Gjykata kërkon: “shfuqizimin dhe anulimin e propozimit të përmbaruesit privat, shfuqizimin dhe anulimin e urdhërit për përmbarim , si të palejueshëm dhe kundërkushtetues për arsye se në veprimet përmbarimore të përmbaruesit privat, personi i vdekur nuk mund të jete palë në procedurë dhe se kjo shkelje është dashtë të evitohet sipas certifikatës së vdekjes, veprimet konsiderohen të palejuara dhe nuk paraqesin efekt juridik e për të cilin sipas detyrës zyrtare është dashur të kujdeset gjyqtari i çështjes por edhe përmbaruesi privat” .
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
LIGJI NR. 04/L-139 PËR PROCEDURËN PËRMBARIMORE
Mjetet Juridike
Neni 67
Mjetet e rregullta juridike
1. Në procedurën përmbarimore, mjetet e rregullta të goditjes janë:
1.1. Prapësimi dhe
1.2. Ankesa.
Neni 68
Mjetet e jashtëzakonshme juridike
1. Nuk është i lejuar revizioni dhe përsëritja e procedurës në procedurën përmbarimore.
2. Kthimi në gjendjen e mëparshme është i lejuar vetëm në rastet e mos ruajtjes së afateve për paraqitjen e prapësimit dhe ankesës kundër vendimeve të përmbarueshëm për përmbarimin me dhunë.
Neni 69
Prapësimi kundër vendimeve për përmbarim
1. Prapësimi mund të paraqitet vetëm kundër vendimeve të organit përmbarues me të cilin përmbarimi është i lejuar.
2. Prapësimi duhet të paraqitet me shkrim, në Gjykatën themelore e cila ka lëshuar vendimin përmbarues kundër të cilit prapësimi është paraqitur kur organi përmbarues është Gjykata.
3. Prapësimi duhet të paraqitet me shkrim në Gjykatën themelore, siç është përcaktuar me paragrafin 5. të nenit 5 të këtij ligji kur organin përmbarues është përmbaruesi privat.
4. Baza për prapësim duhet të mbështetet me prova të duhura. Provat për prapësimin duhet të dorëzohen me shkrim, përndryshe prapësimi do të refuzohet.
5. Prapësimi kundër vendimit përmbarues ose urdhrit përmbarues mund të paraqitet ekskluzivisht sipas dispozitave të nenit 71 të këtij ligji.
6. Prapësimi do të përmbaj të dhënat e vendimit përmbarimor kundër të cilit është bërë ankesa, arsyet e prapësimit dhe nënshkrimin e debitorit.
7. Vendimi me të cilin refuzohet propozimi për përmbarim mund të goditet vetëm me ankesë të kreditorit të përmbarimit në pajtim me nenin 77 të këtij ligji.
Neni 70
Afatet ligjore për paraqitjen e prapësimit
Prapësimi duhet t’i paraqitet Gjykatës brenda shtatë (7) ditëve pas pranimit të vendimit përmbarues ose urdhrit përmbarues.
Neni 79
Ankesat kundër parregullsive me rastin e kryerjes së përmbarimit
1. Pala ose pjesëmarrësi tjetër në procedurë mund të parashtrojë një ankesë në Gjykatë, lidhur me parregullsitë që janë kryer nga organi përmbarues gjatë kryerjes së procedurës së përmbarimit. Kjo kërkesë i bëhet Gjykatës me një parashtresë me shkrim në afat prej shtatë (7) ditësh nda dita e ndodhjes së parregullsisë së pretenduar.
2. Sipas kërkesës nga paragrafi 1. i këtij neni, nëse parashtruesi e ka propozuar këtë, Gjykata nxjerr vendimin brenda tre (3) ditësh nga dita e dorëzimit të parashtresës.
3. Palët ose pjesëmarrësit tjerë në procedurë kanë të drejtë ankese kundër vendimit të përmendur në paragrafin 2. të këtij neni në pajtim me dispozitat e nenit 77 të këtij ligji.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë, të parashikuara me Ligj dhe të specifikuara më tej me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet nenit 113, paragrafët 1 dhe 7 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Për më tepër, Gjykata gjithashtu i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç janë të përcaktuara me Ligj. Në këtë drejtim, Gjykata i referohet neneve 47 [Kërkesa individuale], 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund ta ngritë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajsh. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor...”.
Përveç kësaj, Gjykata do të shqyrtojë nëse parashtruesja e kërkesës i ka përmbushur, gjithashtu, kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara në rregullin 34 [Kriteret e pranueshmërisë] të Rregullores së punës, përkatësisht me paragrafët 1, pika (c) të rregullit 34 të Rregullores, që përcakton:
“ (1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
(...)
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata fillimisht thekson se parashtruesja e kërkesës është palë e autorizuar, e cila konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Urdhërin [P.nr.89/18] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat në lidhje me aktvendimit [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesja e kërkesës e konteston Urdhërin [P.nr.89/18] të 2 dhjetorit 2019 të Përmbaruesit Privat. Nga dosja e lëndës Gjykata vërejti se parashtruesja e kërkesës ka ndërmarrë hapa tjerë ligjor në gjykatat e rregullta kundër urdhërit në fjalë, ku si hap i fundit është kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë drejtuar Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë së Shtetit. Gjykata vëren se bazuar në nenin 68 të Ligjit Nr.04/L-139 për Procedurën Përmbarimore nuk është e paraparë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë si mjet i jashtëzakonshëm.
Gjykata vëren se vendimi i fundit lidhur me këtë procedurë është aktvendimi [CA.nr.574/2020] i 21 tetorit 2020 i Gjykatës së Apelit. Nga fletëkthesa e cila ndodhet në dosjen e lëndës, vërtetohet që parashtruesja e kërkesës aktvendimin [CA.nr.574/2020] të 21 tetorit 2020 të Gjykatës së Apelit, e ka pranuar më 6 janar 2021. Parashtruesja e kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e saj në Gjykatë më 21 qershor 2023, më shumë se 4 muaj pas pranimit të vendimit të fundit, përkatësisht aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtrueses së kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, me parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, me parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, të 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Vendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtrueses së kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c), dhe 48 (1) (b) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2024, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Gjylshahe Hysenaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit