KI224/23, Muhamet Asllani, Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [C. nr. 129/03] të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të 25 korrikut 2014
KI224/23, Vendim për refuzim të kërkesës
Fjalët kyçe: tejzgjatje e procedurës; autorizim specifik; refuzim i kërkesës;
Parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë në Gjykatë me pretendimin se është përfaqësues i autorizuar i personit U.A. dhe vepron në emër të tij. Në shkresat e lëndës e bashkëngjiti një autorizim të përgjithshëm të vitit 2006, përmes së cilës U.A., e kishte autorizuar parashtruesin e kërkesës ta përfaqësonte pranë Gjykatës Komunale në Gjakovë. Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës ta dorëzonte autorizimin specifik që dëshmonte se është përfaqësues i autorizuar i U.A.-së pranë Gjykatës dhe vepron në emër të tij. Parashtruesi i kërkesës nuk e dorëzoi dokumentin e kërkesës. Gjykata përsëri ia kërkoi parashtruesit të kërkesës autorizimin specifik, mirëpo kësaj radhe parashtruesi i kërkesës e ridërgoi autorizimin që gjendej në shkresat e lëndës.
Gjykata ritheksoi se kur pala e dorëzon kërkesën nëpërmjet përfaqësuesit, kërkohet autorizimi i vlefshëm për përfaqësim në Gjykatë. Sipas rregullit 25 (2) (c) të Rregullores së punës, kërkesa duhet të përmbajë edhe autorizimin për përfaqësim. Bazuar në rregullin 54 (2) (a) të Rregullores së punës, Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojë atë. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës nuk iu përgjigj kërkesave për plotësimin e kërkesës dhe në mungesë të autorizimit Gjykata e refuzoi kërkesën me procedurë të shkurtër.
Muhamet Asllani, si përfaqësues i pretenduar i U.A.
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile