Prishtinë, më 9 gusht 2024
Nr. ref.: RK 2506/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI224/23
Parashtrues
Muhamet Asllani, si përfaqësues i pretenduar i U.A.
Kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [C. nr. 129/03] të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të 25 korrikut 2014
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar,
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Muhamet Asllani, i cili pretendon se është përfaqësues i U. A. me vendbanim në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës).
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e tejzgjatjes së procedurës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjakovë, përkitazi me lëndën [C. nr. 129/03].
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së tejzgjatjes së procedurës gjyqësore, për të cilën parashtruesi i kërkesës pretendon shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 [Procedimi i kërkesës] dhe 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 16 tetor 2023, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë Gjykata).
Më 22 tetor 2023, Kryetarja e Gjykatës me Vendimin nr. GJR. KI224/23 caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi, gjyqtar raportues dhe me Vendimin KSH. KI224/23 caktoi anëtarët e Kolegjit shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 25 tetor 2023, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që, në cilësinë e përfaqësuesit të dorëzonte në Gjykatë autorizimin specifik për përfaqësim në Gjykatë, në afatin prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh.
Më 28 tetor 2023, parashtruesi i kërkesës e pranoi shkresën njoftuese të Gjykatës.
Parashtruesi i kërkesës nuk dorëzoi në Gjykatë dokumentin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 14 maj 2024, Gjykata kërkoi përsëri nga parashtruesi i kërkesës të dorëzonte autorizimin specifik që dëshmonte se ishte përfaqësues i autorizuar i personit U.A., në afatin prej 7 (shtatë) ditësh.
Më 19 qershor 2024, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi në Gjykatë një dokument shtesë (autorizim të përgjithshëm).
Më 17 korrik 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës refuzimin e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Më 22 prill 1996, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Gjykatën Komunale në Gjakovë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Komunale) kërkesëpadi për vërtetim të pronësisë kundër të paditurve H. A., S. A., F. A., G. A. dhe Komunës së Gjakovës. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se është pronar i ngastrës kadastrale në sipërfaqe prej 3-12-96 ha, dhe kërkonte nga të paditurit që pronën në fjalë ta bartnin në emrin e tij.
Më 11 tetor 2007, parashtruesi i kërkesës dorëzoi shkresë në Gjykatën Komunale, nëpërmjet së cilës kërkonte që kontesti të trajtohej në kohë më të shpejtë.
Më 25 korrik 2014, Gjykata Themelore nëpërmjet Aktgjykimit [C. nr. 129/03] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës si të pathemeltë.
Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Më 25 nëntor 2019, Gjykata e Apelit nëpërmjet Aktvendimit [Ac. nr. 3201/2014] e aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe ktheu çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës thekson se procedura gjyqësore në këtë rast është tejzgjatur dhe se sipas tij, kjo është në kundërshtim me të drejtën për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor, të garantuar nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
[...]
Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Neni 6
(E drejta për një proces të rregullt gjyqësor)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij [...].
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të parashikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, që përcakton:
Neni 113
[Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara]
1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
Gjykata i referohet nenit 21 [Përfaqësimi] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, i cili parasheh:
“Palët gjatë procesit para Gjykatës Kushtetuese përfaqësohen vet ose nga një përfaqësues i autorizuar nga pala”.
Gjykata i referohet rregullit 25 dhe 54 të Rregullores së punës, që parashohin si në vijim:
Rregulli 25
[Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve]
[...]
(2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:
(c) autorizimin për përfaqësim;
Rregulli 54
[Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës]
[...]
(2) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
(a) kërkesa është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës ose kërkesave nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojë ose të qartësojë kërkesën;
Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës pretendon që është përfaqësues i autorizuar i U.A.-së dhe kërkesën e ka dorëzuar në emër të tij. Në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës e ka bashkangjitur një autorizim të përgjithshëm të vitit 2006, përmes së cilës U.A., e autorizonte parashtruesin e kërkesës ta përfaqësonte pranë Gjykatës Komunale në Gjakovë.
Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që të dorëzonte autorizimin specifik që dëshmon se ai është përfaqësues i autorizuar i U.A.-së pranë Gjykatës dhe kërkesën e ka dorëzuar në emër të tij. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës nuk e dorëzoi në Gjykatë autorizimin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh.
Gjykata bëri një përsëritje të kërkesës për parashtruesin e kërkesës në lidhje me dorëzimin e autorizimit specifik dhe ia dha një afat shtesë prej 7 (shtatë) ditësh. Mirëpo, as në herën e dytë parashtruesi i kërkesës nuk e dorëzoi në Gjykatë autorizimin specifik por vetëm e ridërgoi autorizimin e përgjithshëm që gjendej në shkresat e lëndës.
Gjykata thekson se kërkesat në Gjykatë mund të dorëzohen personalisht nga palët apo nga përfaqësuesit e tyre. Në rastin kur pala e dorëzon kërkesën nëpërmjet përfaqësuesit, kërkohet autorizimi i vlefshëm për përfaqësim në Gjykatë (shih, rastet e Gjykatës, KI07/16, parashtrues Rifat Abdullahi, Vendim për refuzim të kërkesës i 14 korrikut 2016, paragrafët. 20-23; KI137/20, parashtrues Ali Latifi si përfaqësues i pretenduar i M.S., Vendim për refuzim të kërkesës i 11 nëntorit 2020, paragrafët. 21-22).
Gjykata thekson se bazuar në rregullin 25 (2) (c) të Rregullores së punës, kërkesa ndër të tjera duhet të përmbajë edhe autorizim për përfaqësim. Ndërkaq, rregulli 54 (2) (a) i Rregullores së punës përcakton që Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojë atë.
Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës refuzohet me procedurë të shkurtër për shkak se është jo e plotë, në mungesë të autorizimit.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 113 të Kushtetutës, me nenin 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 25 (2) (c) dhe 54 (2) (a) të Rregullores së punës, më 17 korrik 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve dhe, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit, ta publikojë në Gazetën Zyrtare;
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Muhamet Asllani, si përfaqësues i pretenduar i U.A.
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile