Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I.-21-0331-A0001] të 1 qershorit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI132/23

Parashtruesit: Ruzhdi Behluli

Shkarko:

KI132/23, Parashtrues Ruzhdi Behluli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AC-I.-21-0331-A0001] të 1 qershorit 2023, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme

KI132/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes, barazia e armëve, seancë dëgjimore

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me ankesën e parashtruesit të kërkesës pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ku kishte kërkuar (i) dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të kontratës së punës; (ii) kompensim të pagave të papaguara për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013, si dhe (iii) kompensim në vlerën e 3 (tri) pagave mujore për periudhë të pacaktuar. Më 23, 30 mars dhe 3 prill të vitit 2015, Autoriteti i Likuidimit të AKP-së përmes tri vendimeve të veçanta refuzoi të tria kërkesat e parashtruesit të kërkesës. Më 24 prill 2015, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përmes të cilës kërkoi që: (i) të aprovohet kërkesëpadia e tij; (ii) të ndryshohet Vendimi [PRZ 0009-0206], i 30 marsit 2015 i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, përmes të cilit ishte refuzuar kërkesa e tij; si dhe (iii) të urdhërohet Agjencia Kosovare e Privatizimit që t’ia kompensojë pagat e papaguara parashtruesit të kërkesës për periudhën kohore 2004-2013. Pastaj, më 2 prill 2021, Agjencia Kosovare e Privatizimit dorëzoi përgjigje në padinë e parashtruesit të kërkesës me propozim që e njëjta të refuzohet. Tutje, më 7 maj 2021, Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme përmes Aktgjykimit [C-IV-15-0545] refuzoi si të pabazuar padinë e parashtruesit të kërkesës, aktgjykim i cili sipas ankesës së tij u prish nga Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, më 1 qershor 2023 përmes Aktgjykimit [AC-I-21-0331-A0001], dhe e obligoi Agjencinë Kosovare të Privatizimit që parashtruesit të kërkesës, t’ia paguajë shumën prej 495.96 € (katërqind e nëntëdhjetë e pesë euro e nëntëdhjetë e gjashtë cent) në emër të tre pagave të papaguara. Në të dyja instancat, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk kishte mbajtur seancë dëgjimore, për të cilën ofroi arsyetim në aktgjykimet përkatëse.

Parashtruesi i kërkesës, në kuadër garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, në esencë, pretendoi (i) shkeljen e parimit të barazisë së armëve, kur nuk ia dërgoi atij përgjigjen në padi të palës kundërshtare, respektivisht Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për të dhënë kundërpërgjigje, gjë që sipas tij, ishte e paraparë me legjislacionin në fuqi; si dhe (ii) shkeljen e të drejtës për seancë dëgjimore, në lidhje me të cilën theksoi se Kolegji i Apelit i DHGJPS-së pa dhënë arsyetim për heqjen dore nga caktimi i seancës dëgjimore, e ndryshoi vendimin e Kolegjit te Specializuar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme. Ai po ashtu, në kërkesën e tij, theksoi se Kolegji i Specializuar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme nuk lëshoi urdhër për rregullimin dhe plotësimin e padisë duke shkelur kështu dispozitat procedurale të Ligjit për DHPGJS për Çështjet në lidhje me AKP-në.

Përkitazi me pretendimin për shkeljen e parimit të barazisë së armëve, pasi që shtjelloi parimet e bazuara në praktikën e saj dhe të GJEDNJ-së për këtë çështje, si dhe dispozitat relevante të legjislacioni në fuqi, Gjykata vlerësoi se në dritën e rrethanave të rastit konkret, rezulton se nuk është e dosmosdoshme që paditësit, në këtë rast parashtruesit të kërkesës, t’i dërgohet përgjigja në padi e palës kundërshtare në mënyrë që ai të kundërpërgjigjet. Për pasojë, Gjykata pretendimin e tillë, e shpalli të papranueshëm si qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në kategorinë e pretendimeve për “mungesë evidente të shkeljes”.

Ndërsa, përkitazi me pretendimin për mos mbajtjen e seancës dëgjimore, pasi që shtjelloi parimet e bazuara në praktikën e saj dhe të GJEDNJ-së për këtë çështje, Gjykata vlerësoi se procedurat e zhvilluara pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme: i) nuk ngritin ndonjë çështje të ndërlikueshmërisë së posaçme çka do ta bënte mbajtjen e seancës dëgjimore të domosdoshme, ndër të tjera, për faktin se me Aktgjykimin e kontestuar, e njëjta e aprovoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë;  si dhe (ii) nga natyra e rastit rrjedhë se të Kolegji i Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, bazuar mbi parashtresat dhe materialet me shkrim, ka zgjidhur rastin në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës në kërkesëpadinë e tij kishte kërkuar shprehimisht që të shfuqizohet vetëm njëri vendim i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në fund, përkitazi me pretendimin se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme nuk lëshoi urdhër për rregullimin dhe plotësimin e padisë duke shkelur kështu dispozitat procedurale të legjislacionit në fuqi, duke u bazuar në praktikën e saj gjyqësore, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës ngriti pretendime të përgjithësuara, pa saktësuar të drejtat kushtetuese, të cilat ai pretendon se i janë cenuar, dhe pa qartësuar faktet që arsyetojnë pretendimet konkrete, andaj, këtë pretendim e shpalli të papranueshëm në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës në tërësi janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me pikën d të paragrafit 1 dhe paragrafin 2 të rregullit 34 të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Ruzhdi Behluli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile