KI38/24, Parashtrues: Rexhep Vrapca, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 38/23] të 6 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme
KI38/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 16 korrikut 2024, publikuar më 20 gusht 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë nga një kontest pronësor ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe vëllezërve të tij. Vëllezërit e parashtruesit të kërkesës kishin parashtruar padi së bashku me kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës, me objekt kontesti vërtetimin e pronësisë lidhur me pronën P- 71409044-01964-2, në vendin e quajtur “Varosh”, e cila është në sipërfaqe të përgjithshme prej 656m2 ZK Lipjan, të cilët pretendonin se këtë pronë e kishin blerë dhe në të cilën në momentin që kishin dashur të investonin nuk ishin lejuar nga parashtruesi i kërkesës. Gjykata Themelore kishte vendosur masën e përkohshme të sigurisë lidhur me pronën në fjalë. Gjithashtu, Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e paditësve si të bazuar dhe kishte vendosur që në bazë të kontributit familjar të përbashkët paditësit e kanë fituar të drejtën e bashkëpronësisë secili paditës nga 1/3 të pjesës së paluajtshmërisë, dhe të regjistrohet në regjistra të paluajtshmërive në bashkëpronësi të paditësve. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e tij dhe e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, ku kjo e fundit e kishte refuzuar si të pathemeltë revizionin e paraqitur. Gjithashtu edhe Gjykata Themelore kishte shfuqizuar masën e përkohshme të sigurimit të caktuar me aktvendim nga ana e kësaj gjykate.
Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës pretendon se me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës Supreme, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [ Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Gjykata vërejti se esenca e pretendimeve për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë, ndërlidhet me mos arsyetimin e vendimit gjyqësor nga ana e Gjykatës Supreme. Gjykata vlerëson se pretendimet e tilla ngrenë çështje nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6.1 i KEDNJ-së, të cilat Gjykata do t’i analizojë në pajtueshmëri me standardet e praktikës gjyqësore të GJEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë.
Në vlerësimin e saj, Gjykata fillimisht vërejti se Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit e më pas edhe Gjykata Supreme, duke u mbështetur në nenin 326 dhe 328 të Ligjit për Martesën dhe Marrëdhëniet Familjare Nr. 10/28, mars 1984, në esencë theksuan se parashtruesi i kërkesës nuk ka vepruar ashtu siç parashihet në dispozitat e lartcekura. Në këtë aspekt, Gjykata Supreme, konstatoi se kjo paluajtshmëri ishte fituar në kohën kur parashtruesi i kërkesës dhe vëllezërit e tij ishin në bashkësi familjare dhe kjo konsiderohet si pasuri e përbashkët e tyre e blerë sa kanë qenë duke jetuar së bashku dhe mbi bazën e kontributit familjar të përbashkët të gjithë anëtarve të familjes të cilët në forma të ndryshme kanë marrë pjesë në krijimin e saj, dhe që rezulton që paditësit, në këtë rast vëllezërit e parashtruesit të kërkesës, janë bashkëpronarë me nga 1/3 e pjesës së paluajtshmërisë kontestuese.
Gjykata me këtë rast, rikujton se nisur nga praktika e GJEDNJ-së dhe e Gjykatës, e njëjta nuk kërkon përgjigje të detajuar për secilën ankesë të ngritur nga parashtruesi i kërkesës. Megjithatë, ky obligim nënkupton që palët në procedurë gjyqësore mund të presin që të pranojnë një përgjigje specifike dhe eksplicite ndaj pretendimeve të tyre që janë vendimtare për rezultatin e procedurës së zhvilluar.
Në këtë kontekst, Gjykata, duke u bazuar në sqarimet si më sipër, dhe në mënyrë specifike duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, dhe gjithashtu arsyetimet e gjykatave të rregullta e të shtjelluara më lart, konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk karakterizohet me mungesë të vendimit të arsyetuar gjyqësor. Për pasojë, pretendimi i parashtruesit të kërkesës përkitazi me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, shkel të drejtat e tij të garantuara me nenin 54 dhe 102 të Kushtetutës. Mirëpo, parashtruesi i kërkesës vetëm i përmendi nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Për më tepër, Gjykata vë në pah se pretendimi për shkelje të nenit 102 mund të ngritët në mënyrë të argumentuar nga parashtruesit individual, vetëm në ndërlidhje me ndonjë të drejtë specifike të garantuar nga Kapitulli II dhe III të Kushtetutës. Prandaj, ky nenë në mënyrë të pavarur nuk mund të zbatohet nëse faktet e çështjes nuk bien në fushën e veprimit të paktën të njërës ose më shumë dispozitave të Kushtetutës që kanë të bëjnë me “gëzimin e të drejtave dhe lirive të njeriut”. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesave duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse.
Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, u deklarua e papranueshme.
Rexhep Vrapca
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile