KO248/23, Parashtrues: Ferat Shala dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë të Ligjit nr. 08/L-209 për Investime të Qëndrueshme
Fjalët kyç: kërkesë institucionale, kërkesë e pranueshme, Këshilli për Investime Strategjike, mundësia e përzgjedhjes së veçantë të investitorit, Dispozitat kalimtare dhe shfuqizimi i ligjeve, parimet e ekonomisë së tregut të bazuar në konkurrencë të lire, shtjellimi i përdorimit të pasurisë dhe Burimeve Natyrore
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO248/23, me parashtrues Ferat Shala dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme.
Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, njëzëri, që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; dhe (iii) njëzëri, të shpallë që, në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje.
Aktgjykimi fillimisht sqaron që Ligji i kontestuar, ndër tjerash, reflekton qëllimin e promovimit, përkrahjes dhe mbrojtjes së investimeve të qëndrueshme dhe eksporteve në Republikën e Kosovës, përfshirë përcaktimin e objektivave shtetërore dhe sektorëve prioritar për zhvillim. Sipas sqarimeve të dhëna, Ligji i kontestuar, ndër tjerash, përcakton (i) detyrimet e institucioneve, autoriteteve publike dhe investitorëve lidhur me investimet në Republikën e Kosovës, përfshirë të drejtat e investitorëve, dhe duke përfshirë por duke mos u kufizuar në të drejtën e investimit, barazinë para ligjit, respektimin e të drejtave, mbrojtjen nga shpronësimi, kompensimin përkatës dhe mjetet juridike; dhe (ii) procedurën për shpalljen e investimeve strategjike, përfshirë kriteret e nevojshme për këtë qëllim. Për më tepër, i njëjti themelon Këshillin e Investimeve, i cili, është përgjegjës për vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin, mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen ndërlidhur me projektet për investime strategjike, sipas kritereve të përcaktuara në Ligjin e kontestuar. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, me hyrjen në fuqi të Ligjit të kontestuar (i) shfuqizohen dy ligje tjera, përkatësisht Ligji nr.04/L-220 për Investimet e Huaja dhe Ligji nr.05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës; ndërsa (ii) shuhet Agjencia për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës dhe themelohen dy agjenci të reja ekzekutive, përkatësisht Agjencia e Investimeve dhe Eksporteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencia për Inovacion dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Deputetët parashtrues të Kuvendit kontestojnë Ligjin e lartcekur në tërësinë e tij, duke pretenduar mospërputhshmërinë e tij me Kushtetutën, por duke kontestuar tri (3) kategori nenesh të Ligjit të kontestuar, përkatësisht (i) nenin 21 (Këshilli), duke pretenduar që i njëjti është në kundërshtim me parimet e organizimit të marrëdhënieve ekonomike në Republikën e Kosovës, përfshirë si rezultat i mospërcaktimit të kushteve të arsyeshme me ligj për shfrytëzimin e resurseve natyrore të Kosovës bazuar në detyrimet që burojnë nga paragrafi 2 i nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; (ii) nenin 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), duke pretenduar që i njëjti cenon të drejtën në trajtim të barabartë të të gjithë investitorëve sepse krijon mundësi arbitrariteti në përzgjedhjen e investitorit strategjik përmes një procedure të negocimit të drejtpërdrejtë nga ana e Këshillit të Investimeve në kundërshtim me nenin 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës; (iii) nenet 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi), duke theksuar që të njëjtit shfuqizojnë dy ligje të aplikueshme, përkatësisht Ligjin nr.04/L-220 për Investimet e Huaja dhe Ligjin nr. 05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës, duke cenuar të drejtat e investitorëve të huaj të fituara bazuar në këto ligje, për më tepër që me themelimin e Agjencisë së Investimeve dhe Eksporteve dhe Agjencisë për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, shuhet Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, duke cenuar të drejtat e zyrtarëve publikë të të njëjtës në kontekst të statusit të tyre të marrëdhënies së punës. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, kundër-argumentohen nga Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, duke theksuar që Ligji i kontestuar është në përputhje me Kushtetutën, ndër tjerash, sepse i njëjti (i) siguron të drejtat ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme; (ii) përcakton rregulla të qarta, me të cilat udhëhiqet Këshilli i Investimeve dhe përcaktohet investimi strategjik; (iii) saktëson që të gjitha të drejtat e fituara të investitorëve të huaj, bazuar në ligjet e shfuqizuara përmes Ligjit të kontestuar, garantohen sipas ligjeve përmes të cilave janë fituar; dhe (iv) saktëson që të gjitha të drejtat e zyrtarëve të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, respektohen bazuar në dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publik.
Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Gjykata fillimisht ka shtjelluar (i) parimet themelore të ekonomisë së tregut sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës; dhe (ii) për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, parimet relevante që burojnë nga instrumentet ndërkombëtare që ndërlidhen me ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë, siç janë të përcaktuara përmes rregullativës së aplikueshme të Bashkimit Evropian, si dhe parimet që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Opinionet relevante të Komisionit të Venecias.
Në aplikimin e parimeve të lartcekura në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi fillimisht thekson që bazuar në nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës, ekonomia e tregut është vlerë e Republikës së Kosovës, ndërsa bazuar në nenin 10 [Ekonomia] të Kushtetutës, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Për më tepër, dhe për aq sa është relevante në kontekst të vlerësimit të kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar, Aktgjykimi vë theks në nenin 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, sipas të cilit, ndër tjerash, Republika e Kosovës (i) siguron një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private; (ii) siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme; (iii) themelon organe të pavarura për rregullimin e tregut, atëherë kur vetë tregu nuk mundet që në masë të mjaftueshme të mbrojë interesin publik; dhe (iv) investitorit të jashtëm i garanton nxjerrjen e lirshme të fitimit dhe kapitalit të investuar jashtë vendit, në pajtim me ligjin. Aktgjykimi gjithashtu shtjellon nenin 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës, duke theksuar, ndër tjerash, që (i) populli i Republikës së Kosovës në pajtim me kushtet e arsyeshme të përcaktuara me ligj, mund të gëzojë resurset natyrore të Republikës së Kosovës, por nuk mund të shkelë obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare për bashkëpunim ekonomik; dhe që (ii) kufizimet e të drejtave të pronarëve dhe të drejtave të tjera mbi eksploatimin e të mirave me interes të veçantë për Republikën e Kosovës dhe kompensimi për kufizimet e tilla, rregullohen me ligj.
Në Aktgjykimin e Gjykatës, parimet e sqaruara si më sipër, janë aplikuar në shqyrtimin e secilit nen të vlerësuar veç e veç. Thënë këtë dhe për qëllime të kësaj përmbledhjeje, Gjykata do të sqarojë të gjeturat dhe konstatimet kryesore përkitazi me çështjet më kontestuese të Ligjit të kontestuar sipas argumenteve dhe kundër-argumenteve të palëve para Gjykatës, përkatësisht atyre të (i) themelimit të Këshillit të Investimeve; (ii) mundësisë së përzgjedhjes së veçantë të investitorit; dhe (iii) parimit të sigurisë juridike që ndërlidhet me shfuqizimin e Ligjit nr.04/L-220 për Investimet e Huaja dhe Ligjit nr.05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës, dhe shuarjes së Agjencisë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, si dhe të drejtave të zyrtarëve të kësaj Agjencie.
(i) Themelimi i Këshillit të Investimeve të Republikës së Kosovës
Aktgjykimi fillimisht sqaron që neni 21 (Këshilli) i Ligjit të kontestuar, përcakton rolin dhe përgjegjësitë e Këshillit në fushën e investimeve dhe eksporteve në Republikën e Kosovës, përfshirë vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin, mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen lidhur me projektet për investime strategjike, por edhe miratimin e planeve të veprimit dhe raporteve për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve dhe eksporteve, sipas dispozitave të Ligjit të kontestuar, duke i kushtuar vëmendje mënjanimit të barrierave për investimet dhe përmirësimit të mjedisit të veprimtarisë ekonomike. Aktgjykimi gjithashtu sqaron që Ligji nr.05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës, i cili shfuqizohet përmes Ligjit të kontestuar, kishte të themeluar një Komision Ndërministror për Investime Strategjike me kompetenca dhe përgjegjësi të ngjashme me ato të Këshillit të Investimeve.
Në kontekstin e kompetencave dhe përgjegjësive të Këshillit, Aktgjykimi vë theks në nenin 93 [Kompetencat e Qeverisë] të Kushtetutës, sipas të cilit, ndër tjerash, Qeveria mundëson zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, në ushtrimin e kësaj kompetence, Qeveria është e kushtëzuar në respektimin e parimeve lidhur me ekonominë e tregut që burojnë nga Kushtetuta, përkatësisht (i) respektimin e vlerave të Republikës së Kosovës, përfshirë ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë për operatorët ekonomik, sipas përcaktimeve të neneve 7 [Vlerat] dhe 10 [Ekonomia] të Kushtetutës, respektivisht; (ii) respektimin e përcaktimeve të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, sipas të cilit dhe ndër tjerash, Republika e Kosovës ka detyrimin që të përcaktojë mekanizmat përmes të cilave ajo (a) siguron një mjedis të favorshëm ligjor për ekonominë e tregut, lirinë e aktivitetit ekonomik dhe sigurinë e pronës publike e private; (b) siguron të drejta ligjore të barabarta për të gjithë investitorët dhe të gjitha ndërmarrjet vendore dhe të jashtme; dhe (c) siguron që investitorit të jashtëm i garantohet nxjerrja e lirshme e fitimit dhe kapitalit të investuar jashtë vendit, në pajtim me ligjin; dhe (iii) siguron që pasuritë natyrore në Republikën e Kosovës gëzojnë mbrojtjen e tyre të veçantë, në pajtim me ligjin, sipas përcaktimeve të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës.
Duke aplikuar parimet kushtetuese si më sipër, Aktgjykimi sqaron që themelimi i një Këshilli të Investimeve nuk rezulton të cenojë ekonominë e tregut me konkurrencë të lirë, për më tepër që, vendimmarrja e tij i nënshtrohet garancive kushtetuese, përfshirë në kontekst të të drejtave dhe lirive themelore, marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara dhe ligjeve tjera të aplikueshme të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, bazuar në kompetencat dhe funksionet e Këshillit të Investimeve, nuk rezulton të cenohen garancitë kushtetuese ndërlidhur me përdorimin e pasurisë dhe burimeve natyrore sipas përcaktimeve të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetues, përfshirë ligjet e aplikueshme në kontekst të përdorimit të pasurisë dhe burimeve natyrore të Republikës së Kosovës.
Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që neni 21 (Këshilli) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës.
(ii) Përzgjedhja e Veçantë e Investitorit
Aktgjykimi sqaron që bazuar në nenin 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit) të Ligjit të kontestuar, Këshilli mund të publikojë ftesë për të përzgjedhur partnerin për zbatimin e investimit strategjik, sipas kritereve vlerësuese në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa përjashtimisht nga ky rregull, Këshilli mund të përzgjedhë me negocim të drejtpërdrejtë shoqërinë e besuar për propozues, zbatues ose partner për zbatimin e investimit strategjik, sipas kritereve vlerësuese të përcaktuara përmes ligjit të aplikueshëm. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Ligji i kontestuar përcakton kushtet e përgjithshme për shpalljen e investimit strategjik, përfshirë lidhur me punësimin, rritjen e prodhimit dhe të eksportit, zhvillimin rajonal dhe qëndrueshmërinë mjedisore dhe të cilat gjithashtu ndërlidhen me objektivat shtetërore që synohen të përmbushen përmes nxitjes dhe mbrojtjes së investimeve dhe sektorëve prioritarë për investime në Republikën e Kosovës. Për më tepër, Aktgjykimi vë theks në faktin që, përmes Ligjit të kontestuar parashikohet mundësia e verifikimeve shtesë dhe/ose plotësuese të investimit potencial, veçanërisht nëse investimi i synuar ose i kryer nga investitori i huaj mund të rezultojë në cenim të rendit publik ose sigurisë shtetërore.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, duke marrë parasysh faktin që partnerët për zbatimin e investimeve strategjike përzgjedhen përmes një procesi publik, ndërsa që përjashtimisht përzgjedhja e partnerit për investime strategjike përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë i nënshtrohet (i) kritereve të përcaktuara në Ligjin e kontestuar, përfshirë dispozitave të aplikueshme të Ligjit për Prokurimin Publik, por edhe (ii) të drejtës në mjet juridik sipas përcaktimeve të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, sipas sqarimeve të dhëna, rezulton që në kontekst të nenit 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit) të Ligjit të kontestuar, nuk janë cenuar garancitë e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës. Thënë këtë, Aktgjykimi gjithashtu sqaron që ky vlerësim nuk nënkupton edhe ligjshmërinë dhe/ose kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Këshillit në kontekst të përzgjedhjes së veçantë të investitorit, dhe e cila mund t’i nënshtrohet vlerësimit të ligjshmërisë nga gjykatat e rregullta dhe kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese sipas përcaktimeve të paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.
Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata ka konstatuar që neni 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.
(iii) Shfuqizimi i Ligjit nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja dhe Ligjit nr. 05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës
Aktgjykimi sqaron që (i) përmes nenit 53 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, shfuqizohen dy ligje paraprake, përkatësisht, Ligji nr.04/L-220 për Investimet e Huaja dhe Ligji nr.05/L-079 për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës; ndërsa (ii) përmes nenit 52 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar, shuhet Agjencia për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës. Kjo e fundit zëvendësohet nga dy Agjenci tjera, të themeluara bazuar në nenin 18 (Themelimi i Agjencive) të Ligjit të kontestuar, përkatësisht Agjencia e Investimeve dhe Eksporteve dhe Agjencia për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, funksionet, kompetencat dhe organizimi i të cilave është gjithashtu e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar.
Sipas të sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, përfshirë shtjellimit të parimeve që ndërlidhen me parimin e sigurisë juridike, në kontekst të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës që shfuqizimi i ligjeve paraprake cenon të drejtat e investitorëve të huaj të fituara mbi bazën e tyre dhe që shuarja e Agjencisë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës rezulton në cenimin e të drejtave të zyrtarëve të saj publikë, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që miratimi, ndryshimi dhe/ose shfuqizimi i ligjeve është në kompetencë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas përcaktimeve të neneve 65 [Kompetencat e Kuvendit], 80 [Miratimi i Ligjeve] dhe 81 [Legjislacioni me Interes Vital] të Kushtetutës, gjithnjë me kushtin që janë respektuar vlerat e Republikës së Kosovës sipas përcaktimeve të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës, i cili përfshin edhe parimin e sigurisë juridike dhe kriterin e “qartësisë” dhe “parashikueshmërisë” së ligjeve. Sipas sqarimeve të dhëna, Ligji i kontestuar është nxjerrë bazuar në autorizimet e lartcekura kushtetuese të Kuvendit dhe duke marrë parasysh përmbajtjen e dispozitave përfundimtare të Ligjit të kontestuar, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, nuk rezulton të jetë cenuar parimi i sigurisë juridike. Për më tepër që, sipas sqarimeve të dhëna, Ligji i kontestuar saktëson që Agjencitë e themeluara përmes tij, marrin secila përsipër përgjegjësitë, pronat nën administrim, kontratat, detyrimet ndaj palëve të treta dhe procedurat administrative në vazhdim, dhe për pasojë, çdo e drejtë e fituar bazuar në ligjet paraprake, i nënshtrohet garancive të Kushtetutës dhe Ligjit të kontestuar, për më tepër që, çdo kontest ligjor që mund të rezultojë ndërlidhur me të drejtat e fituara të personave juridikë, përkatësisht operatorëve ekonomik i nënshtrohet të drejtës në mjet juridik dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave, sipas ligjeve të aplikueshme dhe përcaktimeve të neneve 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Në anën tjetër dhe ndërlidhur me shuarjen e Agjencisë për Investime dhe për Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, përfshirë statusin e zyrtarëve të saj publikë, Aktgjykimi, ndër tjerash, sqaron që themelimi i Agjencive të Pavarura është në kompetencën e Kuvendit sipas përcaktimeve të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës. Përtej garancive kushtetuese, sipas sqarimeve të dhëna, çështjet që ndërlidhen me themelimin, por edhe bashkimin dhe shuarjen e Agjencive, përfshirë atyre ekzekutive siç është rasti në rrethanat e Ligjit të kontestuar, janë të rregulluara përmes Ligjit nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. Ky i fundit, në kontekst të shuarjes së një Agjencie, rregullon pasojat juridike ndërlidhur me zyrtarët përkatës publikë, ashtu siç përcakton edhe vet Ligji i kontestuar që Ministria për Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Tregtinë merr përsipër sistematizimin përkatës të shërbyesve civil. Sipas sqarimeve të dhëna, ky sistematizim i nënshtrohet garancive të Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publik, përfshirë të drejtës në mjete juridike dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave, sipas përcaktimeve të vet Ligjit për Zyrtarët Publik, por edhe neneve 32 [E drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.
Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, nenet 52 (Dispozita kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës.
Ferat Shala dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 119, Neni 122
Tjetër