Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit AC-I. -22/0049-A0001 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 31 majit 2023

Nr. të lëndës KI140/23

Parashtruesit: "JUGOBANKA” SH. A.

Shkarko:

KI140/23, Parashtrues: “JUGOBANKA” SH. A., vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, AC-I. -22/0049-A0001, të 31 majit 2023

KI140/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 28 majit 2024, publikuar më 1 gusht 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për  gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me propozimin që Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të vërtetojë se (i) parashtruesi i kërkesës nuk është ndërmarrje shoqërore por shoqëri aksionare jashtë juridiksionit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit; (ii) të anulojë vendimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shitjen e ndërmarrjeve të reja të parashtruesit të kërkesës, si dhe (iii) të ndalojë të gjitha veprimet për shitjen e tyre, duke pretenduar se asnjëherë nuk kishte qenë ndërmarrje shtetërore por se që nga themelimi ishte organizuar si shoqëri aksionare. Parashtruesi i kërkesës fillimisht pranë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kishte kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme kundër Vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shitjen e pronave të parashtruesit të kërkesës. Kërkesa e parashtruesit të kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme ishte refuzuar nga Kolegji i Specializuar dhe më pas edhe nga Kolegji i  Apelit. Lidhur me kërkesëpadinë kryesore të parashtruesit të kërkesës, Kolegji i Specializuar kishte refuzuar të njëjtën duke theksuar se parashtruesi i kërkesës është ndërmarrje me asete në pronësi shoqërore nën juridiksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Vendimi i Kolegjit të Specializuar, pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, ishte vërtetuar edhe nga Kolegji i Apelit.

Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se përmes aktgjykimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat], nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 [Mbrojtja e Pronës], nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e neneve 7 [Vlerat], 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës vetëm kishte përmendur shkeljen e neneve të lartcekura, duke mos ofruar asnjë arsyetim dhe duke mos mbështetur pretendimin e tij rreth mënyrës se si vendimi i kontestuar, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të shkallës më të ulët, mund të kenë rezultuar në shkeljen e këtyre të fundit.

Lidhur me pretendimet e parashtruesit për shkeljen e nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Papnshëm] të Kushtetutës, Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për një vendim të arsyetuar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Kushtetuese dhe i aplikoi ato në rastin konkret, konstatoi se pretendimet për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar dhe të arsyeshëm gjyqësor janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës, u deklarua e papranueshme si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

"JUGOBANKA” SH. A.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative