Këshilltarët kushtetues-juridik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës morën pjesë në trajnimin dy-ditor mbi të drejtën në privatësi, të organizuar me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, më 3 dhe 4 qershor 2024, në “Hotel Sirius” në Prishtinë.
Temë kryesore në ditën e parë të trajnimit ishin e drejta e jetës private dhe familjare, koncepti i “detyrimeve negative dhe pozitive” të shtetit sipas nenit 8 (E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, çështjet dhe trendët e mbrojtjes së të dhënave në vend, si dhe mbikëqyrja e telekomunikacionit dhe komunikimit digjital në një kontekst penal.
Në ditën e dytë të trajnimit, në fokus të diskutimit ishin praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me mbledhjen e të dhënave (përfshirë mbikëqyrjen e fshehtë), ruajtja dhe zbulimi i tyre nga autoritetet shtetërore, standardet për mbrojtjen e të dhënave dhe qasja në informacionin personal, duke përfshirë “të dhënat shëndetësore”, si dhe përdorimi i të dhënave personale si “provë” në procedim penal.
I organizuar në vazhdën e trajnimeve profesionale për këshilltarë të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të projektit të Zyrës Këshillit të Evropës në Prishtinë “Mbështetje për Gjykatën Kushtetuese në Zbatimin dhe Përhapjen e Standardeve Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, trajnimi dyditor u mbajt me ekspertë ndërkombëtar të fushës të angazhuar me përkrahjen e Këshillit të Evropës.