Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Pml.nr.301/2023 të 26 qershorit  2023 të Gjykatës Supreme  

Nr. të lëndës KI181/23

Parashtruesit: Qazim Jashari

Shkarko:

KI181/23, Parashtrues: Qazim Jashari, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Pml.nr.301/2023 të 26 qershorit  2023 të Gjykatës Supreme  

KI181/23, Aktvendim për papranueshmëri i 31 janarit 2024, publikuar më 29 shkurt 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për liri dhe siguri, kërkesë e papranueshme   

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktim të masës së paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 i KPRK-së. Gjykata Themelore  bazuar në nenin 184 (Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit) të KPPRK-së aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje për një (1) muaj prej kohës së ndalimit më dt.22.05.2023 e deri më 21.06.2023. Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit për caktimin  masës së paraburgimit duke propozuar që ankesa të aprovohet e bazuar, aktvendimi i goditur të anulohet apo ndryshohet duke caktuar ndonjë masë alternative bazuar në nenin 171 (Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit) të KPPRK-së.  Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës ndërsa vërtetoi  aktvendimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit vlerësoi se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur të parashtruesit të kërkesës i ka caktuar masën e paraburgimit konform nenit 184 të KPPRK-së  me qëllim të zhvillimit të papenguar dhe me sukses të kësaj procedure penale. Ndërkohë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore, Gjykata Themelore nxori vendim për vazhdim të masës së paraburgimit kundër parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. Mbrojtësi i parashtruesit të kërkesës paraqiti kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër vendimeve të gjykatave të instancës më të ulët duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale penale dhe duke kërkuar lirimin e parashtruesit të kërkesës pasi që të gjitha provat veçse ishin siguruar dhe se ky i fundit nuk kishte precedent penal të rrezikshëm. Gjykata Supreme  vendosi ta hedhë si jolëndore kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të parashtruesit të kërkesës paraqitur kundër vendimeve të gjykatave të instancës më të ulët.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës  ngriti pretendime për shkelje të neneve 24, 29 dhe 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke pretenduar  se gjatë zhvillimit të procedurës penale paraprake atij i janë cenuar të drejtat për (i) qasje në shkresat e lëndës dhe prova të prokurorisë para mbajtjes së seancës së paraburgimit; (ii) sigurim të përkthyesit zyrtar gjatë marrjes në pyetje në polici duke qenë se i njëjti i përket etnisë rome; (iii) arsyetim të duhur dhe të mjaftueshëm lidhur me caktimin dhe vazhdimin e masës së paraburgimit; (iv)  caktimin e një mase më të butë sesa masa e paraburgimit duke pasur parasysh sigurimin e të gjitha provave në procedurën penale paraprake; si dhe, (v) mungesën e vlerësimit të ligjshmërisë së masës së caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit nga ana e Gjykatës Supreme.

Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata konstatoi se (i)  gjykatat e rregullta kanë konstatuar se vepra penale që dyshohet se e ka kryer parashtruesi i kërkesës është e natyrës serioze me dëm të rëndësishëm shoqëror; (ii) gjykatat e rregullta kanë treguar se ekziston dyshimi i bazuar për përfshirje të parashtruesit të kërkesës në veprën penale specifike dhe konkrete; (iii) gjykatat kanë dhënë bazë të mjaftueshme dhe relevante për ta justifikuar paraburgimin e parashtruesit të kërkesës gjithashtu kanë treguar “zellin e veçantë” në zhvillimin e procedurave; (iv) argumentet e gjykatave të rregullta  kundër lirimit përmbajnë referenca të fakteve specifike dhe rrethanave personale të parashtruesit të kërkesës  që justifikojnë paraburgimin e tij.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet  e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për liri dhe siguri siç garantohet me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të  refuzohen  qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Qazim Jashari

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale