KI176/22, Parashtrues: Gani Bërnjashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [PAKR. nr. 140/2019] të 17 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI176/21, Vendim për refuzim të kërkesës, të 14 nëntorit 2022, publikuar më 17 janar 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë e shkurtër
Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me një çështje penale, ku Prokuroria Themelore në Gjilan, kishte ngritur aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës mbi dyshimin e bazuar se i njëjti kishte kryer veprën penale nga paragrafi 1 i nenit 179 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në lidhje me këtë aktakuzë Gjykata Themelore në Gjilan nxori Aktgjykimin PKR. nr. 134/2018 me të cilin e shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe e dënoi me burgim efektiv në kohëzgjatje prej njëzet e pesë vite (25). Ky aktgjykim ishte apeluar nga parashtruesi i kërkesës në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktgjykimin [PAKR. nr. 140/2019], e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij, duke vërtetuar Aktgjykimin e 30 janarit 2019 të Gjykatës Themelore. Në shkresat e lëndës rezultonte qe parashtruesi i kërkesës kishte përmendur edhe Gjykatën Supreme, si instancë gjyqësore e cila kishte vendosur për çështjen e tij, por i njëjti nuk kishte dorëzuar ndonjë vendim të kësaj të fundit dhe nuk kishte specifikuar as datë dhe as numër të vendimit.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatë pretendoi se vendimet e gjykatave të rregullta shkelin të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me Kushtetutë. Në përmbajtje Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës ngrënin çështje të procesit të rregullt gjyqësor.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në vendimin e publikuar, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbushte kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të moskompletimit me dokumentacion mbështetës, ashtu siç përcaktojnë nenet 22 (4) dhe 48 të Ligjit si dhe rregullat 25 (2) h) dhe 54 (2) a) të Rregullores së punës. Prandaj, Gjykata përfundoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
Gani Bërnjashi
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Vendim për refuzim të kërkesës