Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet anëtare e Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese

27.10.2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Bullgarisë, znj. Pavlina Palova, si dhe kryetarët e Gjykatave Kushtetuese të: Republikës së Shqipërisë, Turqisë, Maqedonisë Veriore dhe Malit të Zi, nënshkruan sot në Sofje të Bullgarisë, Memorandumin e Mirëkuptimit, përmes të cilit u themelua Forumi Ballkanik i Gjykatave Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës bëhet për herë të parë anëtare themeluese dhe me të drejta të barabarta e një forumi profesional ndërkombëtar të drejtësisë kushtetuese.

Në cilësinë e Anëtarëve Vëzhgues, pjesë e Forumit Ballkanik të Gjykatave Kushtetuese, që u themelua edhe me përkrahjen e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, janë edhe Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës, Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, Këshilli Shtetëror i Greqisë dhe Gjykata Kushtetuese e Rumanisë.