KI171/22, Parashtrues: Maliq Biringjiku, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml.nr.64/2021] të Gjykatës Supreme të 12 marsit 2021
KI171/22, Aktvendim për papranueshmëri i 31 gushtit 2023, publikuar më 26 shtator 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e paafatshme, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me dënimin e parashtruesit të kërkesës nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për shkak të veprës penale Vrasje e Rëndë nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5 e 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Parashtruesi i kërkesës po ashtu ishte dënuar për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Supreme.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml.nr.64/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 14 prill 2021. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 14 nëntor 2022, më shumë se një (1) vit e gjysmë pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Gjykata konkludoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Maliq Biringjiku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale