Prishtinë 25 shtator 2023
Nr. ref.:RK 2266/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI171/22
Parashtrues
Maliq Biringjiku
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktgjykimit [Pml.nr.64/2021] të Gjykatës Supreme të 12 marsit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Maliq Biringjiku nga fshati Qubrel, komuna e Skenderajt (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet para Gjykatës nga Ramadan Biringjiku, nga fshati Qubrel, komuna e Skenderajt.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Pml.nr.64/2021] të 12 marsit 2021, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Supreme).
Parashtruesi i kërkesës, Aktgjykimin e kontestuar e kishte pranuar më 14 prill 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 nëntor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar përmes postës elektronike.
Më 2 dhjetor 2022, Gjykata njoftoi përfaqësuesin e parashtruesit të kërkesës për regjistrim të kërkesës dhe nga ky i fundit kërkoi që ta dorëzon autorizimin shprehimor për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës në procedurë para Gjykatës.
Më 5 dhjetor 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI171/22], caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 janar 2023, përfaqësuesi i parashtruesit të kërkesës dorëzoi autorizimin shprehimor për përfaqësim të parashtruesit të kërkesës në procedurë para Gjykatës.
Më 9 shkurt 2023, Gjykatës Themelore në Mitrovicë iu kërkua që të dorëzon fletë-kthesën që tregon se kur ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës iu dërgua Gjykatës Supreme.
Më 27 shkurt 2023, Gjykata Themelore në Mitrovicë dorëzoi fletë-kthesën që tregon se kur ka pranuar parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar.
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri ne fuqi 15 ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform Rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Më 31 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktgjykimin [Pml.nr.64/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese. Vendimi i kontestuar ndërlidhet me dënimin e parashtruesit të kërkesës nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për shkak të veprës penale Vrasje e Rëndë nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5 e 1.8 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Parashtruesi i kërkesës po ashtu ishte dënuar për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së. Gjykata e Apelit e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Gjykata Supreme e kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës kundër vendimeve të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Supreme.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon: (i) gjykatat e rregullta është dashur t’i vlerësojnë provat e prezantuara gjatë procesit gjyqësorë të cilat vërtetojnë se parashtruesi i kërkesës nuk i ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet; (ii) nuk mund të dënohet dhe shpallet fajtor një person për të cilin ka dështuar të provohet fakti se i njëjti ka kryer veprën për të cilën ngarkohet dhe kjo është përcaktuar edhe ne nenin 7 par.2, neni 361 par.1 dhe 2 të KPRK-së; (iii) gjykatat e rregullta vendimet e tyre duhet t’i bazojnë dhe t’i nxjerrin vetëm mbi faktet dhe provat të cilat janë shqyrtuar dhe verifikuar në shqyrtimin gjyqësor dhe jo mbi supozime dhe në qoftë se vetëm një pikë dyshimi është mbi një provë apo mbi një fakt gjykatat e rregullta vendimet e tyre nuk mund ta bazojnë mbi atë provë; (iv) rasti konkret është dështim i përshkrimit të saktë nga dëshmitarët për personin i cili ka gjuajtur në drejtim te automjetit, dështimi i të provuarit se a ka qenë apo nuk ka qenë prezent në ditën kritike në vendin e përshkruar si në aktakuze të gjitha këto vendime të tri instancave gjyqësore i bëjnë jo të ligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut të cilat garantojnë për çdo person që ngarkohet me vepër penale ta ketë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi [Pml.nr.64/2021] i Gjykatës Supreme të 12 marsit 2021, që ndërlidhet me procesin penal të lartcekur, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ka ngritur çështjen që Gjykata Supreme duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nuk ka marrë për bazë pretendimet e parashtruesit të kërkesës duke shkelur kështu garancitë nga neni 31 i Kushtetutës.
Dispozitat relevante të Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës
Kushtetuta
Nenit 113
[Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) Kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Pml.nr.64/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktgjykimin [Pml.nr.64/2021] të 12 marsit 2021 të Gjykatës Supreme. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 14 prill 2021. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 14 nëntor 2022, më shumë se një (1) vit e gjysmë pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendore t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katër mujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktgjykimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të neneve 20, 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 34 (1) (c) të Rregullores së punës, më 31 gusht 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit;
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Maliq Biringjiku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Penale