KI50/23, Parashtrues Brikenda Kryeziu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr.387/2022 të 22 nëntor 2022.
KI50/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 qershorit 2023, publikuar më 29 qershor 2023.
Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një marrëdhënie kontraktuale të lidhur mes parashtrueses se kërkesës dhe punëdhënësit. Kjo marrëdhënie e punës ishte azhurnuar në intervale të ndryshme kohore dhe me grada të ndryshme të nivelit të pagës duke filluar nga grada 12, 11 dhe 10. Në ndërkohë, punëdhënësi në bazë të Ligjit, nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjit, nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit, nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, përmes vendimit [nr.01-2212/16] miratoj rregulloren për kategorizimin e gradave për të punësuarit. Ndërkohe, Parashtruesja e kërkesës përmes kontratës [nr.01-637/2017] të 7 marsit 2017 hyri në marrëdhënie pune të punëdhënësi në pozitën Zyrtare e Shitjes dhe Marketingu për periudhën kohore nga 1 marsi 2017 deri në kohë të pacaktuar. Përmes nenit 5 të kësaj kontrate, parashtrueses se kërkesës i ishte caktuar paga bazë në lartësi të gradës 7. Parashtruesja e kërkesës paraqiti ankesë fillimisht tek punëdhënësi lidhur me degradimin nga grada 10 ne gradën 7. Ankesa e saj u refuzua dhe për pasojë parashtruesja e kërkesës paraqiti kërkesëpadi në Gjykatën Themelore me kërkesë që të anulohet vendimi për ristrukturim [nr.01-2212/16] i 29 korrikut 2016 i nxjerrë nga Bordi i Drejtorëve si dhe rregulloren për kategorizimin e gradave për të punësuarit, me kusht që me pas të anulohet edhe kontrata e punës [nr.01-637/17] të 7 marsit 2017, ashtu që të detyrohet e paditura që të kthej paditësen në pozitën e njëjtë si ka qenë “koordinatore regjionale për shpërndarje dhe dorëzim” me gradën 10 dhe me page të njëjte. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.184/2017] refuzoj kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës si të pathemeltë. Ky Aktgjykimi ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme. Konstatimet e gjykatave te rregullta, parashtruesja e kërkesës i konteston para Gjykatës.
Parashtruesja e kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar shkel të drejtat e saj kushtetuese të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit]; 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]; neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit]; nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregull) dhe nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të KEDNJ-së.
Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtrueses së kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtrueses së kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) vendimi [nr.01-2212/16] i 29 korrikut 2016 për arsyeje organizative kishte efekt kolektiv dhe jo individual vetëm ndaj parashtrueses se kërkesës; (ii) parashtruesja e kërkesës kishte dështuar të aplikonte në konkursin e brendshëm për “Koordinator Regjional”; si dhe (iii) kontrata e punës të 7 marsit 2017 ishte nënshkruar nga palët me vullnet të lirë dhe se parashtruesja e kërkesës para gjykatave të rregullta nuk kishte arritur të dëshmonte të kundërtën. Prandaj, Gjykata i konsideron këto pretendime të pabazuara, sepse parashtrueses së kërkesës nuk iu mohua e drejta e punës.
Si përmbledhje, Gjykata konstaton se pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës janë pretendime që i takojnë kategorisë së (i) “shkallës se katërt”; pretendimet për shkelje të nenit 49 të Kushtetutës janë pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ndërsa pretendimet për shkelje të nenit 24, 54 dhe 55 janë pretendime që kategorizohen si (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.
Brikenda Kryeziu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative