Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 483/2020] të 18 marsit 2021

Nr. të lëndës KI146/21

Parashtruesit: Bukurije Maksutaj

Shkarko:

KI146/21, Parashtruese Bukurije Maksutaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës [Rev. nr. 483/2020] të 18 marsit 2021

KI146/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 24 prillit 2023, publikuar më 22 qershor 2023

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e parakohshme, mungesë e dukshme ose evidente e shkeljes, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret kanë të bëjnë me ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtrueses së kërkesës dhe shpalljen e konkursit nga administrata për arsim e komunës së Shtimjes. Në lidhje me këtë, parashtruesja e kërkesës ka iniciuar procedurë administrative pranë organeve kompetente administrative duke kontestuar këto dy akte. Kjo procedurë përfundoi me aktvendimin e organit kompetent të Komunës së Shtimjes, i cili e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës. Lidhur me këtë, parashtruesja e kërkesës incioi procedurë kontestimore në Gjykatën Themelore me qëllim të kontestimit të aktvendimit të komunës së Shtimjes për ndërprerjen e marrëdhënies së saj të punës dhe anulimit të konkursit, duke konsideruar se fakti që ajo tashmë ka qenë e punësuar tek i njëjti punëdhënës është arsye e mjaftueshme që ajo të angazhohet përsëri dhe se nuk është e nevojshme shpallja e konkursit. Mirëpo, përkundër faktit se Gjykata Themelore e anuloi aktvendimin e komunës së Shtimjes në procedurë kontestimore, ajo procedurë kontestimore përfundoi me aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të asaj Supreme, të cilat e refuzuan kërkesëpadinë e parashtrueses së kërkesës si të pabazuar. Më pas, parashtruesja e kërkesës parashtroi  kërkesë për korrigjimin e aktgjykimit në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se  me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme mori pjesë i njëjti gjyqtar në të dy procedurat, në përbërje të kolegjit të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, pas kësaj Gjykata Supreme e bëri korrigjimin e gabimit teknik në aktgjykimin e Gjykatës Supreme. Pas kësaj, parashtruesja e kërkesës parashtroi të njëjtin propozim për përsëritjen e procedurës në Gjykatën Themelore dhe në Gjykatën e Apelit, me pretendime dhe kërkesa të njëjta si në Gjykatën Supreme. Gjykata Themelore ia përcolli Gjykatës së Apelit propozimin për përsëritjen e procedurës së parashtrueses së kërkesës për vendim të mëtejshëm. Gjykata e Apelit e regjistroi propozimin për përsëritjen e procedurës së parashtrueses së kërkesës me numër të ri.

Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendon shkeljen e të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ). Gjykata Kushtetuese vlerësoi fillimisht kriteret e pranueshmërisë së kërkesës, sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke qenë se parashtruesja e kërkesës ishte palë e autorizuar, ka sqaruar nenet e Kushtetutës dhe aktin e organit të autoritetit publik që u kontestua në Gjykatë dhe e dorëzoi kërkesën brenda katër muajve. Në rastin konkret, Gjykata vlerësoi se pretendimet në lidhje me shkeljen e parimit të një gjykate të pavarur dhe të paanshme, përkatësisht  procedurave që u zhvilluan në lidhje me kërkesën e parashtrueses për përsëritjen e procedurës, ishin të parakohshme dhe duhej deklaruar të papranueshme, për shkak se parashtruesja e kërkesës nuk ka shteruar mjetet juridike (rasti është në Gjykatën e Apelit në fazën e vendimmarrjes) në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Në lidhje me pretendimin e parashtrueses së kërkesës për interpretim të gabuar të ligjit nga gjykatat e rregullta, Gjykata konkludoi se këto pretendime të parashtrueses së kërkesës i përkasin kategorisë së tretë të pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe si të tilla ato duhet të deklarohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Në lidhje me pretendimin e parashtrueses së kërkesës përkitazi me të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm, Gjykata vlerëson se kohëzgjatja e procedurës në Gjykatën e Apelit në lidhje me shqyrtimin e rastit së parashtrueses së kërkesës, nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme. Rrjedhimisht, për shkak të “mungesës së dukshme ose evidente të shkeljes” është qartazi e pabazuar dhe duhet të deklarohet e papranueshme në pajtim me paragrafin 2, të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Bukurije Maksutaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative