KI13/22, Parashtrues “Flori Print” SH.P.K., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit ARJ-UZVP. nr. 82/2021, të Gjykatës Supreme të Kosovës, i 26 gushtit 2021.
KI13/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 prillit 2023, publikuar më 9 qershor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedure administrative, qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me faktin se parashtruesi i kërkesës në cilësinë e importuesit kishte blerë disa makina të ndryshme fotokopjuese jashtë vendit dhe përmes Deklaratës Unike Doganore [nr. R-21848/26.05.2016] në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë, i kishte deklaruar për doganim vlerën e tyre prej 5, 496.00 euro. Kjo vlerë e prezantuar nga parashtruesi i kërkesës ishte kontestuar nga Zyra e Pranimit Qendror në Prishtinë, e cila duke u bazuar ne nenin 35 të Kodit Doganor caktoi vlerë të re doganore. Pas ankimimit nga parashtruesi i kërkesës në Sektorin për Rishqyrtimin e Vendimeve të Doganës së Kosovës lidhur me vlerën e re doganore, Dogana e Kosovës përmes Aktvendimit [06/2470] të 12 korrikut 2016 refuzoi ankesën e parashtruesit dhe ka konfirmuar vendimin e Zyrës se Brendshme Doganore në Prishtinë. Pas ankimit, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 1235/16] anuloi Aktvendimin [06. 2/470] e 12 korrikut 2016 të Doganës së Kosovës, duke e kthyer rastin në rivendosje për shkak se arsyetimi i vendimit të kontestuar ishte kontradiktor në raport me konstatimet dhe kishte mungesë të arsyetimit lidhur me provat materiale. Ndërsa, Dogana e Kosovës në riprocedurë përmes Aktvendimit [01.3.2.2/470/16] refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtimin e Deklaratës Unike Doganore, me të cilën i është kontestuar vlera e mallit lëndor të deklaruar për zhdoganim në Zyrën e Brendshme Doganore në Prishtinë, si të pabazuar, duke konfirmuar se kjo e fundit drejtë kishte konstatuar gjendjen faktike. Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [A. nr. 2574/19] të 3 shkurtit 2021, pas inicimit të konfliktit administrativ nga parashtruesi i kërkesës, konfirmoi Aktvendimin [nr.01.3.2.2/470/16] e Doganës së Kosovës, të 23 shtatorit 2019, me arsyetimin se drejt ishte vërtetuar gjendja faktike. Parashtruesi i kërkesës përmes ankesave drejtuar Gjykatës së Apelit dhe më pas asaj Supreme kontestonte përgjatë gjithë procesit gjyqësor gjendjen e vërtetuar faktike dhe aplikimin e të drejtës materiale nga gjykatat e rregullta. Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme përmes vendimeve të tyre konfirmuan Aktgjykimin [A. nr. 2574/19] e Gjykatës Themelore, të 3 shkurtit 2021, me arsyetimin se drejtë ishte vërtetuar gjendja faktike dhe drejtë ishte zbatuar e drejta materiale.
Parashtruesi i kërkesës i konteston para Gjykatës konstatimet e lartcekura të gjykatave të rregullta, respektivisht të Gjykatës Supreme, duke specifikuar se Aktgjykimi i kontestuar është i përfshirë në shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së. Gjykata rikujton se në lidhje me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendon mosarsyetim të vendimit gjyqësor dhe mungesën e mbajtjes së seancës dëgjimore në nivel të Gjykatës së Apelit; dhe vlerësimin e gabuar të provave në rastin e tij.
Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit së kërkesës është e papranueshme, sepse (I) pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për vendim të paarsyetuar gjyqësor, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe si të tilla këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (II) pretendimet për mos mbajtje të seancës dëgjimore refuzohen si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; (III) përkitazi me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për konstatimit të gabuar të gjendjes faktike refuzohen si pretendime të “shkallës së katërt”. Prandaj, kërkesa në tërësi deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
"Flori Print" SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Administrative