KI53/22, Parashtrues: Basri Sejdiu dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Statutit për Plotësim Ndryshimin e Statutit të Qendrës Klinike Universitare, i 8 prillit 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, shterimi i mjeteve juridike, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me kërkesën e një grupi mjekësh të cilët punojnë në kuadër të Repartit të Kardiologjisë Invazive të Qendrës Klinike dhe Universitare, të cilët kontestojnë Statutin për Plotësim dhe Ndryshimin e Statutit të Qendrës Klinike Universitare, e cila u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 13 prill 2022. Rrjedhimisht, me plotësim-ndryshimin e këtij statuti, Shërbimi Kardiologjik Invaziv është rikthyer në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, pasi i njëjti ishte zhvendosur në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2016.
Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se me nxjerrjen e aktit te kontestuar atyre u janë shkelur të: (i) drejtat e tyre kushtetuese, respektivisht nenet: 3, 31, 32, 45, 46, 52, 54, të Kushtetutës në lidhje me lidhje me nenin 6 dhe 13 te KEDNJ-së; (ii) të drejtat e garantuara nga Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, respektivisht nenit 1, paragrafi 1.1. 1.14 dhe 1.16 dhe neni 2. Parashtruesit, gjithashtu ngrisin pretendime (ii) sa i përket formës, përmbajtjes edhe procedurës së hartimit të aktit të kontestuar, dhe (iii) pretendimet përkitazi me pranueshmërinë e kërkesës.
Gjykata vlerësoi fillimisht nëse parashtruesi i kërkesës kishte shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Në këtë kontest, Gjykata sqaroi: (i) parimet e përgjithshme të GJEDNJ-së dhe Gjykatës për shterimin e mjeteve juridike; (ii) parimet e shtjelluara përmes opinioneve dhe raporteve të Komisionit të Venecias, të cilat, ndër tjerash, reflektojnë edhe analiza krahasimore lidhur me kriterin e shterimit të mjeteve juridike, si një ndër kriteret e pranueshmërisë në shqyrtimin e kërkesave para gjykatave kushtetuese të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.
Gjykata vlerësoi se, Kushtetuta nuk parashikon që individët drejtpërdrejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin kushtetues të aktit të kontestuar. Përkitazi me rrethanat e rastit konkret, Gjykata thekson që (i) mjeti juridik ekziston; dhe (ii) që i njëjti është mjet efektiv juridik, përderisa parashtruesit e kërkesës nuk argumentojnë, duke përfshirë përmes praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta, se padia në procedurë administrative, nuk është në “dispozicion dhe e qasshme” ose nuk është “mjaftueshëm e sigurtë jo vetëm në teori, por edhe në praktikë” sepse nuk mund “të ofrojë zgjidhje përkitazi me pretendimet e një parashtruesi” dhe “të ofrojë një mundësi të arsyeshme për sukses”.
Gjykata në fund konstatoi se parashtruesit e kërkesës nuk i kanë plotësuar kushtet e pranueshmërisë, pasi që nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç përcaktohet në paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht e shpalli kërkesën të papranueshme si rezultat i mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj.
Basri Sejdiu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile