Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 432/2021, të 7 dhjetorit 2021, të Gjykatës Supreme.

Nr. të lëndës KI59/22

Parashtruesit: Burim Limani

Shkarko:

KI59/22, Parashtrues Burim Limani; Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Rev. nr. 432/2021, të 7 dhjetorit 2021, të Gjykatës Supreme.

KI59/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 25 maj 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, shkelje e të drejtave pronësore, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shfrytëzimin e një banese nga parashtruesi i kërkesës, të cilën e kishte fituar babai i tij, Bajrush Limani, si rezultat i marrëdhënies së atëhershme të punës me Komunën e Lipjanit. Ai kishte lidhur kontratë me Ndërmarrjen Komunale Banesore në Lipjan për blerjen e asaj banese, por gjykatat e atëhershme nuk ia kishin vërtetuar kontratën e shitblerjes. Pas vdekjes së tij, banesën e kishte shfrytëzuar bashkëshortja F. L., kurse pas vdekjes së saj shfrytëzimin e ka vazhduar pasardhësi i tij, respektivisht parashtruesi i kërkesës. Më 15 shkurt 2006, Gjykata Komunale në Lipjan përmes Aktvendimit [N. nr. 3/2006], vërtetoi se parashtruesi i kërkesës ka të drejtën e blerjes së banesës dhe se e ka paguar në tërësi çmimin e shitblerjes së banesës. Gjykata Komunale në Lipjan përmes vendimit të saj ishte thirrur në Ligjin për Banimin, sipas së cilit, në banesën në pronësi shoqërore, bartësi i të drejtës së disponimit është i obliguar t’ia mundësojë bartësit të së drejtës banesore blerjen e banesës të cilën e shfrytëzon. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës ishte tutje duke e shfrytëzuar banesën bashkë me njësitë kadastrale në sipërfaqen e oborrit të saj, të cilat janë pjesë të kontestuara, që sipas tij i shërbejnë përdorimit të rregullt të banesës. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi në Gjykatën Themelore kundër Komunës së Lipjanit, duke kërkuar që t’ia vërtetojë të drejtën e pronësisë në pjesën e paluajtshmërisë të përbërë nga njësitë kadastrale [1742-3], [1740-5] dhe [1740-6]. Parashtruesi i kërkesës pretendonte se e ka fituar të drejtën e pronësisë mbi bazën e Aktvendimit [N. nr. 3/2006] të 15 shkurtit 2006 të Gjykatës Komunale në Lipjan. Më 29 shtator 2017, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 73/17] refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me arsyetimin se duke u bazuar në provat e administruara nuk është vërtetuar si parashtruesi kishte fituar të drejtën e pronësisë në paluajtshmërinë e kontestuar. Gjykata Themelore, duke ju referuar Ligjit për Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore dhe provave të administruara, konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk e ka fituar të drejtën e pronësisë në mënyrë të paraparë me ligj dhe se parashtruesi nuk ka mundur që të fitoj paluajtshmërinë kontestuese në bazë të paragrafit 4 të nenit 28 në lidhje me nenin 12 dhe 13 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Themelore Juridike Pronësore, si dhe të nenit 14 të Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat Tjera Sendore. Ky vendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, me arsyetimin se drejtë është konstatuar gjendja faktike dhe drejtë është aplikuar e drejta materiale.

Gjykata vëren se pretendimi kryesor i parashtruesit të kërkesës në thelb ka të bëj me shkeljen e nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, me arsyetimin se gjykatat e rregullta përmes vendimeve të tyre, duke refuzuar kërkesën e parashtruesit për vërtetim të pronësisë në pronën kontestuese, kanë shkelur të drejtat e tij pronësore mbi pasurinë që i takon përmes Aktvendimit  [N. nr. 3/2006], të 15 shkurtit 2006, të Gjykatës Komunale në Lipjan.

Në këtë aspekt, Gjykata konsideron se gjykatat e rregullta, në rrethanat e rastit konkret, kishin trajtuar dhe arsyetuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës. Të njëjtat, kishin trajtuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës, dhe kishin sqaruar se (i) ekziston një vendim përfundimtar i detyrueshëm lidhur mbi pronësinë e pronës kontestuese i zhvilluar nga Drejtoria për Çështje Banesore; (ii) paraardhësi i të paditurës kishte fituar të drejtën pronësore mbi pronën kontestuese bazuar në nenin 11 të Ligjit mbi marrëdhëniet banesore sipas kontratës mbi ndërrimin e banesës në Prishtinë me banesën në Pejë të lidhur me 13 nëntor 1967 (iii) dhe se parashtruesit të kërkesës prona kontestuese i ishte ndarë pa bazë ligjore duke ia mohuar të drejtën paraardhësit të palës së paditur.

Për sa më sipër, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se vendimet e gjykatave të rregullta që rezultuan në refuzimin e ankesës së tij janë marrë në mënyrë arbitrare. Rrjedhimisht, Gjykata arrin në përfundim se pretendimi i parashtruesit për shkeljen të nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës, është qartazi i pabazuar mbi baza kushtetuese.

Bazuar në si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa në tërësinë e saj është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Burim Limani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile