KI130/22, Parashtrues: Florina Jerliu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Rregullores nr. 04/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të 31 majit 2022
KI130/22, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, publikuar më 22 maj 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, mos shterim i mjeteve juridike, kërkesë për masë të përkohshme, kërkesë për mos zbulim të identitetit, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti konsiston në faktin se Sekretariati i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës kishte shpallur konkurs për pozitën Administrator në Gjykatën Themelore në Gjilan. Pas procedurave të testimeve me shkrim dhe me gojë, parashtruesja e kërkesës ishte zgjedhur në pozitën Administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan. Pas periudhës provuese një (1) vjeçare, parashtruesja e kërkesës kishte pranuar Akt-Emërimin pa afat të caktuar për pozitën Administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan. Ndërkohë, Këshilli Gjyqësorë i Kosovës përmes vendimit [KGJK.nr.262/2022] kishte themeluar Komision ad hoc për vlerësimin e performansës së administratorëve të Gjykatave. Komisioni ad hoc kishte konstatuar: “Komisioni pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjithë dokumentacionit të gjendur në dosje të lëndës dhe nga të cekurat si më lart, ka KONSTATUAR se znj. Florina Jerliu, nuk i ka përmbushur kriteret e kërkuara për performansën e kërkuar sipas nenit 32 par. 3, të Rregullores Nr. 04/2022 për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave. Andaj REKOMANDOHET Këshillit Gjyqësor të Kosovës, që znj. Jerliu t’i ndërprehet kontrata e punës si Administratore e Gjykatës Themelore në Gjilan, por të njëjtës duke pasur parasysh kualifikimet, t’i caktohet ndonjë pozitë tjetër në gjykatën përkatëse apo degë të saj.”
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesja e kërkesës pretendoi se i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta). Parashtruesja e kërkesës po ashtu kërkoi caktim të masës së përkohshme dhe kërkesë për mos zbulim të identitetit.
Në vlerësimin e kërkesës së parashtrueses të kërkesës, Gjykata vlerësoi se në rrethanat e rastit konkret, parashtruesja e kërkesës-në pajtim me karakterin subsidiar të ankesës kushtetuese individuale-është dashur që së pari të kontestojë Rregulloren e kontestuar të Këshillit Gjyqësorë të Kosovës dhe aktet që rrjedhin nga kjo e fundit (kontrata me afat të caktuar dhe vlerësimi i Komisionit ad hoc) në procedurë pranë gjykatave të rregullta siç parashikohet me ligjin në fuqi. Gjykata shtoi në jurisprudencën e saj ka mbajtur qëndrim se gjykatat e rregullta kanë juridiksion që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve nën-ligjore siç është Rregullorja e kontestuar e Këshillit Gjyqësorë të Kosovës. Gjykata konstaton se parashtruesja e kërkesës nuk ka arritur të arsyetojë se pse mjetet e rregullta juridike para gjykatave të rregullta për ndonjë arsye nuk i ishin në dispozicion të saj ose ishin joefektive në rrethana të veçanta të çështjes apo që ekzistonin rrethana të veçanta për shkak të të cilave ajo do të lirohej nga obligimi për shterim të të gjitha mjeteve juridike.
Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk janë shteruar të gjitha mjetet juridike të në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës. Gjykata po ashtu refuzoi kërkesën për masë të përkohshme dhe për mos zbulim të identitetit.
Florina Jerliu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative