Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  tejzgjatjes së procedurave në çështjen A.nr.546/2021 në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative  të transferuar në Gjykatën Komerciale- KA.nr.1010/22

Nr. të lëndës KI02/22

Parashtruesit: “Elektrosever” sh.p.k.

Shkarko:

KI02/22, Parashtrues: “Elektrosever” sh.p.k,  vlerësim i kushtetutshmërisë së  tejzgjatjes së procedurave në çështjen A.nr.546/2021 në Gjykatën Themelore të Prishtinës-Departamenti për Çështje Administrative  të transferuar në Gjykatën Komerciale- KA.nr.1010/22

KI02/22, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, publikuar më 16 maj 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, tejzgjatje e procedurave gjyqësore, kërkesë e papranueshme  

Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti konsiston në faktin se më 17 qershor 2020, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesë për plotësimin e informatave për biznesin e shoqërisë “Elektrosever” sh.p.k., në ARBK. ARBK-ja përmes postës  elektronike e kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se kërkesën e tij duhet ta paraqesë fizikisht në hapësirat e ARBK-së apo që të njëjtën ta parashtrojë përmes internetit. Parashtruesi i kërkesës përmes postës elektronike kishte dorëzuar “ankesë formale” me të njëjtën përmbajtje në adresë të ARBK-së dhe me anë të postës së rekomanduar kishte dorëzuar ankesë në Komisionin për Shqyrtim të Parashtresave  dhe Ankesave të ARBK-së. Komisioni për Shqyrtimin të Parashtresave  dhe  Ankesave i ARBK-së e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës për shkak të kalimit të afatit si të paafatshme. Komisioni për Shqyrtimin e Parashtresave dhe Ankesave i ARBK-së  kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës nuk e ka shfrytëzuar afatin prej tridhjetë (30) ditëve, ashtu siç parashikohet me ligjin në fuqi. Komisioni për Shqyrtimin e Parashtresave  dhe Ankesave  po ashtu përcaktoi se kundër vendimit të tij mund të paraqitet ankesë në afat prej tridhjetë (30) ditësh në gjykatën kompetente. Parashtruesi i kërkesës paraqiti padi administrative në Gjykatë Themelore kundër vendimit të ARBK-së. Për të njëjtën çështje parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në KGJK dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit. Lënda e parashtruesit të kërkesës ndërkohë nga Gjykata Themelore u transferua tek Gjykata Komerciale.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje  të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm në kontestet administrative të iniciuar pranë  Gjykata Themelore të transferuar tek Gjykata Komerciale. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi  (a) ndërlikueshmërinë e rastit; (b) sjelljen e parashtruesit të kërkesës; (c) sjelljen e autoriteteve relevante gjyqësore; dhe (d) rëndësinë e asaj çfarë rrezikon parashtruesi i kërkesës.

Gjykata vlerësoi se (i) rasti i parashtruesit të kërkesës ka një ndërlikueshmëri të caktuar në një fushë të ndejshme dhe të rëndësisë vitale siç është zgjerimi i veprimtarisë energjetike dhe furnizimi me energji elektrike; (ii) parashtruesi i kërkesës është  në proces të  zgjerimit  të veprimtarisë së tij në fushën energjetike dhe se në këtë aspekt nuk vërehet ndonjë veprim i parashtruesit të kërkesës që mund të konsiderohet si  “kontribut” në zvarritje tejzgjatje të procedurave; (iii) në rrethanat e rastit konkret nuk vëren ndonjë sjellje të autoriteteve relevante përfshirë  që do të mund të kontribuonte në zvarritjen tejzgjatjen e procedurave në kundërshtim me parimin për gjykim të drejtë dhe të paanshëm brenda një afati të arsyeshëm; (iv) ARBK-ja dhe ZRRE-ja kishin pajisur parashtruesin e kërkesës me licencat relevante për zgjerim të veprimtarisë energjetike dhe për furnizimin me energji elektrike; dhe, (v) lënda e parashtruesit të kërkesës ishte transferuar nga Gjykata Themelore tek Gjykata Komerciale.

Gjykata në fund, me shumicë, konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me tejzgjatje të procedurës është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe duhet të shpallet i papranueshëm në pajtim me paragrafin 2 të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“Elektrosever” sh.p.k.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative