KI135/22, Parashtrues: Nevruz Berisha, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Pml. nr. 307/2022] të 11 gushtit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës
KI135/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 prillit 2023, publikuar më 11 maj 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një çështje penale, përkatësisht me parashtrimin e kërkesë për shlyerje nga evidenca e të dënuarve, për disa vepra penale të kryera për të cilat parashtruesi i kërkesës ishte shpallur fajtor me Aktgjykimet [P.nr.421/12], [P.nr.71/18], [P.nr.95/13], [P.nr.446/21] të formës se prerë nga Gjykatës Themelore në Gjakovë. Kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për shlyerjen nga evidenca e të dënuarave vetëm përkitazi me dënimet me kusht, të shqiptuara me Aktgjykimet P.nr. 421/12 dhe P.nr.71/18 me arsyetimin se nuk ishin plotësuar kushtet e parapara ligjore në kuptim të nenit 96, paragrafit 2 nënparagrafit 2.2 të KPRK-së, sepse i njëjti kishte kryer vepër tjetër penale brenda kohës sa ishte nën verifikim. Aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë u konfirmua me pas nga Gjykata e Apelit. Kundër aktvendimit të kësaj të fundit parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila e kishte hedhur poshtë si të palejuar të njëjtën për arsye të mosplotësimit të kushteve ligjore për tu shqyrtuar meritat e saj.
Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi që Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës [në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta], dhe me nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut [në tekstin e mëtejmë: KEDNj].
Gjykata në këtë rast shqyrtoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me të drejtën për vendim të arsyetuar, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), në rrethanat e rastit konkret, konsideroi se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës. Andaj si përfundim, Gjykata konstatoi se Aktvendimi i Gjykatës Supreme, i Gjykatës së Apelit dhe ai i Gjykatës Themelore kane adresuar esencën e pretendimeve thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës ndër të tjera kishte pretenduar edhe shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese, për të cilat Gjykata vlerësoi se vetëm përmendja dhe citimi i neneve të Kushtetutës apo instrumenteve të tjera ndërkombëtare, nuk mjafton për të ngritur pretendime për shkelje të të drejtave kushtetuese dhe se kur pretendohen shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë, parashtruesi/ja duhet të paraqesë dëshmi dhe argumente bindëse, për të dëshmuar shkeljet e pretenduara.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se: (I) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj, përkitazi me mohimin e të drejtës për vendim të arsyetuar, i takojnë kategorisë së tretë (iii) të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, të njëjtat në baza kushtetuese i deklaron qartazi të pabazuara; (II) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 32 dhe 54 të Kushtetutës, i takojnë kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve të “pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, në baza kushtetuese të njëjtat po ashtu i deklaron qartazi të pabazuara. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, duhet deklaruar e papranueshme.
Nevruz Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale