KI208/22, Parashtrues i kërkesës: Flurentin Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë [P. nr. 267/22] të 7 tetorit 2022
KI208/22, Aktvendim për papranueshmëri i 12 prillit 2023, publikuar më 11 maj 2023
Fjalët kyç: kërkesa individuale, mosshterimi i mjeteve juridike
Thelbi i procedurës gjyqësore pranë gjykatës së rregullt në rastin konkret ka të bëjë me procedurën penale e cila është zhvilluar në Gjykatën Themelore për shkak të dyshimit të bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale ““Vjedhje e rëndë” nga neni 315 pika 1.1 e Kodit Penal të Kosovës”.
Gjatë procedurës gjyqësore, gjyqtari i Gjykatës Themelore e njoftoi parashtruesin e kërkesës për të drejtat e tij.
Gjatë seancës gjyqësore, parashtruesi i kërkesës u deklarua fajtor për kryerjen e veprës penale, duke deklaruar se do të mbrohet vet në procedurën penale.
Gjykata Themelore e shpalli parashtruesin e kërkesës fajtor për kryerjen e veprës penale dhe e dënoi atë me 12 muaj burgim.
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë duke deklaruar se gjatë procedurës gjyqësore nuk kishte të drejtë të mbrohej, gjë që cenon të drejtat e tij të garantuara me nenet 30 dhe 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.
Gjykata, duke shqyrtuar shkresat e lëndës, konstatoi se parashtruesi i kërkesës pas pranimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore kishte të drejtë të ankohej në Gjykatën e Apelit, gjë që nuk e bëri. Prandaj, Gjykata konkludoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet e rregullta juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit si dhe në pajtim me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Flurentin Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale