KI126/22, parashtrues, Gëzim Bajrami, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 116/2022 të 6 majit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI126/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 7 marsit 2023, publikuar më 22 mars 2023
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me atë se më 30 qershor 2015, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (Punëdhënësi) pas vlerësimit të performancës gjashtë mujore të punës, përmes Vendimit [nr. 1359/2] kishte ndërprerë marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës në pozitën e Drejtorit të Spitalit Rajonal. Kundër këtij vendimi të Punëdhënësit, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Komisionin e Ankesave brenda Punëdhënësit. Ky i fundit, më 5 gusht 2015 ankesën e parashtruesit të kërkesës e kishte refuzuar si të pabazuar përderisa në këshillën e këtij vendimi ishte specifikuar se kundër këtij Vendimi, ai mund të paraqesë ankesë në Inspektoratit të Punës. Si rrjedhojë e kësaj, parashtruesi i kërkesë kishte ndjekur ankesat para dy organeve të Inspektoratit të Punës, të cilat ankesat e tija i kishte refuzuar si të pabazuara. Vendimi organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës ishte nxjerrë më 19 nëntor 2015, të cilin parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar më 13 janar 2016. Në procedurë para gjykatave të rregullta, Gjykata Themelore pjesërisht kishte aprovuar kërkesëpadinë e tij, ndër tjerash duke e obliguar Punëdhënësin që parashtruesin e kërkesës ta rikthejnë në vendin e tij të mëparshëm të punës me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e tij e punës. Përfundimisht, konstatimi i Gjykatës Themelore [Aktgjykim, C. Nr. 524/18, i 23 shtatorit 2021] në procedurë të rigjykimit ishte vërtetuar edhe përmes Aktgjykimit [Ac. Nr. 9442/21] të Gjykatës së Apelit, të 5 janarit 2022. Punëdhënësi kundër dy Aktgjykimeve të fundit të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme, përmes të cilit ndër tjerash kishte pretenduar se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit të Punës. Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të kontestuar [Rev. 116/2022] të 6 majit 2022 kishte aprovuar revizionin e Punëdhënësit si të bazuar dhe kishte prishur Aktgjykimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Themelore duke hudhur poshtë si të pasafatshme kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme konstatoi se Inspektorati i Punës nuk përfaqëson dhe nuk është organi i brendshëm i Punëdhënësit dhe se vendim i fundit i Punëdhënësit është Vendimi i Komisionit të Ankesave, i 5 gushtit 2015, dhe për pasojë kërkesëpadia e tij e parashtruar më 9 shkurt 2016 në Gjykatën Themelore është jashtë afatit tridhjetë (30) ditor të përcaktuar me nenin 79 të Ligjit të Punës.
Parashtruesi i kërkesës i konteston konstatimet e lartcekura përmes Aktvendimit të Gjykatës Supreme duke pretenduar ndër tjerash shkelje të të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neneve 24 [Barazia para Ligjit] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Gjykata me shumicë votash vendosi që kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e papranueshme, sepse pretendimet e tij: (i) përkitazi me shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së bien në kategorinë e pretendimeve të “shkallës së katërt” dhe rrjedhimisht janë qartazi të pabazuara në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës; dhe (ii) përkitazi me nenet 24 dhe 49 të Kushtetutës bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme siç është përcaktuar përmes nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (d) të Rregullores së punës.
Gëzim Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile