KI68/22, Parashtrues: Shaban Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, ARJ-UZVP. nr. 10/2020, të 14 janarit 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e dorëzuar jashtë afatit ligjor
parashtruesi i kërkesës ishte palë para Gjykatës edhe në rastin KI212/19, në të cilin rast ishte vlerësuar kushtetutshmëria e Aktgjykimit [AA.nr.396/2019] të Gjykatës së Apelit, të 22 tetorit 2019. Në këtë rast, parashtruesi i kërkesës pretendonte në esencë shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Parashtruesi i kërkesës theksonte se atij i është bërë e padrejtë nga ana e MPMS-së për arsye se nuk i ishte njohur stazhi i punës. Gjykata shpalli kërkesën si qartazi të pabazuar pasi që parashtruesi nuk i ka mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me KEDNJ. Gjykata sjell në vëmendje se faktet e rastit konkret KI68/22 janë të njëjta me faktet e rastit KI212/19.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës pretendoi shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 8 [Shteti Laik] dhe 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujtoi që parashtruesi i kërkesës e kontestonte Aktvendimin [ARJ-UZVP. nr. 10/2020] e Gjykatës Supreme, të 14 janarit 2020, të cilin aktvendim parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar më 10 maj 2020.
Parashtruesi i kërkesës e kishte dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 23 maj 2022, për më shumë se dy vite pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me Ligj dhe me Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Përfundimisht, Gjykata konkludon se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar jashtë afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
Shaban Gashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile