Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 23/2022] të 11 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI106/22

Parashtruesit: Driton Fetahu

Shkarko:

KI106/22, Parashtrues Driton Fetahu, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Pml. nr. 23/2022] të 11 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI106/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 shkurtit 2023, i publikuar më 27 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një rast penal, ku parashtruesit të kërkesës i ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Gjakovë për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit”. Në lidhje me këtë aktakuzë, më 17 maj 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë, me Aktgjykimin [PKR. nr. 182/20], e kishte shpallur fajtor parashtruesin e kërkesës për kryerjen e veprës penale së lartcekur, dhe e dënoi atë me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) muajve, si dhe me dënim me gjobë në shumën prej 1200 (njëmijë e dyqind euro). Pas ankesës së parashtruar nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata e Apelit me Aktgjykimin [PAKR. nr. 243/21] të 8 tetorit 2021, e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e tij dhe kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë. Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme. Kjo e fundit, me Aktgjykimin [Pml. nr. 23/2022] të 11 marsit 2022, refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë : KEDNj), nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 13 të KEDNj-së si dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese fillimisht vlerësoi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës, sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, duke konsideruar se parashtruesi i kërkesës ishte palë e autorizuar, kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion, kishte saktësuar nenet e Kushtetutës dhe aktin e autoritetit publik që kontestohej në Gjykatë, dhe kërkesën e kishte dorëzuar brenda afatit kohor prej 4 (katër) muajve. Gjykata shqyrtoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës në lidhje me shkeljet e pretenduara, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), në rrethanat e rastit konkret, konsideroi se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës. Andaj si përfundim, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i Gjykatës së Apelit dhe ai i Gjykatës Themelore, janë të qartë dhe adresojnë esencën e pretendimeve thelbësore të ngritura nga parashtruesi i kërkesës. Parashtruesi i kërkesës ndër të tjera kishte pretenduar edhe shkelje të tjera të të drejtave kushtetuese, për të cilat Gjykata vlerësoi se njëra prej tyre tashmë ishte trajtuar, në kuadër të së drejtës për vendim të arsyetuar dhe tjetra vetëm se ishte përmendur si shkelje, pa shtjelluar tutje si kishte ardhur deri te ajo shkelje.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së dhe shkeljes të nenit 32 në lidhje me nenin 13 të KEDNj-së, i përkasin kategorisë së tretë (iii), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj të njëjtat në baza kushtetuese i shpalli qartazi të pabazuara. Ndërsa në lidhje me pretendimet për shkelje të nenit 32 dhe 54 të Kushtetutës, i përkasin po ashtu kategorisë (iii) nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara” sepse parashtruesi i kërkesës thjesht citoi një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur. Rrjedhimisht, kërkesa në tërësinë e saj, në pajtueshmëri me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, shpallet e papranueshme.

Parashtruesit:

Driton Fetahu

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale