Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 29/2021, të 9 gushtit 2021

Nr. të lëndës KI232/21

Parashtruesit: Reshat Totaj

Shkarko:

KI232/21, Parashtrues: Reshat Totaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 29/2021, të 9 gushtit 2021

KI232/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 22 dhjetorit 2022, publikuar më  9 shkurt 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt. 

Gjykata rikujton se ndaj parashtruesit të kërkesës ishte ngritur aktakuza [PP/nr. 7755-12/2011] nga Prokuroria Komunale në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit nga paragrafi 3 i nenit 343 të Kodit Penal.  Ministria e Punëve të Brendshme – Policia e Kosovës, pas zhvillimit të procedurës disiplinore nga Komisioni Disiplinor, kishte nxjerrë vendimin [177/KBD/12] e 20 shtatorit 2012 për ndërprerjen e  marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës. Ndërkohë, në vitin 2015, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [PKR. nr. 384/13] refuzoi aktakuzën ndaj parashtruesit të kërkesës, pasi që Prokurori i Shtetit ishte tërhequr nga ndjekja penale. Pas ankimimit të parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Themelore kundër vendimit për ndërprerjen e punës, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 3111/12] refuzoi ankesën si të pabazuar, duke arsyetuar se vendimi [177/KBD/12] për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së parashtruesit të kërkesës ishte marrë pasi ishte vërtetuar në procedurë të brendshme   se parashtruesi kishte kryer shkelje të rëndë disiplinore. Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit të saj konfirmon Aktgjykimin [C. nr. 3111/12] e Gjykatës Themelore duke aprovuar në tërësi provat e administruara lidhur me gjendjen faktike dhe zbatimin e së drejtës materiale. Pas ankimimit, Gjykata Supreme refuzoi ankesën si të paafatshme. Konstatimet e gjykatave të rregullta lidhur me provat e administruara sa i përket gjendjes faktike dhe zbatimin e dispozitave ligjore gjatë shqyrtimit të rastit të tij, parashtruesi i kërkesës i konteston specifikisht para Gjykatës. Lidhur me këtë pretendim, dhe siç është reflektuar te pjesa që ndërlidhet me pretendimet e parashtruesit të kërkesës në paragrafët 27-31 të aktvendimit, përtej pretendimit se vendimet e gjykatave të rregullta janë nxjerrë duke u bazuar në “konstatim të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore”, parashtruesi i kërkesës nuk paraqiti para Gjykatës asnjë argument dhe/ose arsyetim konkret përkitazi me shkeljet e të drejtave të tij.

Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta dhe specifikisht Gjykata e Apelit kishte konstatuar se (i) Aktgjykimi i kontestuar nuk ishte i përfshirë në aplikim të gabuar të së drejtës materiale dhe se drejt ishte konstatuar gjendja faktike në bazë të provave të administruara; si dhe (ii) vendimi për ndërprerjen e punës ishte në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 03/L-035 për Policinë dhe Ligjit nr. 03/L-212 të Punës.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludon se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për “konstatim të gabuar të provave materiale dhe zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore” janë (i) pretendime që i takojnë kategorisë së “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Reshat Totaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar